NGA BESIM NDREGJONI
Shkëlqesi z. ambasadore, Nancy VanHorn! E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Tiranë! Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë dhe t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë! Ardhja juaj në Shqipëri na gëzon për vetë faktin që ju, sipas mesazhit tuaj, që përcollët nga ambasada keni shërbyer si diplomate në shumë vende të Europës Juglindore dhe keni njohur regjimet komuniste, ku Shqipëria gjatë 50 viteve është sunduar nga regjimi stalinist, kur Europa e kishte dënuar që në vitin 1956, Shqipëria nuk e ka dënuar atë regjim gjenocidal, por kaloi direkt në sistem pluralist dhe ka tri dekada që nuk e dënon krimin komunist, kjo falë edhe heshtjes së përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri! Nisur nga mesazhi i juaj miqësor dhe si përfaqësuese e vendit më demokratik në botë, si përfaqësuese e vendit të Marting Luterkingut, po ju drejtohemi dhe po ju përgjigjem mesazhit tuaj të tri pyetjeve:
Ju sjell në vëmendjen tuaj bilancin e krimit komunist, që ka ndodhur në vendin tim, sipas statistikës shtetërore:
-Të ekzekutuar për motive politike, 5037 burra dhe 450 gra.
-Të dënuar me burgosje politike, 21.788 burra dhe 7367 gra.
-Të internuar për motive politike, 48.217 burra dhe 10.792 gra.
-U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje.
-U pushkatuan apo vdiqën në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj.
-U burgosën 1215 burra dhe 38 gra të huaja me kombësi joshqiptare.
-95 shqiptarë kosovarë që ndodheshin në Shqipëri u pushkatuan.
-U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë katolikë 120 veta.
-U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë bektashianë 83 veta-
-U ekzekutuan dhe burgosën klerikë myslimanë 60 veta.
-U ekzekutuan dhe burgosën klerikë ortodoksë 39 veta.
-U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare.
-Xhami 740, kisha manastire ortodokse 608, kisha manastire katolike 157, teqe, tyrbe 530.
-Mbi 6000 të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq mbas 34 vitesh nuk u janë gjetur eshtrat.
Dhe këto familje po vuajnë prej tri dekadash që nuk kanë një varr në tokën e tyre se diktatura u ka zhdukur kufomat… Ky është bilanci i një krimi të padënuar dhe sot mbas 34 vitesh në Shqipëri, ka vetëm heshtje shtetërore. Do të ishim të lumtur, ne, të mbijetuarit e diktaturës që ju të vizitoni të parin vend: 1.Kampin burg të Spaçit, ku u organizua revolta e parë antikomuniste në mbrojtje të identitsetit kombëtar. Flamuri pa yllin sovjetik dhe në mbështetje të lirisë duke pasur udhërrëfyes SHBA-të. 2.Burgun politik të Burrelit, ku diktatura komuniste vrau elitën e kombit shqiptar! 3. Kampin shfarosës të Tepelenës, ku diktatura e Enver Hoxhës u mori jetën mbi 350 fëmijëve nga mosha 1 deri në 5 vjeç, duke mos lejuar ushqyerjen e tyre se quheshin fëmijë armiq të komunizmit! Ne të ftojmë të lexosh librin e At Zef Pllumit “Rrno me tregu”, prift dhe ish-i burgosur politik për 27 vite! Të njohësh krimet e komunizmit në Shqipëri! Tradita e shqiptarit është që miku pritet me ëmbëlsirë dhe të rekomandojmë ëmbëlsirën dibrane “Sheqerpare”. Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike, rezistenca e të mbijetuarve të diktaturës kundër kësaj diktature duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve dhe në veçanti të tuajin si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës! E nderueme mike!
Kemi 34 vite që kërkojmë të dënohen krimet e komunizmit me ligj si gjithë Europa. Ka mbi 6 muaj që së bashku me tre komunitete fetare u kërkojmë drejtuesve të shtetit shqiptar që të dënohen krimet dhe këta heshtin siç kanë heshtur prej tri dekadash! Shpresojmë ju si mike dhe diplomate do të bashkoheni me ne që ky shtet i ashtuquajtur “demokratik” të dënojë krimin komunist me ligj! Ne, bashkëkohësve të Dr. Martin Luther King – kampionit të drejtave dhe lirive të njeriut në Amerikë shekullin e kaluar, kur përballeshim me diktaturën enveriste na rri në kujtese thënia brilante e tij: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqve tanë kundra nesh, por do të kujtojmë heshtjen e miqve tanë”, – përballë padrejtësive ndaj nesh.
Autori: Aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut! President i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co