LUAN RAMA/ Pas një shekulli, një humanist i madh rivjen në Shqipëri. Është shkencëtari dhe antropologu zviceran Eugene Pittard, i cili një pjesë të madhe të jetës së tij e lidhi dhe me Shqipërinë, kohë kur në fillimet e shekullit XX ai mbështeti fuqimisht shtetin e ri shqiptar për të përballuar luftën që i bëhej nga fqinjët dhe politikat shoviniste e hegjemoniste. Që nga vizitat e para të Prof. Pittard, veçanërisht ato të vitit 1921 dhe në vitin 1924 e deri në fund të jetës së tij, Shqipëria mbeti tek ai në anën e zemrës, të përkushtimit, të aksionit dhe të ndihmës konkrete, duke rrezikuar madje dhe jetën e tij. Pittard renditet në historinë shqiptare krahas miqve të mëdhenj të Shqipërisë si senatori francez Justin Godart, nobelisti i Paqes Paul d’Estournelles de Constant, Edith Durham, Aubrey Herbert, Lady Carnarvon, Lord Robert Cecil, poeti Henry Spiess e shumë misonarë të tjerë europianë, të cilët iu gjenden Shqipërisë në kohërat më të vështira të ekzistencës së saj.
Publicisti Kudret Isaj, duke sjellë këtë libër para lexuesit të gjerë dhe historianëve shqiptarë, kushtuar Eugene Pittard, i bën një shërbim të madh historisë shqiptare duke na shpalosur faqe të reja të saj. I shkruar me profesionalizëm dhe një përkushtim të veçantë ndaj kësaj figure, duke kërkuar nëpër arkiva të shumta, dokumente historike, letra, gazeta, raporte zyrtare të kohës, etj., që lidhen me misionet e humanistit të madh, në emër të shqiptarëve, ai i bën një homazh të mrekullueshëm mikut të shqiptarëve. Roli i Prof. Pittard ishte i veçantë dhe vendimtar në krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar si dhe në kohën e Konferencës së Gjenevës, kur Shqipëria do të pranohej si anëtare e Lidhjes së Kombeve dhe kur çështja shqiptare mbrohej nga Fan Noli dhe politikanët e tjerë shqiptarë. Në libër, autori dëshmon gjerësisht ndihmën e tij dhe të gruas së tij Nowlle Roger, alias Helene Pittard, gjatë kohës së krizës së madhe të bukës në vitin 1924, kohë kur anije me misër zbarkuan në brigjet shqiptare për të shuar urinë e fshatarëve të varfër. Bashkë me gruan e tij publiciste dhe romanciere mjaft e njohur në atë kohë, Pittard mori shkopin e pelegrinit duke bredhur nëpër fshatrat e largëta shqiptare, veçanërisht në veriun shqiptar si në Kukës, Dibër, Dukagjin, Shkodër apo Lezhë, çka e lexojmë dhe në shkrimet e tij Letra nga Shqipëria. Ngado pritja e tyre nga shqiptarët ishte proverbiale çka mund ta gjejmë dhe në përshkrimet piktoreske të tyre si Rrugëve të Shqipërisë, Tirana, etj. Artikujt, thirrjet, intervistat e tyre për çështjen shqiptare u botuan në gazeta të rëndësishme të Europës, duke sensibilizuar opinionin europian në mbrojtje të shqiptarëve dhe integrimin e tyre në koncertin e kombeve.
Mjaft interesante janë në këtë libër takimet dhe bisedat e tij me politikanët shqiptarë dhe figurat intelektuale si me Mithat Frashërin, At Gjergj Fishtën, Ahmet Zogun, Pandeli Evangjeli, Hil Mosi, Sotir Kolea e shumë të tjerë, letërkëmbimet me Mithat Frashërin etj. Me shumë interes është dhe intervista e panjohur e Helene Pittard (Noëlle Roger) me Kolë Idromenon, çka na shpalos mendimet e piktorit dhe të fotografit të madh shqiptar. E prekur nga zemrat shqiptare, gjatë udhëtimeve të tyre ajo i kushton poezi të shumta Shqipërisë. Në një nga to ajo ka shkruar: “Nëpër rrugë ndjeva se si rrihte/Zemra krenare dhe e plagosur e Shqipërisë/E njoha e do ta marr me vete/Dashuria e saj do ta mbështjellë jetën time. “… Të shumta janë, gjithashtu, artikujt dhe intervistat e Pittard mbi Shqipërinë, siç janë dhe përshkrimet piktoreske e plot humanizëm si Rrugëve të Shqipërisë, apo Tirana ku na jep tablo mbresëlënëse të jetës së përditshme shqiptare, të një shoqërie të shkëputur nga feudalizmi që shikonte tashmë drejt Perëndimit.
Nga studimet dhe kërkimet e tij të palodhura gjatë një dekade, Isaj e vendos veprimtarinë shqiptare të Pittard në raport me sfondin e zhvillimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, me gjendjen sociale e peizazhin politik, në kuadrin e marrëdhënieve të vështira e konfliktuale të qeverisë shqiptare me fqinjët e saj kur cenohej integriteti i kufijve tashmë i dhunuar që më parë nga Fuqitë e Mëdha, etj. Ai na sjell faqe të panjohura që lidhen dhe me personalitete të tjera shqiptare të diasporës, siç është dhe ajo me intelektualin shqiptar në Stamboll dhe Gjenevë, Arif Dino, nipi i Abedin Pashë Dinos dhe biri i Rasih Dinos, të cilin, në dhjetorin e vitit 1912, Ismail Qemal Vlora e dërgoi të trokiste në kryeqytetet e kancelarive të Fuqive të Mëdha për të bërë të njohur pavarësinë e Shqipërisë. Me shumë interes është, gjithashtu, dhe misioni shkencor i prof. Pittard në zbulimin e periudhës së vonë neolitike në Tren të Prespës si dhe konkluzionet e tij lidhur me llojin e kafkës së prototipit shqiptar, vëzhgime që ai i botoi dhe në revistën antropologjike të Parisit apo në shkrimin e tij Treguesit encefalikë tek 116 shqiptarë të viseve të ndryshme shqiptare. Udhëtimin e çiftit Pittard në shpellën e Trenit buzë Prespës dhe zonat përreth, e gjejmë si në shkrimet e profesorit zviceran ashtu dhe në reportazhin e bukur të Nowlle Roger “Buzë brigjeve të Prespës”, botuar në gazetën “La Suisse”.
Përmes fotografive, përshkrimeve dhe kujtimeve të shumta, lexuesi i sotëm do të mund të krijojë në imagjinatën e tij figurën e plotë të këtij shkencëtari të shquar dhe humanisti i orëve të para, ku spikat njëkohësisht thjeshtësia dhe dashuria për shqiptarët e varfër e krenarë, të cilëve ai u fliste me besim për ardhmërinë e tyre në historinë e kombeve të Europës. Ky njeri i madh la gjurmë të pashlyera në kujtesën e historinë shqiptare dhe ky libër voluminoz e bën më se të dukshëm veprën monumentale të këtij njeriu që ka mbetur gjithnjë në zemrat tona. Një seri eventesh (aktivitetesh) me mbështetje nga Ambasada e Zvicrës synojnë të bëjnë të njohur punën e shumanshme të akademikut zviceran Eugéne Pittard dhe bashkëshortes së tij Hélène Pittard në dhe për Shqipërinë. Në datë 7 tetor do të promovohet libri më i fundit mbi këtë figurë të rëndësishme historike ndërsa në datë 9 tetor do të mbahet një simpozium në Akademinë e Shkencave mbi kontributet e tij.
PJESË NGA LIBRI, “LETËRKËMBIMI ME LUMO SKËNDON”
Në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të XX-të, prof. Eugene Pittard, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Helene, përshkoi kryq e tërthor pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit, duke përfshirë këtu Rumaninë, Bosnjën, Shqipërinë, Greqinë, Serbinë, Malin e Zi. Prof. Pittard filloi të japë leksione si docent i jashtëm në universitetin e Gjenevës që në vitin 1908. Në këtë qerthull të pambarimtë lidhjesh dhe kontaktesh, prof. Eugene Pittard do të njihte dhe do të miqësohej me shqiptarë që banonin në Gjenevë, në Lozanë dhe në disa qytete të tjera zvicerane. Midhat Frashëri i njohur me pseudonimin e tij Lumo Skëndo në vitin 1919, do t’i drejtohej nga Lozana me një promemorie Konferencës ndërkombëtare për krijimin e Mbretërisë Serbo- Kroate-Sllovene. Ai ishte i ndërgjegjshëm për retë e zeza që kishin mbuluar qiellin e Shqipërisë. Në Zvicër dhe pikërisht në Gjenevë ishte përqendruar kuintesenca e mendjeve intelektuale të Europës, ishte përqendruar një plejadë e shkëlqyer e profesoratit zviceran, i cili shprehte një gatishmëri dhe entuziazëm të hapur për të dhënë përfundimet e veta shkencore në konfigurimin e Europës së pasluftës. Në këtë klimë, Midhat Frashëri, i cili e kishte bazën e tij në Clarens pranë qytetit Montreux, do të niste me prof. Eugene Pittard dhe Helenë Pittard (Nowlle Roger), një nga ato miqësitë proverbiale që vazhdojnë gjatë. Frashëri është regjistruar në dokumentet arkivore të Lozanës dhe të Montreux me emrin Midhat Frascheri.
Në 17 prill të vitit 1919, Frashëri i dërgon zotit Ing. Pittard një letër si më poshtë:
Unë u prezantova tek ju dimrin e kaluar si mik i doktor Turtullit. Ju më premtuat ndihmën tuaj të çmuar dhe së bashku bëmë një program për të punuar për çështjen shqiptare dhe nisja juaj për udhëtim në Paris dhe nisja ime nga Gjeneva, përshpejtuan daljen e dy broshurave të vogla, që i kam botuar nën emrin tim të shkrimeve, Lumo Skëndo; ja gjithashtu edhe dy harta për t’ju treguar se nuk ju kam harruar. Kam gjithashtu për botim një broshurë të titulluar Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë atdheut, për të cilën do të doja t’ju kërkoja nderin e një parathënieje të shkurtër, nëse kjo lutje e imja nuk ju bezdis. Do të isha mjaft i lumtur që të mund të flisja me ju përçështjet shqiptare. Do t’ju isha shumë mirënjohës nëse do të më telefononi një pasdite, pas pashkëve, që të më ftoni të vij t’ju takoj. (Midhat Frashëri, 17 prill 1919)
Në bazë të dokumenteve të zbuluara deri më tani kjo është letra e parë që Midhat Frashëri i dërgon prof. Eugene Pittard. Në bazë të saj mundemi të kuptojmë që Midhat Frashëri është takuar me prof. Eugene Pittard në vitin 1918 në Gjenevë si mik i dr. Mihal Turtullit. Midis prof. Eugene Pittard dhe Midhat Frashërit ka lindur një miqësi dhe një bashkëpunim i sinqertë për punët shqiptare, që i ka dhënë frutet e tij me botimin e dy broshurave të vogla nën emrin e shkrimeve Lumo Skëndo. Ai nuk harron që t‘i kujtojë antropologut të shquar dy harta të vjetra të Shqipërisë të cilat ai, si erudit që ishte, me siguri që do t‘i kishte peshkuar në llagëmet e thella të arkivave dhe të bibliotekave të Europës. Lumo Skëndo shkruan më poshtë në letër se nisja e prof. Eugene Pittard në Konferencën e Paqes që i kishte filluar punimet e saj në 18 janar 1919 në Paris, dhe nisja e tij nga Gjeneva, përshpejtuan kohën që ai të përfundonte broshurat në fjalë. Duke njohur publicistikën e Lumo Skëndos të kësaj periudhe na del se bëhet fjalë për artikullin ‘Një epokë e re për Shqipërinë’ (Une ère nouvelle pour l’Albanie) të shkruar në 20 nëntor 1918, dhe për artikullin me titull ‘Kërkesat shqiptare’ të shkruar në 11 mars 1919 dhe të botuar në numrin e muajit prill të revistës ‘Popujt e lirë’. Më poshtë, Lumo Skëndoja e informon prof. Eugene Pittard se ka përgatitur për botim një broshurë tjetër të titulluar ‘Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë’ dhe i kërkon që t’i shkruajë një parathënie të shkurtër. Këtë letër Midhat Frashëri ia dërgon prof. Eugene Pittard në 17 prill 1919.
Në 26 prill 1919, 32 shtete pjesëmarrëse në Konferencën e Paqes në Paris, do të përkrahnin njëzëri paktin për krijimin e Lidhjes së Kombeve. Midhat Frashëri do të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris në fillim të janarit të vitit 1920, si përfaqësues i Federatës panshqiptare “Vatra” të Amerikës.
Në kopertinë Lumo Skëndoja do të vinte një citat të Paul Bourget, të cilin po e citojmë më poshtë “Ata që dukeshin më fisnikë ishin shqiptarët me fustanellën e bardhë”. Lumo Skëndoja, kur vendosi t’ia dërgonte broshurën e tij prof. Eugene Pittard me sa kuptojmë nga nënteksti, ka dashur të realizojë dy qëllime. Qëllimi i parë për mendimin tonë, ka qenë të kalonte “provën e zjarrit” në kudhrën e një ballkanisti dhe antropologu me famë ndërkombëtare si Eugene Pittard-i i njohur botërisht si një njeri me identitet të spikatur shkencor. Qëllimi i dytë ishte t’u binte kambanave të alarmit në metropolet më të rëndësishme europiane për shpëtimin e Shqipërisë.
Në këtë artikull Lumo Skëndo duke u hedhur një vështrim historik lidhjeve të hershme franko-shqiptare, do të argumentonte me një gjuhë të pasur plot kolorit ndjeshmërinë e mbretërve të Francës dhe të kombit francez ndaj popullsisë katolike shqiptare në veriun e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë të Mirditës, lidhje që u përforcuan më tej nëpërmjet marrëdhënieve dhe të aleancave me Ali pashë Tepelenën.
Në këtë artikull ai do të bënte një udhëtim imagjinar në historinë politike të Shqipërisë, do të fliste për gjymtimin e trojeve të saj etnike dhe krijimin e Shqipërisë “londineze”, do të fliste për zhgënjimin e shqiptarëve dhe shpresat që ata kishin mbështetur në drejtësinë e vendimeve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Paris. Midhat Frashëri në këtë artikull vë në spikamë dhe i bën thirrje Konferencës së paqes në Paris se nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe në Ballkan pa zgjidhjen e çështjes shqiptare. Roli i prof. Eugene Pittard qëndron në sensibilizimin dhe në mbrojtjen e kauzës shqiptare në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Nuk është i rastësishëm fakti që Pandeli Evangjeli i kishte vënë në dispozicion prof. Eugene Pittard dy këshilltarë të vyer, Hil Mosin dhe Sotir Kolean. Shqipëria do të pranohej në Lidhjen e Kombeve në 17 dhjetor 1920 me 35 vota pro dhe 7 abstenime dhe do të renditej si shteti i 43-të i Lidhjes së Kombeve.
Shkrimi i 1920-ës, Pittard: Shqipëria, Zvicra e Lindjes, ka dëshirë të jetojë
Prof. Eugene Pittard ka botuar pamfletin e tij me titull “Pour l’Albanie” ditën e premte në datën 17 dhjetor 1920, pikërisht ditën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Në të ai kërkon të drejtat e Shqipërisë dhe vë në dukje vlerat e vendit tonë.
Ndër shtetet që aplikojnë për t‘u anëtarësuar në Lidhjen e Kombeve (duhet të shpresojmë që të gjithë ata që kanë të drejtë ta bëjnë këtë do të pranohen!), Shqipëria paraqitet me kushte veçanërisht të favorshme pranueshmërie. E njohur nga Fuqitë e Mëdha (Traktati i Londrës, 1913) ajo ka bërë, që nga kjo njohje, përparime të konsiderueshme të brendshme. Kaq e fuqishme është shtysa që jep liria e fituar, sa u deshën vetëm pak vite për të ngritur në këmbë, si gjetiu në Europë, të gjitha sistemet administrative, ato të drejtësisë, shkollat. Dhe, diçka unike mes shteteve europiane, dhe që flet shumë për kujdesin e administratës së brendshme, buxheti shqiptar përfundon me shifra pozitive! Pavarësisht se kaloi shekuj të tërë e pushtuar, Shqipëria ka arritur të ruajë të paprekura kujtimet e së kaluarës së saj të madhe: traditat e saj nuk janë zhbërë; pastërtia e saj etnike nuk ka ndryshuar; shqetësimi i saj për të qenë gjithmonë besnike ndaj vetes afirmohet vazhdimisht. Edhe në mes të vështirësive më të mëdha, Shqipëria ka ruajtur gjuhën, zakonet e saj jashtëzakonisht të respektuara, cilësitë e mëdha të punëtorëve dhe luftëtarëve të saj. Banorët e saj kanë mes tyre një mirëkuptim fetar të cilin shumë vende që janë pjesë e Lidhjes së Kombeve do të ishin të lumtur ta zotëronin. Ky respekt për pakicat fetare është veçanërisht i qartë për ata që njohin Lindjen. Shqipëria ka kufij që ia caktoi Konferenca e Londrës.
Pa asnjë lloj mbështetjeje përveç vullnetit të saj, ajo diti, gjatë aventurave ballkanike, ta ruante territorin e saj pothuajse të paprekur. Ajo ka një dëshirë të zjarrtë për ta jetuar, më në fund, jetën e saj në paqe. Ajo ende beson, me gjithë format kontradiktore që japin parlamentet e disa vendeve, në parimin e deklaruar që ka sjellë pasojën që njohim: e drejta e popujve për vetëvendosje! Dhe nëse ky parim do të shkelej, gjithçka mund të ndodhë, pikërisht nga ata që e krijuan, burrat e Shqipërisë, që janë burra të thjeshtë, të ndershëm, jo diplomatë por të zjarrtë, do të pyesnin me ankth se çfarë nënkuptojnë fjalët Ligji dhe Drejtësia, të cilat prej gjashtë vitesh jehojnë në çdo skaj të tokës. Ata do të pyesnin veten se çfarë duhet të bëjnë për të mbrojtur interesat e tyre!… Montesquieu ka thënë: Nuk ka tirani më mizore se ajo që ushtrojmë nën hijen e ligjit dhe me ngjyrat e drejtësisë. Hija e ligjit dhe ngjyrat e drejtësisë!… Sa mizore janë këto fjalë! Dhe sa larg jemi ne nga fryma që i jep jetë Lidhjes së Kombeve!… Por sa e nevojshme është gjithashtu, që këto fjalë të mos thuhen më kurrë, që Lidhja e Kombeve të mos hyjë në lojën e dinakërive të vjetra diplomatike, me delikatesat e procedurave që çojnë, nën “ngjyrat e drejtësisë”, në krijimin e padrejtësive të pabesueshme.
Konferencat e Gjenevës ndiqen me shqetësim nga të gjithë ata që kanë varur në to shpresat më të mëdha. A do të ribëhet bota? A duhet t’i marrin mbrapsht shpresat që kanë vënë në të? A duhet të organizohen sërish për të mbrojtur vendin e tyre? Fjalimi i Montesquieu-së këtu merr një intonacion solemn të veçantë. Keqpërdorimi i drejtësisë mund të çojë vetëm në dhunë… Ne zviceranët mund të jemi vetëm dashamirës ndaj shqiptarëve. Shqipëria është Zvicra e Lindjes. Nga aspekti fizik, nga jeta baritore e banorëve të saj, nga thjeshtësia dhe ndershmëria e tyre, nga trimëria dhe kujdesi për besën e dhënë, Shqipëria është shumë pranë nesh. “Landsgemeinden” tanë kanë, ndër shqiptarët, një ngjashmëri, në formën e kuvendeve të përgjithshme ku merr pjesë tërë populli, një popull i lirë që i krijon vetë ligjet e veta. Shtetet fqinje të Shqipërisë kanë avantazhin më të madh për të parë se si po krijohet pranë tyre një shtet i vogël i lirë. Ata vetë kanë vuajtur mjaftueshëm vitet e fundit për të kuptuar vuajtjet dhe aspiratat e të tjerëve. Ata nuk mund të mos kuptojnë se vetë interesi dhe siguria e tyre u kërkon të ndihmojnë në realizimin e tërësishëm të Ligjit dhe Drejtësisë. Shqipëria është në të drejtën e saj që të njihet nga Lidhja e Kombeve; ka kufij, një qeveri të qëndrueshme, të votuar lirisht; administrim të pavarur, unitet të jashtëzakonshëm gjuhësor dhe etnik; një mirëkuptim fetar thellësisht të admirueshëm. Ajo do të dijë të mbrohet – e gjithë historia e saj e dëshmon këtë – kundër çdo sulmi. Lidhja e Kombeve duhet t‘i zgjasë dorën!