Disa vite pas miratimit të ligjit për investimet strategjike, deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, thotë se ky ligj u përdor si instrument për t’u dhënë favore dhe përfitime individëve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë.
Sipas saj, nga 40 projekte të miratuara, vetëm dy janë përfituar nga investitorë të huaj.
Ndërsa pritet që ligji të shtyhet sërish, deputetja e opozitës, thekson se qeveria do të vazhdojë të shpërblejë oligarkët dhe zyrtarët e lartë me prona në zonat më të lakmuara të Shqipërisë, përfshirë në zonat e mbrojtura.
Reagimi i plotë:
Në 28 maj 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për investimet strategjike. Qëllimi i shpallur publikisht dhe i shkruar në ligj ishte tërheqja e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët ekonomikë strategjikë. Për realizimin e këtij qëllimi, ligji parashikonte ofrimin e disa lehtësirave dhe procedurave favorizuese.
Por, ndryshe nga qëllimi i shpallur, në praktikë ky ligj u përdor si instrument për t’u dhënë favore dhe përfitime individëve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe Partisë Socialiste. Nga 40 projekte të miratuara, vetëm dy janë përfituar nga investitorë të huaj, ndërsa gjithë projektet e tjera janë fituar nga oligarkë të lidhur me qeverinë apo familjarë të vetë qeveritarëve.
Në kohën e miratimit, ligji parashikonte si afat të fundit për paraqitjen e kërkesave nga investitorët datën 31 dhjetor 2018. Megjithatë, ligji u ndryshua 5 herë dhe afati u shty për datën 31 dhjetor 2023. Së fundmi, mazhoranca socialiste ka miratuar në komisionet parlamentare dhe ditën e nesërme pritet të miratohet edhe në Kuvend shtyrja për herën e gjashtë të afatit deri në datën 31 dhjetor 2024.
Qëllimi është i qartë: qeveria do të vazhdojë të shpërblejë oligarkët dhe zyrtarët e lartë me prona në zonat më të lakmuara të Shqipërisë, përfshirë në zonat e mbrojtura, nisur nga ndryshimet e fundit të hyra në qeveri. Korrupsion, favorizim, klientelizëm dhe arbitraritet janë fytyra e vërtetë e kësaj nisme ligjore, të cilën opozita do ta kundërshtojë me forcë me cdo mjet politik dhe ligjor.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co