Nga Kuvendi Zgjedhor në degën e PD në Lezhë, kryedemokrati Lulzim Basha dha mesazhin e tij. Basha tha se shumë politikanë i shpëtojnë ligjit, ndërsa theksoi se duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë, që të ndajë Shqipërinë në dy pjesë.
Basha tha se Lezhë është tronditur thellësisht nga intrigat.
“Ja tek është Lezha. Lezha e krenarisë kombëtare që dje kujtoi dhe rikujtoi një nga momentet kyçe të formësimit të ndërgjegjes dhe kombit shqiptarë. Lezha e intelektualëve, e artistëve, e poetëve. Lezha e oratorisë kombëtare e zhytur në llumin e injorancës, analfabetizmit që ka ngritur krye dhe është ngritur në krye. Lezha e sipërmarrjes dhe sipërmarrësve e rrethuar nga klientelizmi, patronazhizmi politikë dhe ekonomikë që e ka fundosur ekonominë e këtij qyteti, e kësaj treve. Lezha e traditave, e bashkëjetesës, e tronditur thellësisht nga intrigat, nga krimi, nga përplasjet, nga vëllavrasja. Këto janë realitetet e zymta me të cilat përballen sot lezhjanët, këto janë disa prej arsyeve që e kanë zbrazur Lezhën dhe Shqipërinë. Qëndrimet tona për zgjedhjet tashmë janë institucionalizuar. Padiskutim që garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kërkojë shumë më shumë sesa rregullat e lojës. Por pa rregullat e lojës, nuk ka asnjë shans që të kemi një rrugë të hapur drejt një sistemi zgjedhor ku qytetarët vendosin se kush do të shkojë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është arsyeja pse PD ka dorëzuar jo thjesht në emrin e saj apo të opozitës, por në emrin e interesit të çdo qytetari propozimet për listat e hapura. Propozimin për Shqipërinë një zonë zgjedhore, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik dhe për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Propozimi për listat e hapura nuk është një manovër politike apo partiake, është zotimi ynë që parlamenti të mos jetë më një konstelacion i atyre që vijnë nga listat e mbyllura të përcaktuara nga kryetarët e partive sipas formulës kushtetuese të 2008-ës. Që ishte dhe fillimi i fundit të Republikës së parë pluraliste në Shqipëri dhe që sot është kthyer në një pronë private të Edi Ramës dhe të çirakëve të tij në qeveri. Fund pandëshkueshmërisë, për të ndarë Shqipërinë në dy pjesë. Shumë politikanë i shpëtojnë ligjit! PD do të flasë prerë!”, tha Basha.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co