Ekspertë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë thënë se grupet terroriste në Afrikë po rrisin përdorimin e dronëve për të kryer operacione që më parë mund të kryheshin vetëm nga ushtritë e këtyre vendeve.
Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, grupet terroriste në Afrikë të lidhura me Al-Qaedan dhe Shtetin Islamik po përdorin gjithnjë e më shumë dronët komercialë, për të kryer operacione.
“Këto mjete ajrore u mundësojnë atyre që të kenë një pamje më të mirë të fushës së betejës dhe mjediseve operative. Po kështu u sigurojnë atyre një mënyrë të re për të mbledhur informacion dhe për të planifikuar e koordinuar sulme, ndonjëherë me një shkallë më të lartë saktësie dhe viktimash”, ka thënë Barbara Morais Figueiredo, e Institutit të OKB-së mbi Çështje të Çarmatimit.
Ekspertët ka theksuar se ushtritë që luftojnë kundër kryengritjeve dhe përballen me kërcënime terroriste nga ajri, për herë të parë janë në disavantazh.
Karen Allen, këshilltare e lartë për çështje kërkimore në Institutin për Studime të Sigurisë, ka shkruar gjerësisht mbi përdorimit të dronëve nga grupet terroriste.
“Kjo u përçon një sinjal të rëndësishëm psikologjik grupeve të armatosura që në të kaluarën mund të kenë qenë në disavantazh në krahasim me ushtritë e rregullta. Pra, në fushëbetejë ata janë kundërshtarë të barabartë”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa nuk dihet me saktësi se në sa raste janë përdorur dronët nga grupet terroriste në Afrikë, incidente janë regjistruar në Somali, Republikën Demokratike të Kongos, Nigeri dhe Mozambik.
Figueiredo ka thënë se Saheli Qendror ka mbajtur barrën e kësaj prirjeje të re, e cila është përhapur nga ISIS-i dhe al-Kaeda në Irak dhe Siri, në degët e tyre në Afrikë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co