Si ka ndryshuar aksioni me sulme në Gaza pas furnizimit të Izraelit me armë nga SHBA, ja çfarë thotë ministri i Mbrojtjes

si ka ndryshuar aksioni me sulme ne gaza pas furnizimit te izraelit me arme nga shba ja cfare thote ministri i mbrojtjes
si ka ndryshuar aksioni me sulme ne gaza pas furnizimit te izraelit me arme nga shba ja cfare thote ministri i mbrojtjes

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se është arritur “progres domethënës” për t’iu dhënë përgjigje shqetësimeve të Izraelit në lidhje me dërgesat amerikane të armatimeve për shtetin hebre. “Pengesat janë eliminuar, janë trajtuar pikat delikate, për të përparuar me një seri çështjesh dhe në veçanti me përforcimin ushtarak dhe furnizimin me municione”, tha zoti Gallant pas takimit me këshilltarin amerikan të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan. Më herët gjatë javës, zoti Gallant u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin. Shtetet e Bashkuara janë vendi kryesor që furnizon me armë Izraelin, por në javët e fundit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ankua për ritmin e ngadaltë të dërgesave gjatë disa muajve të fundit. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se u gjendën të befasuar nga komentet e zotit Netanyahu.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se zoti Sullivan “riafirmoi angazhimin e presidentit Biden për t’u siguruar se Izraeli ka gjithçka që i duhet për t’u mbrojtur ushtarakisht dhe për t’u përballur me kundërshtarët e tij që mbështeten nga Irani”, Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Libanin jugor. Zyrtarët amerikanë shprehën shqetësimin këtë javë se shkëmbimet e zjarrit mes Izraelit dhe Hezbollahut përgjatë kufirit me Libanin jugor mund të shndërrohen në një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Drejtuesi i operacioneve humanitare të OKB-së, Martin Griffiths u tha gazetarëve në Gjenevë se përhapja e luftimeve nga Gaza drejt Libanit do të ishte “ndoshta apokaliptike”. Ushtria e Izraelit tha javën e kaluar se ishin “hartuar dhe miratuar” planet për një ofensivë në Liban. “Jemi të shqetësuar për potencialin për më shumë tragjedi dhe viktima”, tha zoti Griffiths, duke paralajmëruar se një luftë në Liban “do të tërhiqte Sirinë dhe të tjerë”. “Do të ketë sigurisht ndikim në Gazë; sigurisht që do të ketë ndikim në Bregun Perëndimor”, tha ai. “Është shumë alarmuese”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi të mërkurën, siç tha ai, planet e kryeministrit izraelit Netanyahu për ta “përhapur luftën” e Gazës më gjerë në rajon. “Izraeli tani po i kthehet Libanit dhe ne shohim se fuqitë perëndimore në prapaskenë i rrahin shpinën Izraelit dhe madje e mbështesin”, u tha zoti Erdogan ligjvënësve. Zoti Netanyahu ka thënë se “faza intensive” e luftimeve kundër Hamasit në Gazë do të përfundojë së shpejti dhe forcat izraelite do të rivendosen në kufirin verior ku Izraeli dhe grupi militant Hezbollah me qendër në Liban kanë shkëmbyer zjarr prej muajsh. Kryeministri Netanyahu e ka cilësuar këtë ndryshim si të natyrës mbrojtëse. Zyrtarët amerikanë këtë javë kanë shprehur kundërshtimin e tyre, duke e paralajmëruar Izraelin kundër lëvizjeve që mund të zgjerojnë konfliktin. Sekretari Austin i tha ministrit Gallant se një konflikt i shtuar midis Izraelit dhe Hezbollahut mund të shkaktojë një luftë rajonale. Sekretari Austin kërkoi një zgjidhje diplomatike.
“Një luftë tjetër mes Izraelit dhe Hezbollahut mund të bëhet lehtësisht një luftë rajonale, me pasoja të tmerrshme për Lindjen e Mesme”, tha sekretari Austin. “Diplomacia është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”.

Ministri Gallant, duke folur përpara takimit me sekretarin Austin, tha: “Po bashkëpunojmë nga afër për të arritur një marrëveshje, por duhet të diskutojmë gjithashtu gatishmërinë për çdo skenar të mundshëm”. Sekretari Blinken i kërkoi gjithashtu Izraelit të shmangte përshkallëzimin në Liban kur u takua me zotin Gallant të hënën.
Izraeli dhe Hezbollahu patën një luftë të plotë për herë të fundit në vitin 2006, kur një sulm përtej kufirit i Hezbollahut u pasua me 34 ditë luftime që patën pasoja të rënda për Libanin, veçanërisht në rajonin jugor të vendit. Zoti Gallant u takua gjithashtu me shefin e CIA-s, Bill Burns, i cili është edhe zyrtari kryesor amerikan i përfshirë në negociatat për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i Hamasit tetorin e kaluar ndaj Izraelit gjatë të cilit sipas zyrtarëve izraelitë u vranë 1200 persona dhe u morën peng 250 të tjerë. Nga kundërofensiva e Izraelit në Gazë janë vrarë mbi 37,600 palestinezë, kryesisht civilë, por ndër ta edhe mijëra luftëtarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të këtij territori të drejtuar nga Hamasi./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →