Thasë me para janë grabitur nga kompania e sigurimeve Mondialpol në periferi të Sassari në Itali, ku persona të armatosur janë futur brenda institucionit në një aksion si nëpër filma.
Grabitësit kanë arritur të futen brenda kompanisë së sigurimeve duke përdorur një ekskavator, me të cilin kanë shkatërruar murin e godinës.
Ata kanë qëlluar brenda për të trembur rojet e sigurisë dhe pasi arritën të merrnin paratë e brenda në kasafortë duke u arratisur më pas pa lënë asnjë gjurmë.
Teksa po largoheshin nga vendngjarja ata i vendosën flakën disa makinave, duke bllokuar rrugët përreth dhe qëlluan në drejtim të një makine policie që po shkonte drejt tyre.
Detajet
Grabitësit kanë marrë në kompaninë e sigurisë Mondialpol disa thasë me para, por ende nuk dihet vlera e saktë. Kriminelët, të cilët ishin të paktën dhjetë persona, me kallashnikov dhe të veshur me kamuflazh e jelek antiplumb, hynë në aksion rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të premtes.
Ata kanë shkuar me ekskavator deri në murin e godinës së Mondialpol në Caniga. Më pas ata kanë shkatërruar me ekskavator murin.
Në të njëjtën kohë, grabitës të tjerë kanë kapërcyer gardhin me shkallë dhe kanë hyrë brenda.
Pasi morën disa thasë me para, i kanë nxjerrë jashtë godinës duke i vendosur në kovën e ekskavator dhe i kanë ngarkuar në një furgon Fiat Ducato të bardhë, me të cilin më pas ikën drejt Cagliarit.
Raportohet se grabitësit kanë qëlluar drejt rojeve sigurisë për t’i frikësuar, por një prej tyre që ndodhej në kabinë shpëtoi falë xhamit antiplumb.
Ndërkohë që grabitja ishte duke u zhvilluar, një makinë policie ka mbërritur në godinën e Mondialpol, por hajdutët nuk kanë ngurruar të qëllojnë mjetin me plumba. Ata kanë qëlluar mjetin tek motori për të bllokuar policinë.
Gjithashtu edhe në këtë rast dy karabinierët shpëtuan sepse xhami i përparmë i rezistoi plumbave.
Veprimet ishin të koordinuara dhe i studiuar deri në detajet më të vogla: Ndërsa një pjesë e bandës shkoi tek kasaforta, të tjerët bllokuan të gjitha rrugët kryesore të hyrjes duke u vënë flakën makinave dhe duke hedhur gozhda në asfalt.
Në këtë mënyrë siguruan arratisjen e tyre, pasi i gjithë trafiku nëpër qytet u bllokua dhe policia arriti me vështirësi në vendin e grabitjes.
Ende nuk është llogaritur sasia e parave të grabitura që ishin të destinuara për pagesën e pensioneve javën e ardhshme.
Është hera e tretë në pak vite që kasaforta e Mondialpol në Caniga sulmohet në të njëjtën mënyrë. Më vitin 2018 grabitësit morën në godinë 10 milionë euro.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co