Siguria ushqimore, përballë shfaqjeve mediatiko-politike

siguria ushqimore perballe shfaqjeve mediatiko politike





































FERDI BRAHUSHIPROF. DR. FERDI BRAHUSHI

Fakti që flitet shpesh në media dhe rrjetet sociale për sigurinë ushqimore tregon që ajo ka një rëndësi të veçantë në kohën e sotme.

Pse siguria ushqimore është e rëndësishme?

Siguria e ushqimit është jetike për mbrojtjen e shëndetit publik, duke parandaluar sëmundjet që vijnë nga ushqimi, të cilat mund të variojnë nga të lehta deri në ato të rrezikshme për jetën, veçanërisht për popullatat e cenueshme si të moshuarit dhe foshnjat. Ajo gjithashtu siguron pajtueshmërinë me rregulloret, ruan besimin e konsumatorëve, mbështet stabilitetin ekonomik. Për më tepër, praktikat e sigurta të ushqimit kontribuojnë në qëndrueshmëri, duke reduktuar mbetjet ushqimore, duke mbështetur në fund një popullsi më të shëndetshme dhe një zinxhir të fuqishëm furnizimi me ushqime.

Po kur një ushqim është i sigurt?

Ushqimi konsiderohet i sigurt kur është i pastër ose i ka në nivelet e lejuara ndotësit e dëmshëm për shëndetin e njeriut, duke përfshirë substancat kimike inorganike dhe organike, bakteret, viruset, parazitët etj.. Ushqimi i sigurt duhet të trajtohet, paketohet, gatuhet, ruhet dhe përgatitet siç duhet për të parandaluar kontaminimin dhe prishjen. Kjo përfshin ndjekjen e praktikave higjienike, të tilla si larja e duarve dhe sipërfaqeve, gatimi i ushqimit në temperaturat e duhura, ruajtja e ushqimit në temperatura të përshtatshme dhe shmangia e kontaminimit të ushqimeve të papërpunuara dhe të gatuara. Ushqimi i sigurt gjithashtu plotëson standardet rregullatore për cilësinë dhe sigurinë, duke siguruar që nuk paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorit.

Shumë flasin apo shkruajnë për sigurinë ushqimore, por jo të gjithë informojnë saktë publikun apo konsumatorët.

Disa analistë, opinionistë ose influencër, persona publikë dhe të zakonshëm, ndoshta edhe me të drejtë janë të shqetësuar për sigurinë ushqimore, shprehen në media dhe rrjetet sociale që produktet tona ushqimore si frutat perimet përbëjnë një rrezik për konsumatorin, pasi përmbajnë nivele të larta të substancave të ndryshme si nitrate apo pesticide. Në disa raste këto i demonstrojnë me ca analiza duke përdorur pajisje detektuese të pacertifikuara, të cilat disa kolegë dhe miq i quajnë këto pajisje si kanaçe, rraqe apo lodra kineze. Në fakt këto pajisje janë përdorur edhe nga politika për të demonstruar sigurinë e prodhimeve tona. Pra, media dhe politika i përdor këto pajisje sipas interesit, duke keqinformuar opinionin publik.

Për më tepër, demonstrohet tejkalimi i normave të lejuara të përmbajtjes së nitrateve në disa perime e fruta kur norma të tilla nuk ka akoma të vendosura nga BE, pasi norma të lejuara të përmbajtjes së nitrateve ka aktualisht vetëm për perimet gjethore si spinaq, sallatë dhe rukola dhe këto norma variojnë nga 2000 në 7000 mgNO3 /kg, si dhe për disa ushqime për fëmijë. Sipas EFSA-s (Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore) është përcaktuar një Dozë Ditore Pranueshme (ADI) për nitratet që është 3.7 miligramë për kilogram të peshës trupore të njeriut në ditë (mg/kg pt/ditë), ndërsa për nitritet është 0.07 mg/kg pt/ditë. Kjo sasi nitratesh apo nitritesh mund të merret nga përmbajtja e tyre në fruta, perime apo përdorimi i kripërave të tyre si shtues të ushqimeve dhe nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut, por kur kjo sasi është me e lartë përbën rrezik për shëndetin e njeriut, i cili vjen nga ndikimi i tyre direkt, por sidomos nga formimi i një grupi komponimesh të njohur si nitrozaminat, disa prej të cilave shkaktojnë kancer. Këto pajisje mund të përdoren për interes personal, por në asnjë mënyre analiza të kryera nga pajisje të tilla të pacertifikuara nuk duhen të përdoren për informimin publik, që në rastin më të thjeshtë është një keqinformim, por që shoqërohet me një cenim të tregtimit të prodhimeve vendëse dhe dëmtim ekonomik të prodhuesve apo fermerëve. Në ditët e sotme po zhvillohen teknika të reja për të përcaktuar nitratet ose pesticidet në bimë nëpërmjet metodave të avancuara në të cilat bazohet në parimet e sensorëve apo detektorëve.

Metodat e avancuara kanë disa përparësi si matje të shpejtë, të thjeshtë dhe me kosto të ulët, por kanë ndjeshmërinë dhe nivel të lartë përcaktimi të pesticideve si dhe marzh gabimi më të lartë krahasuar me metodat tradicionale analitike. Prandaj pajisje të tilla akoma nuk përdoren si bazë për analizën e mbetjeve të nitrateve dhe pesticideve në fruta e perime. Pra, problemi në thelb nuk qëndron vetëm te përdorimi i këtyre pajisjeve detektuese të nivelit të nitrateve në fruta perime, por nuk mund të informosh publikun me ca analiza të pacertifikuara dhe aq më tepër kur nuk ka norma të lejuara të përcaktuara për këto fruta dhe perime. Nga ana tjetër, rezultatet e këtyre analizave duhet të shërbejnë si një sinjal për reagimin e institucioneve përgjegjëse në vend për sigurinë ushqimore.

Mosreagimi institucional ndaj çdo keqinformimi nëpërmjet rrjeteve sociale apo mediave në lidhje me sigurinë ushqimore krijon hapësira keqinformimi të konsumatorit. Nisur nga mosreagimi institucional, disa kolegë dhe specialist të fushës reaguan me të drejtë në rrjetet sociale në mbrojtje të prodhimeve vendëse. Por mbrojtja më e mirë e prodhimeve vendëse është kur këto prodhime monitorohen dhe analizohen nga institucionet përkatëse dhe vetëm atëherë mund të themi që këto prodhime janë të sigurta jo bazuar në opinione dhe dëshira. Për këtë duhet të monitorohen sasia dhe koha e përdorimit plehrave dhe pesticideve sipas specieve bimore si dhe analiza e produktit final para se të dal në treg mbi bazën e një analize risku. Pajisja e produkteve vendase me një certifikatë cilësie i bën këto më të besueshme në treg. Absolutisht edhe produktet e importit duhet të analizohen për përcaktimin e treguesve të sigurisë së tyre para se të hidhen në treg, mbi bazën e një plani monitorimi dhe analize risku, sepse shpesh vihet re që në media prodhimet vendase kontestohen më shume se ato të importit.

Disa të tjerë, përfshirë edhe politikanët, reklamojnë që prodhimet e vendit janë të mira, janë bio, pa mbetje të pesticideve apo substancave të tjera. Por kjo vetëm me fjalë pa u shoqëruar me analizat përkatëse që duhet të tregojnë nivelin mbetjeve të substancave të ndryshme, për më tepër e demonstrojnë edhe duke konsumuar këto ushqime. Nuk mund të thuhet apo reklamohet një produkt si prodhim bio ose organik pa pasur një certifikatë të tillë që plotëson standardet e të quajturit bio ose organik, aq më tepër prodhime të tilla janë të kufizuara dhe kërkojnë një teknologji të veçantë prodhimi që fillon nga zgjedhja e farës, analizat e tokës dhe ujit, përdorimi i inputeve, zona të mbrojtura nga burimet e ndryshme të ndotjes industriale apo bujqësore etj.. Kështu, nuk mund të kemi prodhime bio kur ferma është afër zonave industriale, autostradave nga ku emetohen substanca ndotëse apo afër fermave bujqësore të kultivimit intensiv etj..

Gjithashtu, nuk mund të thuhet që ky produkt është me zero pesticide pa pasur analiza, edhe sikur fermeri të mos ketë përdorur pesticide në atë bimë, mbetjet e pesticideve në bimë janë edhe për shkak të transportit të tyre nga uji, ajri, mbetjet nga përdorimet e mëparshme në tokë etj.. Duhet të thuhet që mbetjet e pesticideve janë brenda normave të lejuara, ose nuk mund të përcaktohen sipas metodës që përdoret si për prodhimet bio ashtu edhe të tjerat. Në këtë rast përmbajtja e pesticideve nuk është e rrezikshme për shëndetin e njeriut. Mbrojtja më e mirë e prodhimeve vendëse dhe fermerëve nuk bëhet me fjalë apo demonstrime false, por me rritjen e mbështetjes financiare për ta, rritjen e kontrollit dhe monitorimit të prodhimit të tyre nga institucionet përgjegjëse në mënyrë që të dihen cilët fermerë apo prodhues kanë prodhime brenda standardeve (edhe me mbetje pesticidesh apo nitrate por që janë brenda normave të lejuara) dhe cilët mund të abuzojnë apo që nuk respektojnë teknologjinë e kultivimit, duke realizuar prodhime me mbetje mbi normat e lejuara të pesticideve, nitrateve apo substancave të tjera.

Kryerja e analizave të tokës dhe ujit të jenë si bazë në përcaktimin e dozave të plehrave dhe pesticideve dhe jo në mënyrë apriori, pasi përdorimi i përvitshëm i tyre rrit sasinë e mbetjeve të tyre në tokë të cilat mund të kalojnë si mbetje në bimë. Respektimi i dozës e afateve të përdorimit të tyre gjatë vegjetacionit dhe para vjeljes, sidomos për pesticidet është i domosdoshëm në mënyrë që të kemi prodhime të sigurta. Jam i prirur t’u besoj fermerëve dhe prodhimeve vendëse, por më shumë i besoj kontrollit dhe analizave kur ato kryhen./Gazeta Panorama

* Departamenti i Mjedisit dhe Burimeve Natyrore
Universiteti Bujqësor i Tiranës

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →