Pas barazimit 0-0 me Interin në “Etihad”, ndeshja e parë jashtë fushe e Mançester Sitit në fazën e sapokrijuar të Ligës në Ligën e Kampioneve do t’i shohë gjigantët anglezë të përballen me Slovan Bratislavën për herë të parë në skenën evropiane dhe të etur për të arritur një fitore të parë, ndërsa luftojnë për një vend në tetëshen e parë të klasifikimit me 36 skuadra.
Duke përballuar reshjet e mëdha të shiut, skuadra u stërvit me vështirësi dhe moti gri nuk e prishi gjendjen shpirtërore të ekipit, me lojtarët të cilët ishin të gjithë me sytë nga transferta e sotme në “Tehelne Pole Stadium” ora 21:00. Pep Guardiola beson se skuadra e tij ka treguar se mund ta përballojë sezonin pa yje kur ata i janë dëmtuar gjatë karrierës në “Etihad”.
Emri më i rëndësishëm që ka humbur Pep është ai i Rodrit, i cili pas operacioni në gju do të humbasë sezonin. Dhe pa mesfushorin spanjoll në fushë, “Qytetarët” ngecën në ndeshjen kundër Njukasëllit, e cila solli edhe humbjen e kreut nga kampionët. Katalanasi, i cili është në sezonin e tij të nëntë në “Etihad” dhe ka fituar tashmë 18 trofe, përveç Rodrit, është edhe pa shërbimet e Oskar Bobit.
“Kemi gjatë shtatë apo tetë viteve që kemi problemin e dëmtimeve. Nëntë vjet do të thosha, se është sezoni im i nëntë këtu. Gjithmonë ka qenë kështu, e njëjta gjë. Asnjë ndryshim”, tha ai. “Këtë sezon kemi një listë të gjatë dëmtimesh, veçanërisht me Oskarin dhe me Rodrin që do të na mungojnë për një kohë të gjatë dhe që është krejtësisht ndryshe nga e kaluara. Por kalendari mbetet i njëjtë”.
Por ai beson te rikthimi në formë i ish-kapitenit Ilkai Gyndoan: “Do të duhet kohë. Ai nuk bëri një fazë përgatitore dhe duhet të hyjë në ritëm, por ai ju jep diçka të veçantë. Por sigurisht që do të marrë kohë”.
PANORAMASPORT.AL