Bota Sport

Situata te Vllaznia/ Presidenti Xhaferi vendos “kushte”, zbardhet takimi në Shkodër

situata te vllaznia presidenti xhaferi vendos kushte zbardhet takimi ne shkoder





































Sinjale për të qetësuar sadopak situatën e krijuar së fundi te Vllaznia. Krisja mes drejtuesve të kësaj skuadre dhe trajnerit gjerman Brdariç e drejtorit sportiv Osmani mbetet gjithsesi dhe do të shihet se si do të kapërcehet, nëse do të kapërcehet.00Gjobat që Brdariç dhe Osmani kanë marrë nga klubi pas miqësores me Burrelin, ku shkak u bë mosaktivizimi i një lojtari të ri në atë ndeshje, krijuan një atmosferë të pazakontë te Vllaznia. Siç ka bërë me dije “Panorama Sport” ditët e fundit, drejtori sportiv i kuqebluve, Tefik Osmani, është drejt largimit. Ai dhe trajneri Brdariç nuk kanë dashur ta komentojnë situatën e fundit, të paktën për momentin, kurse presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i ka quajtur diskutime për të mirën e punës ato që kanë ndodhur ditët e fundit. Skuadra ndërkohë vazhdon stërvitjen rregullisht, ndërsa dje ka pasur lëvizje konkrete mes drejtuesve.

TAKIMI – Në stërvitjen e djeshme të Vllaznisë ishte i pranishëm edhe drejtori sportiv, Tefik Osmani, i cili mungoi disa ditë në Shkodër. Gazeta mëson se ka pasur një takim mes drejtuesit më të lartë të Vllaznisë dhe dyshes Osmani-Brdariç, ku sigurisht është diskutuar çështja e fundit. Presidenti Alban Xhaferi ka qenë shumë i ashpër me ta edhe ditë më parë, pas eliminimit nga Liga e Konferencës me humbjen 0-4 në Shkodër kundër Valurit. Burime të gazetës pohojnë se trajnerit dhe drejtorit sportiv u është bërë e qartë se në rast dështimesh do të ketë penalitete të tjera me gjobë. Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit nuk duan të bëjnë ndryshime në stafin teknik, por kërkojnë që ata që ndërtuan skuadrën aktuale ta motivojnë më tepër atë për të arritur objektivat e shpallur nga klubi. Tani mbetet të shihet çfarë reagimi do të ketë nga drejtori sportiv dhe trajneri.

MESAZHET – Për të qetësuar situatën e fundit, trajneri Tomas Brdariç dhe klubi shkodran kanë dhënë edhe disa mesazhe nëpërmjet rrjeteve sociale. “Thjesht një ditë perfekte”, shkruante trajneri i Vllaznisë në një foto të postuar në profilin e tij në Instagram, ku shfaqeshin futbollistët dhe stafi teknik të buzëqeshur në plazhin e Velipojës. Klubi dje ka postuar një video në faqen zyrtare në “Facebook”, ku duket trajneri Brdariç që jep udhëzime i përkushtuar për të tijtë.

“Beso se do t’ia dalësh dhe e ke bërë gjysmën e punës”, ishte fjalia që shoqëronte këtë video.

Kuptohet qartë qëllimi për të lënë pas gjithçka dhe për t’u fokusuar vetëm te puna në fushën e blertë. Megjithatë, do të shihet se sa efekt do të kenë këto mesazhe publike, sepse ajo që ka ndodhur realisht nuk mund të fshihet lehtë. Klubi shkodran nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me lajmet e fundit, duke e kaluar gjithçka në heshtje. Eliminimi nga Europa në fakt duket se djeg akoma në kampin kuqeblu, ku mbetet për t’u parë, nëse krisjet e fundit të “ngjiten”, apo do të ketë zhvillime të tjera në kahun e kundërt.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts