Zbardhen detaje të reja nga plagosja e 17-vjeçarit Amarildo Gjergji, ngjarje e ndodhur në njësinë Bërdicë mbrëmjen e kaluar. Mësohet se adoleshenti ka marrë vetëm një plumb ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sytë e prindërve të 17- vjeçarit i cili u plagos nga shtetasi Gent Dushku që vijon të jetë në kërkim nga policia vendore e Shkodrës. Konflikti ka filluar mes familjes Luka dhe Gjergji që janë komshinj me njëri-tjetrin.
Palët kanë patur një sherr edhe më përpara lidhur me ngacmimin e një vajze. Shtetasi Gent Dushku, i cili banon në lagjen “Xhabiej” në Shkodër është dhëndri i familjes Luka dhe ka shkuar mbrëmjen e djeshme në Bërdicë. Aty ka nisur një debat me babain e të plagosurit. Ky i fundit ka dalë me një kaçavidë në dorë dhe në ato momente dyshohet se Gent Dushku ka qëlluar me pistoletë djalin 17-vjeçar duke e lënë të plagosur i cili po ashtu ndodhej jashtë sëbashku me babain e tij. Në momentin e plagosjes në rrugë ndodhej edhe nëna e shtetasit të plagosur.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për zbardhjen e kësaj plagosje të ndodhur për motive të dobëta. Efektivët kanë sekuestruar kaçavidën dhe gëzhojën me të cilën qëlloi shtetasi Gent Dushku. Po ashtu policia e Shkodrës është duke zhvilluar kontrolle për gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, i cili vijon që të jetë në kërkim nga uniformat blu.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co