Kur Naim Frashëri shkruante “Ti Shqipëri më jep nder” as që e kishte në mendje futbollin, lojën magjike që në kohët e sotme bën bashkë mbi 35 mijë shqiptarë në një stadium të Europës. Të gjithë ata do të këndojnë sot në mbrëmje me sa fuqi të kenë himnin kombëtar bash në mes të Gjermanisë.
Miliona shqiptarë të tjera do ta bëjnë para televizorit në vendin ku do t’i kapë ora 21:00. Është fuqia e jashtëzakonshme e futbollit dhe ekipit kombëtar. Askush nuk do që t’i humbasë 90- minutat e Kombëtares së Shqipërisë, që moto të saj ka pikërisht vargun e njohur të Naimit Frashërit. Gjithë shqiptarët kudo në botë do t’i kenë sot sytë te stadiumi i Dortmundit, me shpresën se Shqipëria do t’u japë nder edhe nga një fushë e blertë. Shqipëria e vogël ka shkuar në Europianin e dytë në historinë e saj nga dera kryesore, duke mahnitur në kualifikuese me një skuadër mjaft simpatike, që premton të na bëjë të ëndërrojmë edhe në një grup “ferri” mes 3 superfuqive të futbollit europian, siç janë Italia, Spanja dhe Kroacia.
Nuk ka rast më të mirë se një ndeshje përballë kampionëve në fuqi të Europës për të treguar forcën dhe vlerat që ka kjo skuadër dhe për të lumturuar me mijëra e mijëra tifozë. Dëshira-lutje e këtyre të fundit sot është vetëm një: “Shqipëri, na jep nder, na bëj krenarë!” Ëndrra gjermane e shqiptarëve fillon sot me shpresën që të mos zgjatë vetëm për tri ndeshjet e grupit.
PANORAMASPORT.AL
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co