NGA EVARIST BEQIRI*/ “Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…” – Ismail Qemal Vlora.
Në librin “Maximes d’estat militaires et politiques” të mendimtarit të shquar italian Giovanni Botero (1544– 1617), – të përkthyer në gjuhën frënge nga Pierre de Deimier (1580–1618) dhe botuar në vitin 1606, në Paris nga shtëpia botuese “Toussaincts du Bray”, – gjendet një shkrim në kapitullin “Des Capitaines Excellens à se Faire Rendre Obeïssance”, pikërisht në faqen me numër 33, ku flitet për Gjergj Kastriot Skënderbeun: “Gjuha e pasur ka qenë jashtëzakonisht avantazhuese midis Kapitenëve modern. Midis tyre ajo ka ndihmuar shumë Gjergj Skënderbeun, për të cilin mësojmë nga historia, se kur ai ishte i armatosur në fushën e betejës, sytë e tij shkëlqenin mrekullueshëm nga gëzimi, gjuha e tij shumë gjallëruese, trimëruese dhe luftarake, i ndizte aq flakë zemrat e oficerëve në misionet më të vështira, saqë i bënte jo vetëm guximtarë dhe kurajoz, por edhe të furishëm e përbuzës ndaj rreziqeve, madje edhe ndaj vetë vdekjes. Por parimi themelor i bindjes është autoriteti dhe reputacioni, i cili nuk buron gjithmonë nga fitorja: por më tepër nga kuraja e shkëlqyer, vlerat dhe cilësitë e tjera të Kapitenit…”
Çdo udhëheqës ka një hero, një model prej të cilit ai frymëzohet. Makiaveli te “Princi” thotë se: “Për ushtrimin e trurit të tij, princi duhet të lexojë historianët, të shqyrtojë veprimet e njerëzve të shquar, të analizojë qëndrimet e tyre në beteja, të kërkojë shkaqet e fitoreve dhe të disfatave, duke imituar në këtë mënyrë çfarë duhet të imitojë dhe të shmangë, çfarë duhet të shmangë. Para së gjithash, ai duhet të bëjë gjithçka që kanë bërë shumë njerëz të mëdhenj, të cilët duke marrë për model heronjtë e famshëm të lashtësisë, kanë mbajtur përherë parasysh veprimet dhe sjelljet e tyre. Në këtë mënyrë, thuhet se Aleksandri i Madh frymëzohej nga Akili, Cezari inspirohej nga Aleksandri i Madh dhe Skipioni mbante për model Siriusin.” Ndërkohë, Napoleoni gjente frymëzim tek Aleksandri i Madh dhe perandorët romak. Heroi i John F. Kennedy ishte Winston Churchill.
Ismail Qemal bej Vlora për të gjetur heroin e tij, gërmoi thellë në vetëdijen e përgjumur të kombit shqiptar. Heroi për Ismail beun natyrshëm do të ishte “kalorësi i krishterimit” Gjergj Kastriot Skënderbeu. Filli që e mbajti të bashkuar ndër shekuj lidhjen midis këtyre dy udhëheqësve shqiptarë ishte ëndrra për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Skënderbeu është shqiptari i parë që na dha famën në Evropë, ndërkohë Ismail beu është shqiptari që hodhi themelet e ëndrrës tonë evropiane.
Ismail Qemali ishte një patriot shqiptar dhe shtetar osman, i cili u shndërrua në kryeministrin e parë shqiptar me pikëpamje dhe vizion evropian. Të dy këta udhëheqës kishin shumë gjëra të përbashkëta. Ata rridhnin nga familje të mëdha fisnike shqiptare, të cilat kishin luftuar Perandorinë Osmane. Ata të dy kishin vuajtur pasojat e kësaj lufte që në fëmijërinë e tyre. Skënderbeu u dha peng te Sulltani kur ishte fëmijë dhe u rrit në oborrin e tij. Ndërsa familja e Ismail Qemalit u internua kur ai ishte vetëm tre vjeç. Osmanët i internuan babanë dhe i vranë gjyshin, për shkak të qëndrimeve të tyre antiosmane. Më pas, kur shërbente si zyrtar i lartë, Ismail beu u internua sërish, në vitet 1877-1884, dhe madje u dënua dy herë me vdekje në mungesë nga osmanët.
Të dy, si Skënderbeu edhe Ismail beu punuan për Perandorinë Osmane, duke u shquar si dy individë të jashtëzakonshëm dhe me aftësi të veçanta. Ata u përpoqën që ta ndryshonin dhe reformonin perandorinë. Më pas, kur kjo rezultoi e pamundur, të dy e braktisën perandorinë. Ata iu dedikuan totalisht atdheut, duke u shquar si dy nga udhëheqësit më të mëdhenj që kanë dalë nga tokat shqiptare.
Ismail beu ashtu si Skënderbeu, iku nga Shqipëria i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë Ismail beun, që të merrej me politikë e të punonte me të gjitha fuqitë për vendin. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi i vendit konsiderohej dhe pranohej nga ai si i shenjtë. Por gjuha shqiptare dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull, për shkak të prapambetjes shekullore. Ato nuk mund të përvetësoheshin nga secili menjëherë. Ismail Qemali e kuptoi nevojën e vendit dhe nuk pati frikë por guxoi të realizonte diçka të madhe. Ai punoi që programet politike të lëvizjes shqiptare të bashkoheshin. Ai luftoi që të ndërmerreshin masa, të cilat t’i shërbenin shoqërisë shqiptare.
Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës. Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ismail beu e njihte mirë historinë e kombit të tij, prandaj dhe e shfrytëzoi me mjeshtëri simbolikën e datave. Duke kujtuar 28 nëntorin e Skënderbeut në Krujë, ai ngriti flamurin shqiptar në Vlorë, po në të njëjtën ditë e muaj. Simbolika e “nëntorit të dytë” fuqizonte idenë e vazhdimësisë së kombit dhe të identitetit evropian të shqiptarëve. Ajo kërkonte të zgjonte ëndrrën evropiane në ndërgjegjen e fjetur kombëtare.
Gjergj Kastriot Skënderbeu përballoi me heroizëm ushtrinë më të fortë dhe më të madhe të kohës, ndërsa Ismail Qemal bej Vlora u përball me mjeshtëri të rrallë politike dhe diplomatike me të gjitha Fuqitë e kohës, duke krijuar shtetin e pavarur shqiptar. Të dy ata ishin të ndërgjegjshëm, se asgjë e madhe për lirinë njerëzore në historinë botërore nuk është arritur pa fuqinë e forcës njerëzore…
Diçka tjetër që i bashkonte këta dy personazhe ishte oratoria. Skënderbeu dhe Ismail beu kishin elokuencën dhe aftësinë për t’i magjepsur turmat. Ata dinin t’i bindnin pasuesit e tyre. Arti i të folurit ka qenë gjithmonë shumë i dobishëm për udhëheqësit. Fjalimi drithërues i Ismail Qemal Vlorës, pesëqind vjet më pas do ti ngrinte peshë shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës shekullore për liri dhe pavarësi. Ja si e kujton ai momentin e Shpalljes së Pavarësisë: “Në një periudhë të shkurtër, u gjeta i rrethuar nga tetëdhjetë e tre delegatët e Kongresit, myslimanë dhe të krishterë, të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, pavarësisht, nëse ato ishin apo jo të pushtuara prej ushtrive të huaja. Kongresi u hap menjëherë. Në mbledhjen e parë të 28 Nëntorit 1912, u votua unanimisht Shpallja e Pavarësisë. Tubimi më pas u ndërpre dhe anëtarët u larguan nga salla për të ngritur në shtëpinë time, në shtëpinë ku isha lindur, dhe ku kishin jetuar paraardhësit e mi, në mes të përgëzimeve të mijëra njerëzve, flamurin e lavdishëm të Skënderbeut, i cili kishte fjetur i palosur për 445 vitet e fundit. Ky ishte një moment i paharrueshëm për mua; me duart që më dridheshin, me shpresë dhe krenari, fiksova në ballkonin e banesës së vjetër, Flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej, sikur shpirti i heroit të pavdekshëm, kaloi në ato momente si një zjarr i shenjtë, mbi kryet e gjithë popullit…”
Vizioni i Ismail Qemal bej Vlorës për orientimin kulturor nga Evropa vendosi drejtimin e zhvillimit të Shqipërisë. Filloi procesi i shkëputjes nga orientalizmi dhe orientimi i vendit nga perëndimi. Pra, shqiptarët ishin tashmë në kërkim të identitetit historik të humbur. Me aktin e pavarësisë kishte nisur largimi nga feudalizmi dhe hyrja në udhën e kapitalizmit dhe të zhvillimit borgjez. Ismail beu është i pari lider me mendësi evropiane i Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut.
Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Ismail Qemal bej Vlora ishin dy udhëheqës shqiptarë që ishin njësoj të rrezikshëm për otomanët dhe ajo çka ata realizuan e konfirmon më së miri këtë të vërtetë historike. “Referuar dokumenteve arkivore të huaja Ismail Qemali ishte një figurë madhështore e kombit shqiptarë, i cili mitologjizohej nga vetë osmanët. Ai ishte një Skënderbe i dytë. Nga dokumentacioni osman, britanik dhe austro-hungarez, nuk mund të diskutohet primati i Ismail Qemal Vlorës, si udhëheqësi kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Pavarësi. Ismail Qemali e kishte ideuar projektin kombëtar që para arratisjes nga Stambolli. Ky projekt ishte kamufluar nga Ismail Qemali nën petkun e reformimit të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali u largua nga Perandoria Osmane për një ideal, për t’i shërbyer Shqipërisë.” (F. Duka, 2012). Skënderbeu dhe Ismail beu e shndërruan veten nga lider dhe ofiqar të lartë të Perandorisë Osmane, në liderët shqiptarë që udhëhoqën lëvizjen për largimin e Turqisë nga trojet evropiane.
Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen avullore austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër avullore austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën, para se të zbrisnin në Durrës. Në një natë magjike shqiptare, Providenca hyjnore kishte vendosur që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet të bënin një ndalesë të fundit, të shkurtër pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Skënderbeut. Duket sikur heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte bekimin e tij Ismail Qemalit.
Skënderbeu e ndali hovin e hordhive otomane drejt pushtimit të plotë të kontinentit evropian, ndërsa Ismail beu ishte udhëheqësi që i dha fund sundimit pesëshekullor otoman në kontinentin evropian. Të dyja këto ngjarje historike me rëndësi madhore jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën, u realizuan nga këta dy udhëheqës madhështorë shqiptarë. Ndërkohë, ëndrra e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit për Shqipërinë evropiane vazhdon sot me një tjetër datë historike, që shënon hapja e negociatave midis BE dhe Shqipërisë, më 15 tetor 2024…
*Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).