Skënderbeu do të kërkojë të mbyllë me fitore dhe sukses sezonin aktual në ndeshjen e fundit në kampionat përball Vllaznisë, në një takim të vlefshëm për vendin e tretë dhe të katërt në këtë fazë finale.
Kjo është ajo që presin në kampin bardhekuq për të kurorëzuar kështu një sezon të suksesshëm në pjesën më të madhe të këtij rrugëtimi. Një gjë të tillë duket se ka kërkuar edhe trajneri Ivan Gvozdenoviç në prag të ndeshjes së fundit për këtë sezon. Në një prononcim të dhënë për Panorama Sport, Gvozdenoviç hedh poshtë të gjitha mundësitë që korçarët të luajnë sa për statistikë këtë ndeshje por do të jetë në fushë sipas tij Skënderbeu më i mirë për të tentuar të marrin rezultatin maksimal në këtë ndeshje. Për trajnerin përgatitjet janë mbyllur me këtë pikësynim që Skënderbeu të tregojë në fushë potencialin e vet maksimal dhe të hyjë i bindur dhe me objektive të qarta.
“Pas humbjes me Partizanin normalisht që jemi përqendruar te ndeshja e fundit e këtij sezoni ndaj Vllaznisë, një ndeshje të cilën e kemi vlerësuar maksimalisht. Mund të them se edhe pse nuk është një takim që ka ndonjë rëndësi të veçantë për ne nëse e mbyllim para apo pas Vllaznisë këtë sezon për nga ana e kompeticionit, do të thotë shumë në aspektin moral dhe prandaj jemi të përqendruar. Nuk do të bëjmë rrotacion të zgjeruar në këtë ndeshje dhe do të luajmë të përqendruar me ekipin më të mirë të mundshëm në dispozicion. Nuk është një ndeshje sa për statistikë kjo nga ana jonë, por një takim që do të tregojmë më të mirën e mundshme”, theksoi fillimisht kryepankina korçare sa i përket ndeshjes së fundit të këtë sezoni ndaj Vllaznisë.
MERKATO – I ndalur më pas tek merkato kur pas Frenklin korçarëve i largohet edhe një tjetër sulmues siç është Ivan Xhantu, trajneri serb e ka quajtur një filozofi të suksesshme të klubit që ka ditur të menaxhojë më së mirë mundësitë dhe cilësitë e grupit të lojtarëve për të mbyllur këto transferime.
“Largimi i Xhantu pas Frenklin tregon edhe një herë se kemi ditur të zgjedhim në fillim të sezonit me merkaton dhe afrimet e bëra në tërësi. Por gjithashtu edhe një menaxhim i mirë për të nxjerrë në pah vlerat e gjithsecilit që u konkretizuan më pas me këto transferime. Sigurisht që edhe pse merkato nuk ka filluar zyrtarisht klubi është përfshirë në të dhe po bën mirë në aspektin e marketimit, çka për ecurinë e skuadrës është e rëndësishme në këtë moment. Besoj se do të kemi gjithashtu edhe një merkato të mirë në hyrje, pasi të jenë mbyllur disa prej tratativave kryesore në dalje. Fillimisht klubi është i përqendruar atje, më pas do të bëjmë lëvizjet në forcimin e ekipit. Është e sigurt që do të ndërtojmë një ekip më të fortë nga ky që kemi aktualisht, pasi lojtarët kanë më shumë eksperiencë se në fillim të kësaj aventure dhe cilësisht janë rritur shumë”, mbylli prononcimin e tij trajneri i Skënderbeut.
LLAZI SARO–PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co