Humbja me Dinamon në ndeshjen e fundit ka qenë një goditje e rëndë për Skënderbeun. Jo për rezultatin, më shumë sesa për atë që ka treguar ekipi në fushën e lojës.
Një skuadër jo e ekuilibruar dhe mbi të gjitha e papërqendruar për një ndeshje të një rëndësie të veçantë siç ishte ajo ndaj bluve. Në kushte të tilla, në Korçë nuk kanë humbur kohë, por menjëherë pas këtij takimi i janë futur punës për të përgatitur ndeshjen e radhës dhe mbi të gjitha për të rikthyer me këmbë në tokë ekipin në kushtet kur mbeten edhe shtatë javë nga fundi i sezonit. Në seancën e djeshme trajneri Ivan Gvozdenoviç ka dashur të rregullojë shumëçka nga takimi i fundit, ndaj edhe për këtë gjithçka ka nisur me një analizë të detajuar.
Edhe pse e shprehu qartë mërzinë, menjëherë pas ndeshjes me Dinamon, numri një i pankinës bardhekuqe nuk ka hezituar për t’i folur në sy të tijve në lidhje me atë që ka parë në fushën e lojës. Kritika dhe këshillime, kjo ka qenë tema kryesore në mbledhjen e kryepankinës korçare me ekipin e tij. Ai dukshëm ka shprehur pakënaqësi, duke nisur nga kapiteni e deri te lojtari i fundit. “Ky nuk është Skënderbeu dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me mentalitetin e këtij klubi. Është ndeshja jonë me e dobët dhe për këtë të gjithë kemi përgjegjësi. Jemi një emër i madh dhe nuk na shkon për shtat që të gabojmë në mënyrë të tillë.
E kishim vlerësuar shumë këtë takim, por duket se euforia e ndeshjeve të kaluara na përfshiu dhe nuk na la të bënim atë që ne dimë, të luajmë thjesht dhe bukur. Jam i zhgënjyer nga qasja që i bëmë këtij takimi, në kushtet kur duhet të tregonim më të mirën tonë. E kam thënë shpesh dhe vijoj ta përsëris që në ditën e parë, euforia këtij ekipi i bën keq. U përfshimë nga euforia dhe ja ku jemi sot. Kjo është e papranueshme. Nuk do të ketë më tolerime për këdo që bën paraqitje të tilla. Fanella është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër personale dhe këtë do ta kërkoj deri në fund”, ishin mes të tjerash fjalët e kryepankinës korçare në seancën e djeshme.
Më tej Gvozdenoviç ka vijuar me përgatitjet duke mbajtur ekipin të “ngujuar” në ushtrimet për rritjen e disiplinës taktike dhe mbi të gjitha për balancat në dyja fazat. Trajneri ka kërkuar më shumë në prapavijë dhe jo vetëm, pasi është shfaqur kritik në repartin e sulmit atje ku ofensiva sipas tij, nuk është në nivelin e pritshëm. Një plan i tillë duket se do të vijojë edhe në ditët e tjera të përgatitjeve për aq kohë sa Tirana është kundërshtari i radhës dhe ndeshja parashikohet tejet delikate.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co