Lushnja është ndër klubet e Kategorisë së Parë që është në varësi të plotë të Bashkisë Lushnjë dhe financat çdo vit varen nga Këshilli Bashkiak, që kryen edhe rolin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarëve.
Çdo anëtar këshilli është në rolin e aksionarit. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, anëtari Klement Çela tha se Lushnjës, duhet t’i kthehet lavdia, duke shpresuar gjithashtu, që një president ta ngrejë në nivele të larta.
Si është situata te Lushnja, në lidhje me procesin e privatizimit?
Përsa i përket situatës së privatizimit të ekipit të Lushnjës, dua të them se bashkia, e detyruar nga ligji për sportin, dhe jo nga kërkesa e vazhdueshme e futbolldashësve, ka sjellë për miratim në këshill apo asamble, kërkesën për nisjen e procedurës së privatizimit të klubit të futbollit të Lushnjës. Kërkesë e kahershme e të gjithëve kjo. Fillimi i procedurës së privatizimit u miratua unanimisht nga të gjithë. Iu hap rruga Bashkisë, që të ngrihet një komision me ekspertë kontabël, për vlerësimin e aseteve të klubit. Pra, vetëm emër, logo, etj. Jo për stadiumin, i cili i ngel përsëri bashkisë. Nga sa na kanë informuar, ky komision është duke bërë iventarizimin dhe ende nuk ka nxjerrë një shifër konkrete për shitjen e klubit.
Sa është shuma vjetore që subvencionon klubin e futbollit?
Gjëja e duhur është privatizimi. Por, kjo nuk e pengon aspak ekipin, që të jetë kompetitiv. Kemi një ekip që merr jo pak të ardhura nga taksat e qytetarëve. Në buxhetin e këtij viti ashtu si edhe në vitet paraardhëse, Bashkia ka akorduar rreth 400 milionë lekë të vjetër, të cilat me shtesat që i bëhen gjatë vitit shkojnë edhe 500 apo 600 milionë.
A është një subvencionim i justifikuar, në lidhje me rezultatin sportive dhe produktin e akademisë?
Kërkesa jonë si asamble është shumë e thjeshtë dhe shkon paralel me atë të tifozëve. Duam që Lushnjës t’i kthehet lavdia. Ne duam ta shohim Lushnjën si pretendente kryesore për të kaluar në Superiore. Të jetë sa më parë në elitën e futbollit, ku mungon prej shtatë sezonesh. Me po kaq të ardhura apo edhe me më pak, Lushnja ka arritur rezultate të mrekullueshme, si në kampionat edhe në Kupë. Rezultate që kanë ndezur zemrat e tifozëve lushnjarë. Në dy vitet e fundit, ekipi nuk ka justifikuar asnjë qindarkë nga taksat e qytetarëve, pasi ka qenë në ditën më të zezë. Ekip që në këto dy vite të fundit ka dalë në “play out” dhe ka rrezikuar seriozisht rënien në nivelin e tretë. Është e pajustifikueshme kjo situatë, kur ka ekipe të tjera që me këto të ardhura apo edhe me më pak kanë rezultate më të mira. Lushnja duhet të bazohet te djemtë lushnjarë, të cilët duhet të mbështeten dhe promovohen dhe të ketë pak plotësime me të huaj. Humbja e boshtit me lojtarë të dalë nga akademia e Lushnjës. Duhet punuar me grupmoshat dhe akademinë.
Çfarë objektivi është kërkuar, për të justifikuar mbështetjen financiare?
Ky sezon ka nisur me një rezultat të mirë dhe tani pritet vazhdimësia. Nëse kënaqemi me pak atëherë objektivi do të jetë i njëjtë. Qëndrimi në Kategorinë e Parë, pasi me sa kam kuptuar bashkia nuk ka objektiva madhorë. Pavarësisht se kërkesa jonë si asamble ka qenë e vazhdueshme, që Lushnja të jetë sa më parë në elitë. Çdo arritje tjetër është dështim.
Kur mendohet të dalë klubi në shitje?
Roli i asamblesë është vetëm një. Kërkesa e llogarisë ndaj kryetares së bashkisë, e cila është edhe presidentja e klubit. I japim mbështetje futbollit, por kërkojmë llogari për rezultatet. Unë nuk do të rresht së kërkuari llogari, pasi Lushnja dhe tifozët e saj nuk e meritojnë këtë situatë. Shumë shpejt, ligji e detyron Bashkinë për privatizim. Kjo herët a vonë do të ndodhë. Le të shpresojmë që Lushnjën ta marrë një president, i cili të kërkojë ta ngrejë në nivele të larta. Mbi të gjitha të rikthejë të gjithë tifozët në stadium.
ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co