Abas Rabi, një 44-vjeçar nga Lazarati, person me precedentë të shumë dhe të rëndë penalë në Shqipëri dhe aktualisht i kërkuar në vendin tonë, është arrestuar në kuadër të një megaoperacioni ndërkombëtar të Interpolit të zhvilluar në Serbi, Greqi, Spanjë e Bosnje Hercegovinë, ku ranë në pranga 10 persona në Serbi, Spanjë e Greqi, ndërsa 17 të tjerë rezultojnë në burgjet e Serbisë, Malit të Zi e Turqisë. Nga operacioni janë shpallur në kërkim 12 persona të tjerë. Operacioni është zhvilluar pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin “SKY EÇ”, që ka çuar në zbardhjen e 4 vrasjeve në Athinë e Korfuz të anëtarëve të klanit kriminal “Skaljari” në Mal të Zi, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Rabi është i vetmi person i arrestuar në Greqi, konkretisht në Athinë ku gjatë kontrollit të banesës i’u gjetën dhe sekuestruan 1 pistoletë, 2 krehëra dhe 40 fishekë.
Vrasjet
Në 19 janar 2020, në taverën “Voskopula” në Vari të Athinë, u ekzekutuan me armë në sy të familjarëve, Igor Dedovic nga Sllovenia dhe Stevan Stamatovic nga Mali i Zi, të dy nga 43 vjec si dhe u plagos bashkëshortja e Stamatovic, Milena. Autorët ishin 4 persona të maskuar, të cilët lanë pas 24 gëzhoja dhe 1 fishek 9 mm të qitura nga 2 armë. Dy viktimat rezultonin në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet malazeze për organizatë kriminale. Ata ishin larguar nga Mali i Zi në vitin 2017 dhe prej 2019 jetonin në Greqi. Dedovic ishte kreu i grupit “Skaljari” dhe Stamatovic i besuari i tij.
Në 23 korrik 2020, gjenden të vrarë brenda një automjeti “Toyota Yaris” në oborrin e një vile në Korfuz, shtetasit Alan Kozar, 43 vjeç nga Tivari i Malit të Zi dhe Damir Hadzic, 47 vjeç nga Uzhice e Serbisë. Në vendngjarje policia gjeti 34 gëzhoja, 7 predha dhe 2 mbetje metalike. Brenda mjetit policia gjeti një pistoletë “Glock” dhe brenda vilës një tjetër pistoletë “Glock”. Kozar dhe Hadzic rezultonin në kërkim ndërkombëtar nga Mali i Zi dhe Serbia. Të dy ata lidheshin me klanin “Skaljari”.
Zbërthimi i bisedave të “SKY EÇ” nga autoritetet franceze, arriti të zbardhte biseda që kishin të bënin me 4 vrasjet. Autoritetet identifikuan si pjesëtarë të grupit kriminal në role të ndryshme, 39 persona, mes të cilëve një shqiptar e një kosovar e të tjerët serbë, malazezë, një holandez, një boshnjak e një maqedonas. Grupi hetimor ende nuk ka identifikuar 9 persona të tjerë të përfshirë në grup, mes të cilëve një shqiptar përdorues i “SKY EÇ” me kodin “5BF926”.
Roli i Abas Rabit
Shqiptari i arrestuar në Greqi, si i përfshirë në këtë grup kriminal është Abas Imer Rabi, 44 vjeç nga Lazarati. Ai rezulton i kërkuar në Shqipëri për “prodhim dhe shitja e narkotikëve”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “organizimi i lotarive të palejuara”. Në vitin 2004 ai u identifikua si një nga personat që hapi zjarr ndaj forcave RENEA. Në maj 2007 ai u arrestua ai u arrestua nga policia e Delvinës në aksin “Krane-Ura e Gajdarit” pasi i’u gjet në makinë një armë automatike tip “Scorpions” e prodhimit maqedonas por u la i lirë nga Gjykata e Sarandës. Në vitin 2014 ai u përfshi sërish në ngjarjet e Lazaratit, pasi nga kontrolli i ushtruar më datën 23 qershor në kazinonë e marrë me qira nga Abas Rabi, janë gjetur një sasi lënde narkotike në formë boçe dhe çokollatë, një sasi fishekësh dhe disa makineri lojërash fati dhe sende te tjera te kundraligjshme.
Në lidhje me ngjarjet në Greqi, ai akuzohet se pas vrasjes së Dedovic dhe Stamatovic, sipas bisedave në “SKY EÇ”, armët dhe municionet e papërdorura i’u dorëzuan Abas Rabit, i cili i magazinoi për llogari të grupit kriminal me qëllim përdorimin e tyre në vrasjen e Alan Kozar. Rabi përdorte kodin “FN6820” në “SKY EÇ” dhe komunikonte me maqedonasin Jakup Aljija. Ky i fundit kishte marrë urdhër nga Radoje Zvicer për transportin e armëve nga Athina në Korfuz. Aljija ja ka transmetuar këtë urdhër Rabit, i cili i ka dërguar fotografi të armëve Alijas. Armët e fotografuara e të shkëmbyera në “SKY EÇ” rezultojnë të njëjta me armët në fotot e zbuluara në komunikimet e grupit kriminal serbo-malazez, ku ishte përfshirë edhe Radoje Zvicër.
Në 14 korrik 2020, Abas Rabi ka shkuar në Igumenicë dhe ka marrë një automjet tip “Volvo” ku ndodheshin armët dhe me atë ka udhëtuar më pas për në Korfuz. Kjo ndodhi pasi personat e paidentifikuar që kishin çuar armët në Igumenicë u trembën të udhëtonin me traget nga Igumenica në Korfuz.
Siç del nga bisedat, Abas Rabi nuk e njihte personin të cilit do t’i dorëzonte armët dhe për këtë më datë 14.07.2020 ka dërguar foto ku shihet edhe pika e dorëzimit të makinës me armët (jashtë kishës të Agios Konstantinos dhe Elenit në zonën Kanalia të Korfuzit), makinën e lartpërmendur “Volvo” si dhe rrobat që ai kishte veshur, për t’u perceptuar nga marrësi. Pas marrjes së armëve, Nebojsa Jankovic ka marrë përsipër mirëmbajtjen dhe pastrimin e tyre. Më datë 17.07.2020, Marko Stankovic i ka dërguar fotografi të dy automatikëve të tipit “Skorpion” dhe “Kallashnikov” Dragan Knezevic.
Vrasjen e Kozar dhe Hadzic e kryen Dusan Jovanovic, Filip Knezevic, Marko Stankovic dhe Milos Jevric. Pas vrasjes ata u larguan me skaf nga Korfuzi në Sivota. Me urdhër të Jakup Aljija, katër vrasësit u transferuan me automjet nga Sivota në Halkidiki nga Abas Rabi dhe një tjetër person i paidentifikuar.
Pas arrestimit të tij në kuadër të megaoperacionit, Rabi ka zbuluar me detaje për grupin hetimor veprimtarinë e tij. Në veçanti, ai deklaroi se me udhëzimet e Jakup Aljijas, ai ndërhyri për të gjetur një avokat për të përfaqësuar tre të arrestuarit (Petkovic, Brasnjovic, Lainovic) të arrestuar më parë në Glyfaddha.
Gjithashtu, pas vrasjes së Stamatovic dhe Dedovic, (kryerja e së cilës ai nuk ishte në dijeni), me urdhër të njërit prej shtetasve Jakup Aljija dhe kosovarit Enis Thaqi, ai ka marrë një automjet të markës “Volvo”, në të cilin ka vërejtur praninë e celularëve, një sistem gjeolokimi dhe një maskë e tipit “full face”, e cila ishte parkuar në zonën e Elefsinës. Pas disa kohësh ai ka shkuar me këtë makinë në ishullin e Korfuzit, pasi më parë ka hipur në anije nga porti i Igumenicës, ku ia ka dorëzuar një personi të panjohur për të. Pas disa ditësh me një porosi të re nga Aljija dhe Thaqi, ai ka marrë një makinë nga një person i panjohur në Athinë dhe më pas ka shkuar në Sivota. Prej aty ai mori 3-4 persona të cilët i çoi në zonën e Halkidikisë.
Përplasja e grupeve malazeze
Në vitin 2010, organizata kriminale “Kotor Clan” dyshohet se është krijuar në Mal të Zi me aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike, kryesisht kokainës, në nivel global. Pas një humbjeje prej 200 kg kokainë në Spanjë në vitin 2014, anëtarët e “Klanit të Kotorrit” u ndanë në “Kavac” dhe “Skaljari” (emrat vijnë nga dy fshatra të krahinës së Kotorrit). Këto dy grupe vepruan në mënyrë autonome, ndërkohë që në të njëjtën kohë u ndez një konflikt vdekjeprurës midis anëtarëve të tyre, duke rezultuar në rreth 60 vrasje deri më sot si në Mal të Zi dhe Serbi, ashtu edhe në pjesën tjetër të Evropës.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co