“S’mbaj mend gjë”- Vrasja e Martin Canit, i mituri asnjë pendesë! Dyshimet se autori 14-vjeçar mbajti thikën në klasë gjatë orëve të mësimit! Çanta me mjetin prerës u gjet nga një kalimtar i rastit

smbaj mend gje vrasja e martin canit i mituri asnje pendese dyshimet se autori 14 vjecar mbajti thiken ne klase gjate oreve te mesimit canta me mjetin preres u gjet nga








































NIKOLETA KOVAÇI/ M.P., minoreni 14 vjeç, nxënësi i shkollës “Fan Noli”, që akuzohet si autor i vrasjes së Martin Canit, u la në ‘burg pa afat’.

martin cani mario perlleshaj

Masa iu mor paraditen e djeshme në spital privat, ku thuhet se kurohet për shkak të një plage që ka në dorë dhe që nuk dihet ende se në çfarë rrethanash e ka marrë. Mbrojtësi i tij ligjor, Ardian Leka, iu ka kërkuar gjyqtares dhe prokurores t’i japin një masë më të butë për shkak të gjendjes psikologjike në të cilën ndodhet, por ata nuk kanë pranuar ta zbusin masën.

Sërish minoreni i dyshuar si autor ka refuzuar të flasë. Ai “fsheh” gjithë ngjarjen pas fjalisë: “Nuk mbaj gjë mend”, – ndërkohë që prokuroria dhe policia kanë ende të pazbardhur të gjitha rrethanat e krimit të rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik. Ai refuzon të tregojë se ku e ka hedhur armën e krimit, se ku i ka çuar sendet personale, se kush kanë qenë personat që e kanë ndihmuar, se përse ka bërë sherr me Martinin, se sa ditë kishte sherri mes tyre.

Policia ende nuk ka asnjë prej këtyre detajesh të hedhur në letër, ndërkohë që vetëm ditën e djeshme është shkuar në vendin e ngjarjes për të marrë pamjet filmike të atij momenti horror. Prokuroria pretendon se ka pyetur mësuesit, oficeren e sigurisë, psikologen e shkollës, mësuesen kujdestare, por në fakt, një material audio i shpërndarë ditën e djeshme nga kreu i opozitës, Sali Berisha, dëshmon që nxënësit kanë marrë urdhër të mos flasin me asnjë gazetar. Po ashtu nuk u lejohet as mësuesve të prononcohen për gjithçka dinë, ndërsa në audion e publikuar në një mbledhje mësues-prind dalin në dritë detaje rrëqethëse, ku djali i akuzuar si autor ka pasur thikën në klasë.

Kanë qenë në dijeni nxënësit, të cilët kanë treguar te familjarët e tyre detaje që policia dhe prokuroria ende nuk i kanë përcjellë as në shkresat për referim të veprës penale. Në mbledhjen e zhvilluar në shkollë, prindërit kanë akuzuar drejtoreshën e shkollës, mësuesen kujdestare, oficeren e sigurisë si dhe psikologen, ndonëse audioja e publikuar nuk paraqet se kur ka ndodhur mbledhja në shkollën e masakrës.

HETIMET

Grupi hetimor që po punon për të zbardhur ngjarjen e ndodhur 5 ditë më parë po kërkon ende të gjejë sendet personale të të miturit, autor i dyshuar i krimit. Sipas të dhënave, policia dhe prokuroria nuk kishin në dorë asnjë provë konkrete që e lidh këtë të mitur me ngjarjen, kur nuk ishin gjetur ende arma e krimit, telefoni i të miturit dhe çanta e tij. Mbrëmë një kalimtar rasti, i gjeti çantën dhe thikën në afërsi të ATSH-së.

Hetimet janë përqendruar tashmë për të zbuluar se cilët ishin personat që e morën 14-vjeçarin pas ngjarjes ku mbeti i plagosur edhe vetë në parakrah dhe e çuan drejt spitalit. Burimet thonë se fillimisht 14-vjeçari i dyshuar iku me vrap drejt Pazarit të Ri dhe aty persona ende të paidentifikuar e morën në makinë dhe e dërguan në një spital privat jo shumë larg vendit të ngjarjes. Aty është mjekuar provizorisht, e më pas, të njëjtët persona e kanë transportuar po me automjet privat drejt spitalit ku qëndron edhe sot. Në këtë itinerar, nga njëri spital në tjetrin, i mituri dyshohet të ketë bërë fotot në makinë, me personat që e kanë shoqëruar, ku shfaq dorën grusht.

Të njëjtët persona që grupi hetimor po kërkon t’i zbulojë, mendohet të kenë fshehur çantën e shkollës së të miturit të dyshuar, thikën e krimit dhe telefonin celular të tij. Edhe për çantën, telefonin dhe thikën, të cilën më herët e kishte postuar edhe në rrjetet sociale, 14-vjeçari i dyshuar “tha se nuk mban asgjë”. Kjo ka bërë që hetuesit të rikthehen në vendin ku ndodhi ngjarja për të sekuestruar kamerat e bizneseve e tjera në rrugën ku mendohet se ka kaluar autori dhe personat që e kanë ndihmuar të largohet. Sipas të dhënave, është marrë edhe dëshmia e mësuesve dhe të gjithë personave në shkollë që kanë pasur dijeni për sherrin mes fëmijëve.

Prokuroria po verifikon edhe veprimet që janë ndërmarrë nga mësuesja, oficerja e sigurisë dhe drejtoresha e shkollës në lidhje me këtë rast, pasi ka të dhëna se autorit iu dha leje orën e 6-të të largohet nga mësimi, bashkë me thikën, ku ai më herët iu kishte thënë nxënësve në klasë se “do ta shihni më vonë se çdo të bëj”!

AKUZA

Ndryshe nga referimi policisë për ngjarjen ku e akuzoi të miturin për vrasje me dashje, organi i akuzës e ka riklasifikuar krimin, duke kërkuar në gjykatë masën “arrest me burg për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit”, si edhe “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Për këtë akuzë Kodi Penal parashikon minimalisht 20 vite burg deri në dënim maksimal burgim të përjetshëm.

Por në raste kur autorët janë të mitur parashikohet përgjysmimi i dënimit, ndërsa përjashtohen nga burgu i përjetshëm, pra minimumi i dënimit për autorin është të paktën 10 vjet burg. Hetimet po kryhen nga seksioni i të miturve i Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që kanë shkuar disa herë në një dhomë në katin e 4 të spitalit privat, ku M.P., ruhet me efektiv policie, deri në momentin që mjekët do të aprovojnë se gjendja e tij ia lejon kalimin në një dhomë paraburgimi në seksionin e të miturve.

Prokuroria kërkoi që i mituri në konflikt me ligjin të qëndronte në masë “arrest me burg”. I pranishëm në dhomën e spitalit ku u zhvillua seanca ishte edhe avokati i të miturit, Ardian Leka, i cili kërkoi masë me të lehtë sigurie, por që nuk u mor parasysh nga gjyqtarja, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë.

VRASJA

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën e 18 nëntorit 2024 në pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku viktima dhe autori janë nxënës dhe sherri dyshohet se nisi për një sharje banale mes tyre. Dy 14-vjeçarët ishin konfliktuar të premten dhe e vijuan zënkën edhe ditën e hënë kur shkuan në shkollë, por oficerja e sigurisë që pikasi sherrin verbal mes tyre e mbylli me aq, pa njoftuar prindërit e fëmijëve, pasi të dy e garantuan se e zgjidhën mes njëri-tjetrit. Ose të paktën ky është versioni që ajo i ka përcjellë policisë dhe policia i ka përcjellë opinionit publik me anë të zëdhënësve të saj.

Megjithatë, Martini kishte parandjenjë të keqe, i cili ka lajmëruar edhe shokun e vet të ngushtë që të vinte aty pas mësimi, ndërkohë që pala tjetër, pra pala e autorit ende nuk dihet se sa kanë qenë në numër, çka do të thotë se kanë qenë të shumtë personat që kanë pasur dijeni mbi planin e të miturit për të qëlluar mbi Martinin. Martini ka dalë i vetëm nga porta e jashtme e shkollës dhe aty ka qenë duke e pritur Luisi, shoku me të cilin ndante fushën e blertë të futbollit.

Por edhe pse u tha në fillim se grupi i autorit ishin të paktën 5 persona, policia edhe pse kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja e rëndë, ende nuk e ka zbardhur as këtë detaj, që në fakt ngjarja është parë nga disa kalimtarë të rastit.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →