Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj thotë se në Shqipëri ka politikanë dhe ministra që nuk justifikojnë makinat dhe jo më vilat apo udhëtimet luksoze.
I ftuar në emisionin “Log” në News24, Shehaj u shpreh se edhe në perëndim ka politikanë që vjedhin, por jo kaq hapur.
Sipas tij kush vjedh në vendet Perëndimore kërkon falje dhe largohet me turp.
“Në perëndim vjedhjet nuk bëhen kaq haptas. Mjafton të shikosh jetën që bëjnë politikanë, ministra e deputetë, që nuk justifikojnë makinat jo më vilat dhe pushimet. Vjedhjet andej në perëndim ndodhin, por jo kaq haptazi dhe nuk ua plasin në fytyrë hajdutërinë e tyre. Atje kur të kapin ikën, kërkon falje dhe ikën me trup. Kurse këtu, jo thonë. Ma ka bërë ai apo ky”, tha deputeti Shehaj.
Teksa komentoi paraqitjen e Erion Veliajt në SPAK, Shehaj tha se ndryshe nga hera e parë që i quajti prokurorët kolegë, këtë herë i quajti sigurimsa.
“SPAK jo vetëm e ka seriozisht, por këta janë realisht të trembur dhe shumë shpejt mund të ketë zhvillime”, tha Agron Shehaj.