SPECIALE/ Finalet historike për titullin kampion, kur Partizani dhe Tirana e bënin dramë

speciale finalet historike per titullin kampion kur partizani dhe tirana e benin drame































NGA UVIL ZAJMI
Në historinë e kampionateve ko mbëtare në futbollin shqiptar, para dhe pas luftës, ndeshjet finale për titullin kampion kanë qenë disa ndër vite. Por, ato më të bujshme janë katër dhe pikërisht në sezonet 1957, 1961, 1966-1967 dhe 1999-2000. Fitues ka qenë dy herë Partizani dhe po aq Tirana (17 Nëntori i dikurshëm). Dy të zhvilluara në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, si dhe dy të tjerat në stadiumin “Dinamo” në kryeqytet, si dhe “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan.

VITI 1957. Arbitri Ramazan Kuka dhe dy kapitenët para finales Partizani-Dinamo

Tri të parat janë finale derbi kryeqytetase, me Partizanin, Dinamon dhe 17 Nëntorit. E fundit ka protagonist Tomorin e Beratit. Të katërt finalet janë drejtuar nga arbitra shqiptarë, madje dy prej tyre nga Ramiz dhe Bujar Pregja (babë e bir), por në kohë të ndryshme. Në disa raste, kur skuadrat kanë qenë me pikë të barabarta, titulli është dhënë edhe duke iu referuar një koeficienti të nxjerrë nga përpjestimi i golave të shënuar më ato të pësuar ose nga takimet direkte mes ekipeve përkatëse.

Ndërkohë, ajo që do të zhvillohet këtë të dielë (26 maj) në stadiumin “Air Albania” mes Partizanit dhe Egnatias, për të përcaktuar klubin kampion të sezonit 2023-2024 është pak ndryshe. Këtë sezon është aplikuar skema me “Final 4”. Një formulë e re që sjell edhe një risi, pasi finalja historike do të gjykohet nga anglezi Entoni Tejlor, ndërsa edhe asistentët e tij do të jenë britanikë. Bashkë me sistemin VAR, që aplikohet për herë të parë në një finale titulli, do të kemi një debutim arbitrash të huaj edhe për këtë mekanizëm në Shqipëri. “Panorama Sport” sjell për lexuesin katër ndeshjet finale për titull, nga viti 1957 dhe deri tek ajo e 2000- it mes Tiranës dhe Tomorit.

VITI 1957, KUR PARTIZANI SHPALLEJ KAMPION NË FINALE
E para finale titulli i takon vitit 1957, Partizani-Dinamo, një kampionat me tetë skuadra, me dy faza, që zhvillohet vetëm në pranverë. Një edicion, në të cilin do të përplasen tri here këto skuadra. Java e 5-të, Dinamo-Partizani 0- 1; Shënues: Resmja 85’; Arbitra: Ejup Laci, Besim Hamdiu, Sami Kotherja; Rreth 25.000 spektatorë. Dalllohen Duma, Jareci, Lubonja për Dinamon, si dhe Dedja, Resmja, Kraja, Çaushi për Partizanin, që patën mundësi edhe të shënonin. Resmja është shqetësim për mbrojtjen e Dinamos, që me Xhod Shaqirin kërkon ta frenojë. “Vjen minuta e 85-të, një top i dhënë nga Roza Haxhiu në krahun e majtë te Resmja, që avancoi me shpejtësi, duke mos gjetur ndonjë rezistencë, gjuajti me precizion për tokë, e shënuar golin e vetëm të ndeshjes. Gjykimi nga E.Laci ka qenë i mirë”-e mbyll shkrimin e tij Myslym Alla, trajner i Kategorisë së Parë në gazetën “Sporti”. Takimi i dytë, java e 12-të, faza e dytë, 2 qershor, sërish në “Qemal Stafa”. Partizani-Dinamo 2-1 (1-0). Arbitër: Besim Hamdiu. Asistentë: Ramazan Kuka e Shazivar Gruda. Shënues: Merja 36’, Jareci 62’, Resmja 78’.

Në komentin e tij në “Sporti”, Anton Mazreku, informon: “Në të 36- ën minutë, G.Merja gjuan fort prej një largësie 20 metrash dhe topi përfundon në rrjetë, pak nën shtyllën e sipërme. Pas pushimit, Dinamo ka iniciativën. Në minutën e 17-të, Lubonja ia pason topin Shaqirit, ky Tallushit, i cili kroson përpara portës, ndërhyn shumë bukur me kokë Jareci dhe topi përshëndet rrjetën, 1-1. Te Partizani, Baci zëvendëson Ndinin, ndërkohë që Lubonja vulos me një top të fortë shtyllën transversale. Një gjuajtje tjetër në portën e Dinamos, Beliu e pret topin, por nuk e mbërthen në gjoks, topi i ikën nga duart, Resmja me gjakfohtësi e zgjuarsi gjuan dhe topi përfundon në rrjetë”. 2-1 për Partizanin, kur kanë mbetur edhe dy javë dhe në renditje janë me pikë të barabarta (23 secila). Golavarazhi: 30-8 Dinamo dhe 37-10 Partizani). Rregullorja ka ndryshuar, jo me përpjestim golaverazhi, por ajo parashikon ndeshje finale për marrjen e titullit kampion në fund.

(26 qershor 1957)
PARTIZANI-DINAMO 3-1
GOLAT: G.Merja 29’, Kraja 74’, R.Haxhiu 75’/ Jareci 14’
PARTIZANI: Maliqati, Deliallisi, Fagu, M.Papadhopulli, Baci, G.Merja, Kraja, Ndini, R.Haxhiu, Resmja, Deda.
DINAMO: Beliu, Dashi, Reli, Alluni, Shaqiri (Lubonja), Sheshi, Tallushi, Duma, Jareci, Lubonja (Gjinali), Begeja.
GJYQTARË: R.Kuka, M.Laska, Sh.Gruda;

Deri në minutën 22-të Dinamo rrezikon portën e Partizanit me tre korne dhe një gjuajtje nga larg. Më e bukura ishte nga Duma. Në minutën e 14-t Dinamo shënon golin e vetëm me një goditje dënimi nga Jareci. Topi ndërron drejtimin, duke kaluar ndërmjet barikadës dhe shkakton spostimin e portierit. Partizani mobilizohet dhe pas ekzekutimit të kornerit të tretë nga Deda, në minutën e 29-të, G.Merja shënon nga pak metra golin e barazimit. Presioni i madh i të kuqve vazhdon edhe gjatë pjesës së dytë, kur në minutën e 29-të, ushtarakët kalojnë në avantazh me anë të Krajës dhe një minutë më vonë R.Haxhiu shënon golin e tretë.

Ndeshja përfundoi me fitoren e merituar 3-1 të Partizanit. Ajo u drejtua mirë nga R.Kuka. Në përfundim, skuadrat u rreshtuan para tribunës qëndrore, ku, pas përshëndetjes së shokut Kiço Karaguni, drejtor i Drejtorisë së Fiskulturës, ekipit fitues iu dorëzua kupa. Lojtarët morën diplomat dhe medaljet e kampionatit të vitit 1957.

VITI 1961, TROFEU ME “GOLDEN GOAL” NGA PANAJOT PANO
Një tjetër finale për titullin kampion, por këtë herë dramatike dhe me “Golden Goal”- in përcaktues është ajo e vitit 1961. Me 10 skuadra, me dy faza, vetëm në pranverë, në atë edicion Partizani-Dinamo do të përballen pesë herë: Një për Kongresin e 4-t të Partisë dhe një për Kupën e KSHM-të Paqes.

11 shkurt, Partizani-Dinamo 3-0 (1-0).
Golat: Resmja, Resmja, Resmja.
Arbitrojnë: Hysen Hysenaj, Mihallaq Tiko, Hysen Lika.

9 prill, po në stadiumin “Dinamo”, faza e parë java e 7- të,
Partizani-Dinamo 3-1 (1-1).
Golat: Bespalla (D), Bukoviku, Resmja, Jashari.
Arbitrojnë: Besim Hamdiu, Agim Lika, Hysen Cenoymeri.

Faza e dytë, javë e 16-të, 20.00 spektatorë në stadiumin “Dinamo”, i pranishëm edhe Enver Hoxha,
Dinamo-Partizani 2-1.
Shënues: Lubonja, Jareci, Seferi.
Në renditje, Partizani 27, Dinamo 26 pikë.

Java e 17-të, Partizani barazon 2-2 me 17 Nëntorin dhe kemi barazim pikësh 30-të në klasifikim. Partizani (14 fitore-2 barazime-2 humbje; Golavarazh: 46-13), Dinamo (14 fitore-2 barazime2 humbje; Golavarazh: 41-12). Për titullin do të luhet takimi final.

(29 qershor 1961)
DINAMO-PARTIZANI 1-1
Shënues: Lubonja 118’ / Resmja 117’
Dinamo: Qoshja, Caushi, S.Halili, Alluni, H.Verria, N.Jareci, Vorfi, Bespalla, Bushati (S.Jareci), Lubonja, Duro.
Partizani: Maliqati, Deliallisi, M.Papadhpoulli, Dingu, Ndini, Merja, Kraja (T.Shehu), Bukoviku, Pano, Resmja Jashari.
Arbitra: B.Hamdiu, A.Lika, H.Cenoymeri;

E enjte, jo në “Qemal Stafa”, (i mbyllur për rikonstruktim), por në stadiumin e ri të sapondërtur, “Dinamo”, do të luhen ato 242 minuta dramatike. Përballja e parë, një 90-të minutësh i mbyllur në barazim, 0-0. Në shtesën 2 herë nga 30, minuta e 117-të, Resmja ka marrë një top nga thellësia, avancon drejt portës së Qoshes, afrohet, godet dhe topi përfundon në rrjetë. Kur mendohej se loja do të mbyllej me fitoten e Partizanit, vetëm pak çaste para mbarimit, Stavri Lubonja me një gjuajtje nga larg do të barazojë 1-1.

Partizani, kampion i Shqipërisë në vitin 1961

Nuk ka fitues dhe sipas rregullores së ideuar nga një strateg si Anton Mazreku, do të zhvillohet një tjetër takim. Në rast barazimi, do të luhen shtesa dy herë nga 15 minuta dhe nëse rezultatitai nuk ndryshon, do të luhet koha e tretë shtesë prej 15 minutash. Kush skuadër shënon e para, ndeshja do të mbyllet menjëherë dhe ajo do të shpallet fituese. Nëse nuk do të ketë fitues edhe pas kohës së tretë, në përfundim të saj nga arbitri do të hidhet shorti. E dielë, 2 korrik 1961, sërish në stadiumin “Dinamo”, të tejmbushur Partizani-Dinamo 1- 0, një ndeshje, ku nuk do të mjaftojnë as 90-të, as 120 minuta lojë, por dy minutat e para të shtesës së tretë që do të përcaktojë Partizanin kampion.

Viti 1961. Partizani-Dinamo 1-1, goli i barazimit të Stavri Lubonjës për blutë

Një takim ku spikasin S.Jareci, M.Bushati, Pano, Seferaj S.Halili. Goli: Minuta e 122-të, Panajot Pano do të shënojë golin e fitores. Një aksion nga krahu i majtë i sulmit të Partizanit, nga porta jugore, Pano me zgjuarsi gjuan fort, shënon dhe ngre në këmbë tifozërinë e zjarrtë. Loja ndalon dhe Partizani me “Golden Goal” shpallet kampion. Alfred Kazanaxhiu, anëtar i Komisionit Qëndror i dorëzon ekipit kampion dhe rezervave flamurët dhe medaljet. Ndeshja u gjykua mjaft mirë nga Hysen Hysenaj, me dy ndihmësit e tij, Shazivar Gruda dhe Mihallaq Tiko.

SEZONI 1965-1966, 17 NËNTORI KAMPION DY HERË RADHAZI
Në kampionatin e sezonit 1965-1966 marrin pjesë 12 skuadra, me 17 Nëntorin mbajtës të titullit. Në fazën e parë, tetor 1965, Partizani triumfon 1-0 me golin Qoljes, një ndeshje e rivalizuar, plot tension, e dominuar nga bardheblutë, por me Jankun, në portë, që ndal çdo tentativë. Është takimi që kujtohet me “shembjen e stadiumit”, kur ishin vetëm disa rrallë druri në sektorin përballë që u palosën. Ndeshja u ndërpre për disa minuta, por nuk pati të dëmtuar.

Në Kupën e Republikës 1966, në gjysmëfinale,
Partizani-17 Nëntori 2-0 (Jashari, Pano).
Arbitra ishin A.Papadhopulli, Xh.Rexhepi dhe G.Sheshi.

Në të dytën, 17 Nëntori-Partizani 2-1 (Bukoviku, Jashari (p), O. Mema).
Arbitra: M.Mina, F.Dervishi, K.Bekridheli.

Partizani kualifikohet dhe në finale duke mundur Vllazninë, merr trofeun. Takimi i fazës së dytë, java e 17-të, 17 Nëntori fiton 2-1, ka kalim në renditje, por në përfundim pas 22 javësh çështja e titullit kampion mbetet e pazgjidhur, pasi të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta, 38. (17 Nëntori 18 fitore, 2 barazime, 2 humbje; Golat: 53-14), ndërsa Partizani 17 fitore, 4 barazime, 1 humbje; Golat: 45-12). Sënuesit më të mirë janë: I.Çeço i Dinamos dhe R.Jashari i Partizanit, me 13 gola. Pas tyre Selami Dani i Vllaznisë me 11. Për titullin kampion, rregullorja e FSHF-së ka përcaktuar ndeshje finale. Në “Qemal Stafa” e dielë, 12 qershor 1966, ora 16:00, 17 Nëntori mund 2-1 Partizanin, duke u shpallur kampion për të dytin vit rradhazi.

(12 qershor 1966)
17 NËNTORI-PARTIZANI 2-1
SHËNUES: Kazanxhi 51’, Ishka 60’ / Jashari 77’
17 NËNTORI: Tafaj, Frashëri, Halili, O.Mema, A.Mema, Bylyku, Xhaçka (Gjoka), Bukoviku, Kazanxhi, Hyka, Ishka. Trajner: Myslim Alla
PARTIZANI: Janku, Deliallisi, Gjika, Vaso, Rragami, Jashari, Andoni, M.Haxhiu, Pano, T.Shehu. Trajner: Robert Spahiu.
Gjyqtarë: Ramiz Pregja, Gole Sheshi, Tomson Neviri;

“Në një stadium të zbukuruar, një ndeshje fanale që ngjalli interesim të madh dhe mbajti në emocion të plotë jo vetëm futbollistët, trajnerët, por edhe mijëra amatorë të futbollit. Partizani me variantin 4-4-2 dhe 17 Nëntori 3- 3-4. Në një nga aksionet më të bukura të ndeshes, vetëm ndërhyrja vendimtare e Tafajt, mundi të evitojë tundjen e rrjetës, duke e përcjellë në korne topin e gjuajtur me forcë nga Jashari. Në minutat 25 dhe 29, tiranasit patën dy raste të mira shënimi: Ishka përfitoi nga një gabim i Deliallisit dhe e vuri Xhaçkën në pozicion shënimi, por ky u vonua. Në rastin tjetër, Bukoviku depërtoi me një aksion të bukur, gjuajti fort, por Janku e shpëtoi portën. 0-0 pjesa e parë.

17 Nëntori, kampion në vitin 1966

Në të dytën, në minutën e 51-të, qendrëmbrojtësi Gjika nuk mundi të godasë një top. Xhaçka përfitoi nga ky gabim dhe i ndodhur ballë për ballë me portierin, gjuajti fort, por nuk mundi të shënojë për arsye se Janku u hodh në planzhon dhe e zbrapsi topin. Kazanxhiu i pambuluar goditi në portën e hapur, topi u përplas në shtyllën pingule dhe kaloi vijën fatale. Gol 1-0 për 17 Nëntorin. Pas 5 minutash, Jashari pati rastin më të mirë për të barazuar, kur nga një distancë e afërt, ai goditi vetë rrjetën e jashtme. Në minutën e 60- të, Ishka gjuan keq nga afër dhe nuk arrin të konkludojë, kurse dy minuta më vonë ai e shleu “gabimin”, duke shënuar golin e dytë në këto rrethana: “Bukoviku krosoi një top në zonën e rreptësisë, Janku bëri një dalje të gabuar dhe Ishka e goditi topin me kokë, duke e dërguar në rrjetë”.

Finalja e vitit 1966, 17 Nëntori-Partizani 2-1. Arbitri Ramiz Pregja me dy asistentët para fillimit të lojës

Në 20 minutat e fundit, 17 Nëntori u kufizua vetëm me ruajtjen e rezultatit, që u shfrytëzua nga Partizani. Pas dy aksioneve të përfunduara me gjuajtje të Haxhiut e Jasharit, ai gjen rrugën e rrjetës. Në minutën e 77-të, pas një kombinimi të bukur Pano-Rragami-Jashari, ky i fundit realizoi të vetmin gol për ushtarakët. 2-1 për 17 Nëntorin, që merr titullin për të dytin vit radhazi. Në ceremoninë e zhvilluar në emër të Kryesisë së FSHF-së, anëtari i saj, Loro Boriçi, i dorëzoi kapitenit Fatmir Frashëri, trajnerit Myslym Alla dhe futbollistëve, medaljet dhe diplomat e kampionit”, përfundon shkrimin korrespodenti i “Sporti Popullor”.

SEZONI 1999-2000, NGA TRAGJEDIA TE PENALLTITË NË ELBASAN
Në sezonin 1999-2000, Tirana dhe Tomori e përfundojnë në kuotën e 52 pikëve dhe për titullin kampion luhet një finale në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Por, një situatë e tensionuar e paraprin takimin, shoqëruar me dy ngjarje të rënda që do të mbulojn në zi futbollin shqiptar. Disa ditë më parë, në përfundim të ndeshjes Partizani-Tomori, e zhvilluar në stadumin “Dinamo”, në afërsi të tij, janë qëlluar për vdekje me armë zjarri Ardian Çobo, president i klubit Tomori dhe arbitri i FIFA-s, Luan Zylfo. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, do të luhej luhej finalja në Elbasan, që e arbitron Bujar Pregja nga Tirana. Ndonëse para takimit do të bëhej hedhja në short e arbitrave, pati një kërkesë të vetë klubeve për arbitrin Pregja, nisur nga eksperienca e tij. Ka një koincidencë historike: Kjo është finalja e dytë që do të drejtohet nga një Pregja, Bujari, djali i të mirënjohurit Ramiz Pregja, arbitër në finalen Partizani-17 Nëntori më 1966. Të dy mbajtën stemën e FIFA-s.

(28 maj 2000, Elbasan)
TIRANA-TOMORI 1-1 (5-4 p)
SHËNUES: Rizvanolli 57’ / Dede 88’ (aut)
TIRANA: Nallbani, Sina, Alimehemti, Dabulla, Driza, Dede, Tafaj, E.Bulku (Memishi 56’), Kenesei, Vito (Sutori 94’), Rizvanolli (Riza 58’).
Trajner: Shkëlqim Muça
TOMORI: Muzhai, Dino, Fani (Gega 76’), Deliu, Aliaj, Lako, Rustami, Gjata (Hasa 58’), Jahja (Tabaku 58’), Maloku, Arbëri.
Trajner: K.Mile
ARBITRA: B.Pregja (Tiranë), Ë.Pjetrushi (Lezhë), A.Mali (Patos);
PENALLTITË: Hasa (pret Nallbani; Lako+, Gega+. Arbëri+, Muzhai+ për Tomorin; Alimehmeti +, Keneshei+, Memishi+, Sina + (Tirana);

Data është 28 maj 2000 dhe ka masa të mëdha sigurie në Elbasan, në një stadium të tejmbushur me tifozeritë e ardhura nga të dyja qytetet. Kishte një angazhim total nga forcat e rendit, me komisar Edmond Kosenin, oficerin e njohur në krye. Ishin ata që siguruan një mjedis mjaft të përshtatshëm për zhvillimin e një finaleje të rëndësishme. Fitoi Tirana, por titullin mund ta merrte edhe Tomori, që në fakt polemizoi shumë si klub para ndeshjes për rregulloren, pasi pretendonte se gjithçka duhej të bazohej te ndeshjet direkte.

Kapitenët Alimehmeti dhe Muzhaj, si dhe arbitrat Pregja, Velçani dhe Mali, para ndeshjes TiranaTomori 1-1 në vitin 2000.

Një maratonë që zgjati 120 minuta dhe përcaktuese ishte humbja e një penalltie nga beratasit, që i dhanë trofen Tiranës. 45-minutat e para u mbyllën të bardha. Në të dytën, Rizvanolli shënon për tiranasit. U duk se do të ishte goli i titullit kur Tomori mbeti në fushë me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Aliaj. Kur kishin mbetur edhe dy minuta lojë, Dede në orvajtje për të larguar topin shkakton autogol pas duelit ajëror me Arbërin. Stadiumi shpërthen dhe tek beratasit rikthehet shpresa e humbur. Ndeshja mbyllet 1-1 dhe më pas luhet shtesa dy herë nga 15 minuta.

Ka ankth dhe emocion, por rezultati nuk ndryshon. Gjithçka shkon te 11-metërshat, ndërsa gabon i pari Hasa, gjuajtjen e të cilit e pret Nallbani. Ndërkohë penalltinë e fundit e realizon Dede, që “ndreq” gabimin e autogolit. 5-4 për Tiranën dhe titulli i 19-të i saj. Në ceremoninë e zhvilluar, Miço Papadhopulli, president i FSHF-së, i dorëzon kapitenit Alimehmeti kupën dhe futbollistëve të tjerë medaljet e kampionit.

Vërshëllima e britanikëve, nga Okli Hill tek Entoni Tejlor

Ajo e nënkolonelit anglez, Dajrell Okli-Hill, mbetet një histori e rrallë. Ka qenë viti 1929 kur Okli Hill erdhi për herë të parë në Shqipëri, i shoqëruar nga gruaja Rozamonda. Fillimisht u vendos në Elbasan, pastaj në Tiranë, e në vite ai mësoi të fliste mirë edhe shqip. Në librin autobiogarfik të tij “Një anglez në Shqipëri”, ai shkruan:

“Nga viti 1930-1931 unë pata një kohë të mbushur plot me ngjarje si arbitër i ndeshjeve të futbollit. Takime të tensionuara, rivalitet dhe ngjarje të pazakonta. Mospranimi i vendimeve, braktisje të takimeve, refuzime deri te kundërshtimi popullor korçar për të mos luajtur me Tiranën. Ndeshjet luheshin verës dhe vetëm ditëve të diela. Mua m’u desh të udhëtoja gjithomë me avion, shërbimi ajëror italian një monoplan të vogël gjerman, me katër vende pasagjerësh. Futbollistët shqiptarë kishin një ide fare të mirë për lojën, në mënyrën se si luhej dhe demonstronin një futboll energjik e të pastër. Vështirësia e tyre ishte që ata ndjeheshin të fyer kur e mendonin se ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë.

Kishte pak faulla të bërë më dashje, por kishte dënime ose penalltira të pashmangëshme që duheshin dhënë ose duheshin anuluar gola të padrejtë dhe në raste të tilla lojtarët e dënuar, jo vetëm që kundërshtonin në mënyrë energjike, por e kishin zakon edhe të largoheshin nga fusha. Ishte instikti i dyshimit ose i favorizimit”. Pastaj, ai flet për rastin kur Tirana braktisi lojën:

“Incidenti më i keq më ndodhi në Tiranë, kur skuadra vendore po luante me Shkodrën. Fusha ishte si në një stadium modern me tribuna rreth e qark. Gjatë ndeshjes në zonën e portës të Tiranës u bë një pështjellim dhe në mes të atij lëmshi të madh, unë nuk pata asnjë dyshim e për rrjedhojë dhashë penallti. E gjitha skuadra e Tiranës u grumbullua rreth meje duke protestuar e diskutuar. Unë ngula këmbë në vendimin tim dhe dhashë shpjegimet përkatëse, por ata u larguan nga fusha. Atëherë unë ndalova lojën dhe dola edhe vetë jashtë.

Koloneli Okli Hill, që arbitroi ndeshje futbolli në Shqipërinë e vitit 1929

Në dhomën e zhveshjes xhandarët formuan menjëherë një barikadë rreth meje për të më mbrojtur, pastaj më hypën në një makinë dhe më dërguan në shtëpi. Natyrisht që unë ia raportova çështjen komitetit drejtues dhe fitorja iu dha Shkodrës”. Por, historia e Hill, arbitrit britanik me gradën kolonel nuk ndalet këtu, për të vijuar në Shkodër, me një tjetër ngjarje: “Fama ime në Shkodër, edhe pse më parë e madhe, ishte rritur dhe në ndeshjen pasardhëse. Skuadra e këtij qyteti e pranoi vetëm me pak ulurima vendimin tim për të dhënë një penallti kundër tyre.

Viti 1938, tetor, O.Hill u largua nga Shqipëria. Pas gati një shekulli, një tjetër britanik do të vijë në Shqipëri. Entoni Tejlor, arbitër i Premier League nga viti 2010 dhe i FIFA-s prej 2013, gjykon këtë të dielë të 26 majit finalen e titullit kampion në Shqipëri, Partizani-Egnatia. Më 2010 do të caktohet të drejtojë finalen e Superkupës, Bajern-Sevija. Për të vijuar me fazën finale “Euro 2020”. Arbitër i finales “UEFA National League 2020-2023”, Spanjë-Francë. Më 2023, drejton finalen e Kupës së Botës për klube FIFA 2022, Real Madrid-Al Hilal. Ndërsa më 23 maj 2023 arbitron edhe finalen e “Europa League”, SevijaRoma. 46-vjeçari Tejlor është zgjedhur edhe për fazën finale të “Euro 2024”.

Kontakti i vetëm i Tejlor me futbollin shqiptar është takimi Çeki-Shqipëri 1-1 në vitin e kaluar për eliminatoret e Europianit 2024. Tejlor ka qenë gjithashtu arbitër në Danimarkë-Finlandë, një takim që i përket historisë, lidhur me episodin që goditi futbollistin Kristian Eriksen në fushën e lojës. Tashmë, pas Oli Hill në shekullin e kaluar, i takon Entoni Tejlorit të jetë briatniku i dytë në shekullin e ri, që do të vërshëllejë në një ndeshje në këtë rast në një finale të futbollit shqiptar.

PANORAMASPROT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →