SPECIALE/ Pas 24 vitesh hapen bizneset e para shqiptare në Mitrovicën e Veriut, News 24 sjell dëshmitë e banorëve: Kemi shumë klientë serbë

speciale pas 24 vitesh hapen bizneset e para shqiptare ne mitrovicen e veriut news 24 sjell deshmite e banoreve kemi shume kliente serbe
speciale pas 24 vitesh hapen bizneset e para shqiptare ne mitrovicen e veriut news 24 sjell deshmite e banoreve kemi shume kliente serbe

Në Mitrovicën e Veriut, duket se situata po ndryshon. Të parat biznese shqiptare pas 24 vitesh sapo kanë çelur dyert, duke bërë atë që nuk po e bën dot politika, heqjen e barrikadave që e ndajnë qytetin në dy pjesë.

Gazetari i News24 Renaldo Salianji ishte në Mitrovicën e Veriut ku bisedoi me pronarët e bizneseve të sapo hapura, qytetarë dhe kryetarin e Komunës dhe na sjell një panoramë të asaj që po ndodh në qytetin e ndarë në dy pjesë, nga barrikada dhe ushtarët e KFOR-it.

Ura e Ibrit është ndoshta e vetmja urë në botë që nuk shërben për t’i lidhur dy brigjet e një lumi, por për t’i ndarë ato.

Në pjesën veriore të urës, qëndron 24 orë një autokolonë e misionit të KFOR-it. Politika ndër vite ka dështuar të gjejë gjuhën për heqjen e këtyre blloqeve të betonit, por në këtë rast, atë që nuk e ka bërë politika e ka bërë biznesi.
Mes flamujve serbë të dalë boje në shëtitore, që qëndrojnë aty si dëshmitarë të rreckosur të një të shkuare konfliktuale jo shumë të largët në këtë pjesë të shtetit të Kosovës, shkrimeve se ky vend është tokë serbe, dhe shikimeve kërcënuese të një pjese, e neutrale të një pjese tjetër, disa biznese të Kosovës kanë hapur filialet e tyre.

Me sa duket, një pjesë e serbëve shqiptarët nuk i duan, por ëmbëlsirat e shqiptarëve i kanë të preferuara. Administratori i Ëmbëltore Misssini, Vesel Abdullahu, thotë se në Mitrovicën e jugut ka shumë klientë sebë, që vijnë nga kjo pjesë e qytetit, prandaj edhe vendosi të hapë një pikë në veri të Mitrovicës.

Dita e parë ka kaluar e qetë dhe pa asnjë incident pohon Abdullahu, me shpresën që edhe ditët e tjera të jenë kështu.
Xhaferr Tortoshi, i cili 70 vitet e jetës së tij i ka kaluar në Mitrovicën e veriut, nuk e fsheh dot gëzimin që bizneset shqiptare tashmë kanë hyrë në këtë pjesë të qytetit.

Izet Tahiri ka ardhur nga Mitrovica e jugut të pijë kafe në veri dhe na fton t’i bashkohemi në tavolinë.

E ka pritur 24 vjet këtë moment, dhe i fton edhe shqiptaret e tjerë të jugut, të mbështësin bizneset shqiptare.

Nuk ka asnjë pritshmëri nga serbët e veriut, por vetëm nga institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat sipas tij e kanë bërë këtë vend më sigurtë.

Edhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut Erden Atiq, i pari shqiptar në krye të kësaj komune, ia atribuon hapjen e këtyre bizneseve, sigurisë më të shtuar që ofron tashmë veriu.

Biznese të tjera do të hapen në të ardhmen thotë Atiq, e po ashtu edhe institucione, siç është rasti i Postës së Kosovës, që pas 24 vitesh, ka çelur filialin e saj në Mitrovicën e Veriut.

Por megjithatë, jo të gjithë serbët e pranojnë këtë realitet të ri. Nën flamujt e dalë boje të nacionalizimit, një grup i vogël serbësh, përpjekjet për frikësim, i kanë kaluar nga shqiptarët, te bashkëkombësit e tyre.

E vetmja gjë që kërkojnë tani shqiptarët e Mitrovicës është hapja e urës mbi Lumin Ibër. Për kryetarin Atiq, nuk do të jetë e largët edhe heqja e këtyre barrikadave.

Deri sa kjo të ndodhë, edhe ata serbë që ushqejnë akoma idenë e një pushtimi të ri, ndoshta do të ëmbëlsohen nga tortat e Misinit, e bashkë më flamujt që zbehen në shëtitoren “Petri i Parë”, do të zbehet edhe ideja e ushqyer nga politika, për një luftë të re.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co