Akademik, Prof. ANASTAS ANGJELI
Banka e Shqipërisë, si një institucion i pavarur, nga më të rëndësishmit në vend, ka luajtur dhe luan një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin financiar në vend, me ndikim në zhvillimin dhe progresin ekonomik e social të tij. Kjo, përmes veprimtarisë, rolit dhe misionit të saj, të cilat kanë ardhur duke u përsosur vazhdimisht, reformimit të saj paralelisht me reformimin e vendit tonë në të gjitha fushat, në veçanti në ato ekonomike e financiare dhe bashkëpunimit të suksesshëm me institucionet e tjera shtetërore dh e të qeverisë, si dhe ato financiare ndërkombëtare, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.
RRUGËTIMI REFORMUES I BANKËS SË SHQIPËRISË
Banka e Shqipërisë ka kaluar një proces të rëndësishëm dhe të suksesshëm transformimi përmes disa reformave institucionale, strukturore, të kuadrit ligjor dhe të kapitalit human, pikat më kulmore të së cilës kanë qenë:
Së pari, adoptimi në vitin 1992 i një sistemi bankar me dy nivele, ku Banka e Shqipërisë mori rolin dhe detyrat e një banke qendrore, ndërsa segmentet e tjera të sistemit financiar shqiptar u konvertuan në institucione financiare tregtare, e kryesisht banka, me kapital shtetëror.
Së dyti, pas zhvillimeve të vrullshme dhe shpesh kaotike të periudhës 1992-1997, ku veçohen bilancet e rënduara nga kreditë me probleme në bankat me kapital shtetëror, kriza financiare e shoqërore që pasoi skemat piramidale, hapat e para për lindjen e bankave private, u shënua një hap tjetër i rëndësishëm për thellimin e reformës në sistemin financiar shqiptar. Ndryshimet ligjore në Ligjin për Bankën e Shqipërisë në vitin 1997, e sanksionuan BSH si një bankë moderne qendrore të mbështetur në parimet më të mira bashkëkohore. Ajo u konceptua si autoritet monetar, i ngarkuar me emetimin e kartëmonedhës dhe hartimin e zbatimin e politikës monetare, si autoritet mbikëqyrës dhe rregullator i sistemit bankar, si edhe si agjent i rëndësishëm nxitës dhe zhvillimor i tregut dhe sistemit financiar shqiptar. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë ka një mision të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. Ajo është e ngarkuar me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, si elementi më i rëndësishëm i stabilitetit financiar të një ekonomie, si edhe me zhvillimin e një sistemi bankar efecient dhe të qëndrueshëm, i cili garanton kursimet e qytetarëve shqiptarë dhe nëpërmjet kreditimit, mbështet rritjen e investimeve dhe të konsumit dhe të ekonomisë në tërësi.
Janë këto arsye, që e bëjnë esencial rolin e bankave qendrore në ekonomi. Po ashtu, pikërisht për këto arsye, bankat qendrore gëzojnë pavarësi institucionale, si dhe investojnë në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e profesionalizmit, përgjegjshmërisë dhe transparencës së tyre.
Në këtë kontekst, më duhet të theksoj se Banka e Shqipërisë ka bërë progres të vazhdueshëm dhe ka tashmë tiparet e një banke qendrore moderne europiane. Ajo ka një kuadër bashkëkohor teorik dhe operacional të politikës monetare, si dhe një shkallë të lartë konvergjence me standardet mbikëqyrëse dhe rregullatorë të sistemit europian të bankave qendrore.
Banka e Shqipërisë ka përmbushur me sukses misionin e saj kushtetues dhe ligjor. Në veçanti, inflacioni gjatë dekadës së fundit (2014-2024) ka qëndruar në nivelin mesatar prej 2.4%, duke mbetur pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% dhe duke ofruar një mjedis ekonomik me çmime të qëndrueshme. Kjo arritje është edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se gjatë kësaj periudhe jemi përballur me sfida jo të pakta, si kriza e borxhit sovran në Eurozonë, pandemia e viteve 2020- 2021 dhe goditja e çmimeve në tregjet botërore gjatë viteve 2022- 2023, sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë. Po ashtu, ajo ka ndihmuar në rritjen e besimit të publikut ndaj monedhës sonë kombëtare dhe ndaj bankave.
Kjo ecuri është dëshmi e një kuadri bashkëkohor teorik, analitik dhe operacional, si dhe e profesionalizmit në rritje të institucionit. Ky kuadër ka mundësuar administrimin me sukses të një tjetër goditjeje gjatë periudhës 2023-2024.
Të gjithë jemi dëshmitarë të forcimit që ka pasur monedha jonë kombëtare në raportin e këmbimit të saj ndaj monedhave të tjera, e veçanërisht të euros. Arsyet e këtij forcimi duket se qëndrojnë në rritjen e ofertës së valutës në treg, me burim primar të ardhurat nga turizmi te, nga rritja e investimeve të huaja në vend (IHD), nga remitancat (të cilat në 6-mujorin e parë të këtij viti u rritën 14.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur shumen 510 milionë euro) dhe hyrjet informale të valutës etj.) Megjithatë, në përputhje me parimet e politikës sonë monetare dhe regjimin e lirë të kursit të këmbimit, ky fluks i lartë valute në ekonomi nuk u transmetua në rritje të çmimeve, por u absorbua nëpërmjet forcimit të kursit të këmbimit.
Po cilat janë anët pozitive dhe negative të mbiçmimit të monedhës sonë kombëtare?
Pavarësisht problemeve që ka shkaktuar në segmente të veçanta të ekonomisë shqiptare, forcimi i kursit të këmbimit, në këtë situatë, ka qenë mënyra më e mirë e absorbimit të rritjes së ofertës valutore.
Së pari, ai ndihmoi në kontrollin e inflacionit, duke mos përcjellë barrën e rritjes të ofertës monetare mbi familjet dhe konsumatorin shqiptar. Në muajin gusht të këtij viti arriti në nivelin 2%,duke tejkaluar parashikimin për arritjen e këtij objektivi.
Së dyti, ai ndihmoi në mbajtjen në nivele të ulëta të normës bazë së interesit, duke mos rritur kostot e financimit për bizneset dhe duke krijuar premisa për trendin e mirë të kreditimit, që po përjetojmë. Gjej me vend të veçoj se ka më shumë se një vit që kredia në lekë është kontribuuesi kryesor i zgjerimit të kreditimit për sektorin privat. Kështu, kredia në lekë është rritur mesatarisht me 20% vit mbi vit për gjashtë muajt e parë të vitit, ndërkohë që ajo në valutë ka shfaqur ngadalësim të normës së rritjes vjetore në 5% për të njëjtën periudhë. Krahas zgjerimit të shpejtë të kërkesës për kredi të sektorit privat, në këtë ecuri ka ndihmuar edhe rënia e ndjeshme e diferencës së normave të interesit në lekë kundrejt asaj në valutë – më konkretisht në euro. Kështu, dhjetë vite më parë kjo diferencë ishte mesatarisht rreth 2 pp, ndërsa aktualisht ajo është pothuajse zero (0.1 pp mesatare e vitit 2024). Në segmente të caktuara, si ajo e kredisë hipotekore, kosto e kredisë në lekë është edhe më e ulët se ajo në euro me rreth 1.3 pp më pak. Ngushtimi i ndjeshëm i diferencialit të normave të interesit lekë-euro, i mbështetur edhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit, solli në shfaqjen e një fenomeni të ri, atë të zhvendosjes së portofoleve të kredisë nga euro në lekë. Shumë biznese dhe individë zhvendosën ekspozimet e tyre afatgjata kredimarrëse në sektorin bankar nga euro në lekë. Këto zhvillime kanë ndikuar në zhvendosjen strukturore të portofolit të kredisë nga valutë drejt lekut, duke bërë që në muajin qershor kredia në lekë përbënte 57.3% të totalit të kredisë së sektorit privat, krahasuar me 41% që ishte në fund të vitit 2015. Vlen të theksohet gjithashtu se vetëm 6-mujorin e parë të këtij viti kredia e sistemit bankar arriti në shumën e 268 milionë lekë, duke pasur një qëndrueshmëri të kredive me probleme.
Së treti, ai ndihmoi në uljen e borxhit të brendshëm dhe të huaj të vendit, duke përmirësuar ekuilibrat makroekonomike dhe duke sjellë një reduktim strukturor të kostove të financimit. Më konkretisht, borxhi i huaj ka ndjekur një trajektore rënëse prej vitit 2015; me përjashtim të vitit të pandemisë. Raporti i borxhit të huaj ndaj PBBsë është pakësuar ndjeshëm, duke zbritur nga 74.4% në fund të vitit 2015, në 46.8% në tremujorin e parë të vitit 2024. Rritja e qëndrueshme e aktivitetit ekonomik, orientimi i politikës fiskale drejt kahut konsolidues dhe përmirësimi i balancave kursime-investime, si në sektorin publik, ashtu edhe atë privat, kanë qenë faktorë kryesor në këtë ecuri, të ndihmuar edhe nga mbiçmimi i lartë kursit të këmbimit gjatë kësaj periudhe. Në të njëjtën periudhë, borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse, e mbështetur nga ndjekja e një politike fiskale konsoliduesi dhe rritja e shpejtë e aktivitetit ekonomik në vend. Kështu, borxhi publik në vitin 2023 u vlerësua në 58.9% të PBBsë, me një rënie prej 14 pikë përqindjeje në dekadën e fundit.
Së katërti, nuk duhet nënvlerësuar dhe fakti që punonjësit e administratës publike dhe pjesa dominuese e sektorit privat shpërblehen për punën e tyre (paga) në lek, të mbivlerësuar. E parë kjo dhe me rritjen e pagave dy vitet e fundit në këta sektorë (12-15%), ndikimi në buxhetet familjare është në kahjen pozitive.
Së fundi, më duhet të theksoj se të gjitha ndërhyrjet monetare të Bankës së Shqipërisë gjatë goditjeve të fundit kanë qenë në kahun, në kohën dhe në masën e duhur, duke mos cenuar, përkundrazi, duke mbështetur pozitivisht zhvillimin ekonomik të vendit. Ekonomia shqiptare ka një rritje solide, në nivelin 3.5-4%, papunësia qëndron në nivele minimale historike, prej 10.7%, rritja e pagave në sektorin privat është e konsiderueshme, në intervalin 12-15%, ndërsa bilancet e bizneseve dhe të sektorit bankar nuk kanë qenë kurrë më likuide dhe solide.
Natyrisht që mbiçmimi i lekut në raport me valutat e huaja, sidomos me monedhën euro ka ndikuar negativisht te kompanitë eksportuese dhe depozituesit që i kanë depozitat në euro etj.. Por, parë në vështrimin e të gjithë elementeve, kjo ngjarje monetare duhet konsideruar përgjithësisht me ndikim pozitiv, për stabilizimin e situatës post-COVID dhe veçanërisht në kushtet e krizës së çmimeve dhe të inflacionit nga lufta në Ukrainë. Natyrisht, në aspektin afatmesëm, në vartësi të ndikimit të inflacionit të jashtëm, të akomodimit më të mirë e të plotë të zhvillimeve strukturore në ekonomi, veçanërisht të sektorit të turizmit (6-mujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga turizmi arritën në 2 miliardë euro) dhe të përdorimit të politikës monetare me ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik, mund të ketë një ekuilibër të ri të kursit të lekut me valutat e huaja. Këtu duhet konsideruar edhe strategjia e deuroizimit, për të cilën Banka e Shqipërisë po i plotëson objektivat e kësaj strategjie, ndërsa aktorët e tjerë, pjesë e kësaj strategjie, duhet të tregojnë më shumë angazhim.
Thënë të gjitha këto, jam i sigurt se publiku ka nevojë për një gjuhë komunikimi dhe sqarimi të këtij fenomeni, në mënyrë më të thjeshtë, pavarësisht nga “Kornizat profesionale” të bankierëve.
Kështu, stabiliteti monetar, i kuptuar si një mjedis ekonomik me çmime të qëndrueshme dhe stabiliteti financiar, i kuptuar si një mjedis financiar, i cili mundëson qarkullimin e lirë dhe me kosto të ulëta të flukseve financiare dhe të kredisë janë një kontribut konkret dhe i pazëvendësueshëm që Banka e Shqipërisë jep për zhvillimin e vendit.
Së pari, politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve mundësojnë krijimin e kursimeve të nevojshme dhe me kosto të ulëta në ekonomi. Këto kursime, të cilat në shumicën e tyre depozitohen në banka, shërbejnë me tej si kapital financiar për kreditimin e ekonomisë.
Së dyti dhe në të njëjtën linjë, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar janë parakusht i një sistemi bankar të shëndetshëm, të besueshëm dhe eficient, i cili mundëson një transformim eficient të kursimeve në kredi.
Së treti, nëpërmjet zhvillimit të sistemit të pagesave dhe ngritjes së infrastrukturës plotësuese të kredisë, si Regjistrit të Kredisë dhe institucioneve financiare jo-banka, të cilat kryejnë detyra specifike në sistem, Banka e Shqipërisë mundëson uljen e rrezikut të kredisë dhe për rrjedhojë të kostos së saj.
Të tria këto dimensione të punës së saj kanë dhënë rezultate të prekshme në rritjen e kreditimit dhe zhvillimin e biznesit. Për ilustrim, duhet theksuar se sistemi bankar shqiptar mban rreth 1,545 miliardë lekë depozita, nga të cilat 1,237 miliardë janë depozita të familjeve dhe 308 miliardë të bizneseve. Në terma relativë me madhësinë e ekonomisë, këto janë ndër shifrat më të larta në rajon.
Po ashtu, sistemi bankar ka dhënë 738 miliardë lekë kredi, nga të cilat 447 miliardë për bizneset dhe 291 miliardë për familjet. Pjesa më e madhe e kredisë për bizneset financon sektorët kryesorë, të cilët janë edhe promotorët e rritjes së ekonomisë shqiptare.
ROLI MBIKËQYRËS I BANKËS SË SHQIPËRISË, GARANCI PËR STABILITETIN FINANCIAR TË VENDIT
Roli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen dhe funksionimin e sistemit bankar në vend. Së bashku me politikën monetare, mbikëqyrja e sistemit përbëjnë dy shtyllat kryesore për stabilitetin financiar (bankar) Kjo (mbikëqyrja) në veçanti përmes zbatimit të kompetencave që organeve mbikëqyrëse i japin aktet ligjore dhe rregullatorë, rekomandimeve të dala nga Dokumentet e Bazel 1 dhe Bazel 2, asistenca e Bankës Botërore etj..
Banka e Shqipërisë ushtron mbikëqyrjen ndaj sistemit financiar në vend nëpërmjet tagrave të përcaktuara nga ligji për Bankën e Shqipërisë dhe Ligji për Bankat. Si një nga dy shtyllat kryesore të Bankës, ajo ka si objektiva kryesorë sigurimin e ruajtjes së shëndetit financiar të subjekteve të licencuara, me qëllim fundor parandalimin e krizave si dhe mbrojtjen e depozituesve; monitorimin e zhvillimeve në treg; nxitjen e disiplinës së tregut nëpërmjet rritjes së transparencës për produktet dhe shërbimet bankare e financiare; zhvillimin e një konkurrence të ndershme dhe trajtim të barabartë të subjekteve. Detyra dhe objektiva këto, që ndër vite kanë qenë në qendër të vëmendjes dhe veprimtarisë së BSH. Këto me fokus sistemin bankar, në vend që referuar situatës dhe fakteve rezulton se gjendja e sistemit financiar është e stabilizuar, sistemi bankar është i mirëkapitalizuar, mirëfunksional dhe kreditues. Njëherësh, në fokus të mbikëqyrjes ka qenë dhe mbetet edhe sistemi financiar jo-bankar, një treg ky relativisht i ri në vendin tonë, problematikat e krijuara në këtë treg nuk mund të mos ishin dhe jenë në vëmendje për rritjen e “vigjilencës” ndaj këtij tregu dhe goditjes në kohë të devijimeve të konstatuara. Kjo e bërë përmes nxjerrjes dhe përmirësimeve në vazhdimësi të disa akteve rregullative të mbikëqyrjes së tregut financiar jobankar, hartimi i një plani të përbashkët ndërinstitucional, që lidhen me këtë treg, reflektimet ligjore që duhen bërë sidomos në kuadrin ligjor, që rregullon marrëdhëniet civile e tregtare, për të gjithë aktorët në kontratat e kredisë nga institucionet jobankare (sidomos për të drejtat, detyrimet dhe përdorimin dhe ekzekutimin e tarifave), ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, që janë duke u përgatitur, bashkëpunimin me institucionet financiare ndërkombëtare etj.. Këto të fundit për të marrë përvojat më të mira në reflektimin ndaj ngjarjeve dhe fenomeneve të ngjashme me vendet e tjera të këtij tregu, si një mundësi e frenimit sa më shumë të pasojave nga fenomenet negative që mund të ndodhin në këtë treg.
Nga ana tjetër, masat që janë marrë për heqje dhe pezullim licencash për disa institucione të mikrokredisë dhe të përmbarimit për keqzbatim të akteve ligjore dhe rregullatore apo të masave të propozuara mbas konstatimeve të kontrolleve janë të domosdoshme dhe duhet të jenë në vazhdimësi.
Gjithashtu, thellimi i edukimit financiar, me gjuhe të thjeshtë dhe ligjore, duhet intensifikuar më tej, me qëllim që kreditorët në veçanti dhe qytetarët në përgjithësi të njohin dhe dinë përgjegjësitë e tyre në marrëdhëniet e kredimarrjes dhe të ndërgjegjësohen më shumë për efektet e këtij tregu.
Roli i Bankës së Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i spikatur në të gjithë këtë superstrukturë rregullatore dhe mbikëqyrëse, me një ndikim themelor në zhvillimin e një veprimtarie të qëndrueshme të sistemit financiar.
STABILITETI FINANCIAR DHE SIGURIA KOMBËTARE
Në çdo vend të botës, qëndrueshmëria e stabilitetit financiar është një çështje e sigurisë kombëtare. Me qëndrueshmëri të sistemit financiar nuk konceptohet mungesa e dështimit të institucioneve financiare, por aftësia e sistemit për t’i përballuar këto ngjarje eventuale pa luhatje të theksuara dhe ku depozituesit janë të mbrojtur. Rreziqet janë gjithmonë të pranishme në veprimtarinë e institucioneve dhe të tregjeve financiare. Nëse këto rreziqe nuk identifikohen drejt dhe në kohën e duhur dhe adresohen në mënyrë të përshtatshme, ato mund të ndikojnë negativisht në veprimtarinë e institucioneve financiare dhe të tronditin besimin e publikut në qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe të sektorit bankar. Bankat janë mbi të gjitha institucione besimi. Mungesa e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe të sektorit bankar mund të shoqërohet me pasiguri për kursimet e qytetarëve, vështirëson aksesin në financim për bizneset, ul konsumin dhe investimet, godet investimet e huaja, rrit presionin mbi kursin e këmbimit dhe mund të shoqërohet në të njëjtën kohë me tkurrje të ekonomisë dhe me inflacion. Në tërësi, kjo situatë godet edhe financat publike, duke u shoqëruar me rritje të niveleve dhe të kostos së borxhit publik. Në një situatë ekstreme, një vend që përballet me tronditje të thella të kuadrit makroekonomik dhe nevoja urgjente për financim, do të ishte më i brishtë ndaj trazirave sociale të brendshme dhe presioneve të huaja të padëshirueshme në kushte normale. Kjo mund të sillte mungesën afatgjatë të një stabiliteti politik dhe social, ku një përpjekje e shëndetshme për të ndryshuar sistemin mund të shoqërohej pa kuptuar me lindjen e forcave politike populiste që premtojnë zgjidhje afatshkurtra dhe çudibërëse, krejtësisht të pambështetura në realitet. Vendet në zhvillim, janë më të ndjeshme ndaj këtyre zhvillimeve, për arsye që lidhen me brishtësitë që prekin strukturën e ekonomisë dhe të sistemit financiare, strukturën sociale dhe shkallën e edukimit financiar, zbatimin e ligjit dhe stabilitetin politik. Për fat të keq, në kushtet e zhvillimeve digjitale dhe të rrjeteve sociale, mundësia për të krijuar stres në infrastrukturën e teknologjisë digjitale të një vendi, duke përfshirë posaçërisht atë të sistemit financiar është rritur. Kjo lidhet nga njëra anë me sulmet kibernetike, shpesh me qëllime të përfitimit privat, por jo rrallë edhe me qëllime politike, që në kohën e zhvillimeve të vrullshme digjitale, kanë mundësinë të paralizojnë aftësinë operuese të subjekteve që targetohen, apo të korruptojnë të dhënat që administrohen prej tyre dhe që kanë ndjeshmëri publike. Nga ana tjetër, prania e rrjeteve sociale rrit mundësinë, që të lindin dhe të përhapen me shpejtësi opinione të caktuara mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, jo rrallë mbështetur mbi interpretime të gabuara apo të dhëna të pasakta, ndonjëherë të formuluara, edhe qëllimisht, të cilat mbjellin apo ushqejnë pasiguri te familjet apo individët rreth këtyre zhvillimeve. Në këto raste është e rëndësishme që vetë institucionet financiare të forcojnë kapacitetet mbrojtëse për infrastrukturën e tyre kritike digjitale. Ndërsa autoritet publike që monitorojnë infrastrukturën digjitale të vendit në tërësi, të operimit të rrjeteve sociale dhe që përgjigjen për qëndrueshmërinë e sistemit financiar, kanë detyrimin të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre për ngritjen e mekanizmave mbrojtës, duke përfshirë edhe realizimin e një komunikimi transparent, të qartë dhe të rregullt me publikun për faktet dhe të vërtetën.
Prandaj, edhe në rastin e vendit tonë, vetëdija për rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit financiar duhet të jetë maksimale. Kjo është përgjegjësi në radhë të parë e autoriteteve që janë ngarkuar nga ligji për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar, ku përfshihen Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Por veprimtaria e sistemit financiar nuk duhet parë e veçuar nga zhvillimet e përgjithshme ekonomike, funksionimi i tregjeve financiare dhe i infrastrukturës tjetër mbështetëse. Në këtë kuptim, angazhimi i Qeverise dhe i agjencive të ndryshme të saj, është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Më tej, ligjvënësve u bie si detyrë që të përcaktojnë qartësisht në ligjet e fushës, jo vetëm mekanizmat e llogaridhënies nga institucionet publike, por edhe ato të bashkëpunimit efektiv mes tyre, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe sigurisë kombëtare./Gazeta Panorama