Statistikat/ 100 golat e Halandit, asnjë nuk shënon si ai

statistikat 100 golat e halandit asnje nuk shenon si ai





































Erling Haaland është bërë lojtari i 19-të që shënon 100 gola për Mançester Sitin, ndërsa i janë dashur 1etëm 105 ndeshje për të arritur pikën historike. Sulmuesi norvegjez arriti shifra të trefishta me golin e tij të minutës së nëntë kundër Arsenalit në ndeshjen e së dielës në Premier Ligë.

haland

Ai tani ka shënuar 10 herë në vetëm gjashtë paraqitje në fillimin e sezonit të tij të tretë në “Etihad”. Ky është treguesi më i fundit i rekordit fantastik për golashënuesin më të mirë të gjeneratës së tij, pasi fitoi “Këpucën e Artë” të Premier Ligës në dy sezonet e tij të para në Angli. Ai shënoi 52 gola në sezonin e tij të parë në “Etihad Stadium”, më shumë se çdo lojtar i Premier Ligës që ka arritur ndonjëherë në një sezon të vetëm dhe më së shumti ndonjëherë nga një lojtar i Sitit në historinë e tyre të gjatë. Kjo përfshin një rekord, duke thyer 36 golat e një sezoni në Premier Ligë, krahas 12 golave në Champions League, teksa “Qytetarët” ngritën trofeun e famshëm për herë të parë. Vitin e kaluar ai e mbylli sezonin me 38 gola në të gjitha ndeshjet, sezoni i dytë më i frytshëm në historinë e klubit, që barazon rekordin e Tomi Xhonsonit në 1928/29. Ai ka qenë një protagonist absolut në 7 trofetë e fundit të fituar nga Siti që prej ardhjes së tij. 24-vjeçari e ka nisur këtë sezon në formë fantastike, duke shënuar 10 gola në pesë daljet e para në Premier Ligë. Në total, ai tani ka 73 gola në Premier Ligë, 18 në Champions, tetë në “FA Cup” dhe një në “Carabao Cup” që kur iu bashkua Sitit.

Ai aktualisht po shënon më shumë se një gol për ndeshje në Premier Ligë, pasi ka luajtur 71 herë në këtë kompeticion. Kjo normë i tejkalon të gjitha rekordet historike të divizionit kur bëhet fjalë për golat, duke përfshirë Alan Shirerin, Herri Kejnin, Uejn Runin, Endrju Kolin dhe Serxho Agueron. Nga 100 golat e tij, 73 janë shënuar me këmbën e majtë, 14 me këmbën e djathtë dhe 12 me kokë. Uolvesi është skuadra ë ka vuajtur më së shumti golat e Halandit, me lojtarin që ka shënuar tetë herë kundër ekipit të “Ujqërve”. Megjithatë, askush nuk ka qenë i sigurt përballë tij, me Halandin që e ka gjetur rrjetën kundër çdo skuadre me të cilën është përballur në Premier Ligë.

Në total, ai ka shënuar 11 tripleta që kur iu bashkua Sitit në vitin 2022, me tetë që vijnë në Premier Ligë, dy në “FA Cup” dhe një në Ligën e Kampionëve. Vetëm Serxho Aguero (12), Alan Shirer (11) dhe Robi Fauler (nëntë) kanë shënuar më shumë tregolësha në epokën e Premier Ligës sesa Haland, me numrin 9 të Guardiolës që i janë dashur vetëm 70 ndeshje në Premier Ligë për të shënuar tetë. Haland i bashkohet Kevin De Bryjnes si lojtar i skuadrës aktuale të Pep Guardiolës që ka shënuar 100 herë ose më shumë për Sitin, me belgun që ka arritur këtë shifër historike në prill dhe aktualisht është në kuotën e 102 golave.

De Bryjne ka krijuar një lidhje të ngushtë me Haland, duke e asistuar sulmuesin 20 herë në total në partneritetin më të frytshëm në Angli që nga vera e vitit 2022. Aguero është golashënuesi më i mirë në historinë e Sitit, me 260 gola në 390 ndeshje gjatë 10 sezoneve të tij në “Etihad”. Erik Bruk me 177 gola në 493 ndeshje midis 1927 dhe 1940, Tomi Xhonson me 166 gola në 355 ndeshje midis 1920 dhe 1930 dhe Kolin Bell me 153 gola në 501 paraqitje nga 1966 deri në 1979 janë lojtarët e radhës.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →