Ndërsa NATO-ja përgatitet të mblidhet të martën në një takim treditor në Uashington për të kremtuar 75-vjetorin e saj, ajo po përforcon mbështetjen për Ukrainën në luftën me Rusinë.
Gjatë një konference për shtypin me një grusht gazetarësh të dielën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se të gjitha vendet anëtare të NATO-s duan paqen dhe kjo mund të arrihet nëse presidenti rus Vladimir Putin, e kupton se nuk mund të fitojë në fushën e betejës.
“Mënyra më e shpejtë për t’i dhënë fund kësaj lufte është humbja e saj”, tha ai. “Por kjo nuk do të sillte paqe. Do të sillte pushtim”.
Sekretari Stoltenberg përshkroi masat kryesore që do të marr NATO-ja, duke përfshirë krijimin e një komande të posaçme në Gjermani, ndihmën e shtuar financiare dhe ushtarake si dhe marrëveshjet dypalëshe të sigurisë.
Ai i theksoi këto nisma duke trajtuar kompleksitetin e anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO dhe frontin e bashkuar të aleancës kundër agresionit rus.
Gjuha e saktë e marrëveshjes përfundimtare të takimit lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, është ende duke u negociuar, tha ai.
Në muajin prill, zoti Stoltenberg tha se aleanca nuk pritej t’i ofronte Ukrainës anëtarësimin në NATO gjatë takimit të lartë, por një “urë” drejt anëtarësimit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co