Bota prodhon 57 milionë tonë mbetje plastike çdo vit dhe i përhap ato nga oqeanet më të thella tek majat e maleve deri në trupin e njeriut, sipas një studimi të ri, sipas të cilit, 2/3 e mbetjeve vijnë nga vendet në zhvillim.
Janë aq shumë plehra sa mund të mbushej me mbetje plastike parku “Central Park” dhe ndërtesa gjigande “Empire State Building” në Nju Jork, sipas studiuesve të Universitetit “Leeds” në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata ekzaminuan mbetjet e prodhuara në nivel lokal në më shumë se 50,000 qytete dhe qyteza në mbarë botën për një studim që u publikua të mërkurën në revistën “Nature”.
Studimi ekzaminoi plastikën që shkon në mjedis të hapur, mbetjet jo plastike që shkojnë në vendgrumbullimet e mbetjeve, ose digjen në mënyrën e duhur.
Për 15 për qind të popullsisë së botës, qeveria dështon në mbledhjen dhe asgjësimin e mbetjeve, thanë autorët e studimit, një arsye kryesore se përse Azia Juglindore dhe Afrika Nën-Sahariane prodhojnë më shumë mbetje plastike. Këtu përfshihet dhe një popullsi prej 255 milionë njerëzish në Indi, thotë studimi.
Qyteti i Lagosit në Nigeri prodhoi mbetje plastike më shumë se çdo qytet tjetër, sipas autorit të studimit Costas Velis, profesor pranë universitetit “Leeds”.
Qytetet e tjera me ndotje më të madhe plastike janë Nju Delhi, në Indi, Luanda në Angola, Karaçi në Pakistan dhe Kajro në Egjipt.
India është e para në botë për prodhimin e mbetjeve plastike, 10.2 milionë tonë në vit, shumë më tepër se dyfishi i vendeve që renditen pas saj, Nigeria dhe Indonezia.
Kina, shpesh e kritikuar për ndotjen, renditet e katërta, por po bën hapa të jashtëzakonshëm për pakësimin e mbetjeve, tha zoti Velis.
Vendet e tjera që shkaktojnë ndotje të madhe plastike janë Pakistani, Bangladeshi, Rusia dhe Brazili. Këto tetë vende janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e ndotjes plastike të globit, sipas të dhënave të studimit.
Sipas studimit, Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 90-të për ndotjen plastike me më shumë se 52,500 tonë dhe Mbretëria e Bashkuar renditet e 135-ta me afro 5,100 tonë.
Studimi përdori inteligjencën artificiale për t’u përqendruar tek mbetjen plastike që u dogjën në mënyrë jo të duhur, rreth 57 për qind e mbetjeve, ose që thjesht u depozituan. Në të dyja rastet, janë mikroplastika tepër të vogla, që e shndërrojnë problemin e ndotjes ujore dhe dëmtimit të jetës nënujore në një kërcënim për shëndetin e njeriut, tha zoti Velis.
Disa studime këtë vit kanë treguar sa të përhapura janë mikroplastikat në ujin e pijshëm dhe në indet e njerëzve, si zemrat, truri dhe testikujt. Mjekët dhe shkencëtarët janë ende të pasigurt se çfarë nënkupton kjo për sa i përket rrezikut për shëndetin e njeriut.
“Bomba e madhe me sahat e mikroplastikave janë ato kryesisht në pjesën jugore të globit”, tha zoti Velis. “Tashmë kemi një problem të madh përhapjeje. Ato gjenden në vendet më të largëta … majat e Everestit, në Kanalin Mariana në thellësi të oqeanit, në ajër, në ato që hamë dhe atë që pimë”.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co