Studimi: Shqipëria ka përqindjen më të lartë të popullsisë në rrezik të varfërisë në Europë

studimi shqiperia ka perqindjen me te larte te popullsise ne rrezik te varferise ne europe
studimi shqiperia ka perqindjen me te larte te popullsise ne rrezik te varferise ne europe

Shqipëria ka gati gjysmën e popullsisë së saj në rrezik të varfërisë, një përqindje shumë më e lartë në krahasim me Rajonin dhe Bashkimin Europian.

Sipas të dhënave të Eurostat dhe matjeve të brendshme nga INSTAT, Shqipëria kishte 41.6% të popullsisë në rrezik të varfërisë, niveli më i lartë në Europë (shiko grafikun e mëposhtëm). Të dhënat për Shqipërinë i takojnë vitit 2022 ndërsa për Europën vitit 2023.

Sipas përcaktimeve të Eurostat “rreziku për të qenë i varfër” klasifikon ato persona që janë thellësisht të privuar nga ana materiale dhe sociale, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

Pas Shqipërisë, Rumania dhe Bullgaria janë vendet që kanë ende një përqindje të lartë të popullsisë që jeton në kufijtë e varfërisë me nga 32 dhe 30 % secila të ndjekura nga Spanja me 26.5% dhe Greqia me 25.6%.

Në krahun tjetër, Kroacia ka nivelin më të ulët të popullsisë që jeton në varfëri në Europë. Në vitin 2023 vetëm 12% e popullsisë kroate ishte në rrezik të varfërisë, e ndjekur nga Sllovenia me 13.7%, Finlanda me 15.8% dhe Polonia me 16.3%.

Në vitin 2023, mbi 94 milionë njerëz në BE (21% e popullsisë) ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, d.m.th. jetonin në familje që përjetonin të paktën një nga tre rreziqet e varfërisë dhe përjashtimit social. Shifra ka rënë paksa në krahasim me vitin 2022 (95.3 milionë, 22% e popullsisë).

Në Shqipëri, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2022 është vlerësuar me 225.931 lekë, në krahasim me 191.791 Lekë që ishte në vitin 2021, sipas INSTAT.

Në vitin 2022 janë vlerësuar rreth 576.316 individë në vendin tonë jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër.

Duke filluar nga viti 2021, treguesi i privimit material, intensiteti i ulët në punësim dhe rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social (AROPE) është modifikuar nga ana metodologjike duke u bazuar në objektivin e ri të Bashkimit Europian “Europa 2030’’.

Sipas objektivit të vendosur nga Bashkimi Europian për mbrojtjen e të drejtave sociale popullsia që është në rrezik për të qenë e varfër ose në përjashtim social në Europë duhet të reduktohet me të paktën 15 milion deri në vitin 2030 dhe prej tyre të paktën 5 milionë duhet të jenë fëmijë./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →