Të paktën 492 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore intensive izraelite që synonin Hezbollahun në Liban, ka deklaruar ministria e shëndetësisë e vendit, në ditën më vdekjeprurëse të konfliktit atje në pothuajse 20 vjet.
Mijëra familje janë larguar gjithashtu nga shtëpitë e tyre pasi ushtria izraelite tha se goditi 1600 objektiva të Hezbollahut në një operacion për të shkatërruar infrastrukturën që grupi i armatosur kishte ndërtuar që nga lufta e vitit 2006.
Ministria e shëndetësisë e Libanit deklaroi se 35 fëmijë dhe 58 gra ishin në mesin e të vdekurve, ndërsa 1.645 të tjerë ishin plagosur.
Hezbollahu, ndërkohë, lëshoi më shumë se 200 raketa në veri të Izraelit, sipas ushtrisë.
Fuqitë botërore kanë kërkuar vetëpërmbajtje pasi të dyja palët duket se po afrohen më shumë drejt një lufte gjithëpërfshirëse.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres shprehu alarmin për situatën në përshkallëzim dhe tha se ai nuk dëshiron që Libani “të bëhet një Gazë tjetër”.
Shefi i çështjeve të jashtme të BE-së Josep Borrell u shpreh se “përshkallëzimi është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe shqetësues” përpara një mbledhjeje të liderëve botërorë në OKB në Nju Jork, duke shtuar se “ne jemi pothuajse në një luftë të plotë”.