Sulmi terrorist në Banjskë, tre të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

sulmi terrorist ne banjske tre te akuzuarit deklarohen te pafajshem
sulmi terrorist ne banjske tre te akuzuarit deklarohen te pafajshem

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt të mërkurën seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën dy të akuzuar, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, nuk pranuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit.

Gjykatësi i rastit konstatoi se me ligj, ky veprim do të thotë se ata nuk e pranojnë fajësinë.

I akuzuari i tretë i pranishëm në sallën e gjyqit, Dushan Maksimoviq, u deklarua i pafajshëm.

Avokati i Spasojeviqit, Lubomir Pantoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se të akuzuarit kanë të drejtë ta pranojnë ose ta pranojnë pjesërisht fajësinë në një fazë të mëvonshme.

Seanca e së mërkurës nisi me leximin e emrave të të akuzuarve që ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori lexoi aktakuzën.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre – Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq – janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.

Pas seancës së sotme, mbrojtja i ka 30 ditë kohë për të apeluar aktakuzën.

Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Më herët, prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →