Një person që dyshohet se është me probleme mendore në lagjen numër 1 të qytetit, ka shkaktuar telashe në Durrës. Efektivët e policisë kanë tentuar të negociojnë me të, pasi ishin njoftuar nga dëshmitarët në vendngjarje se ishte i dhunshëm.
Sipas informacioneve paraprake një efektiv i është afruar, ndërsa personi ka nxjerrë thikën nga çanta që mbante me vete dhe është larguar me vrap. Policët e kanë ndjekur për disa metra po me vrap dhe në momentin kur agresori është futur në një rrugicë qorre, në afërsi të një lavazhi në zonën e Brrylit, kanë tentuar ta neutralizojnë.
Në këtë moment, agresori ka sulmuar me thikë efektivin e policisë duke e plagosur. Mësohet se efektivi i policisë është shoqëruar nga kolegët në Spitalin Rajonal, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia ka arrestuar agresorin. Deri më tani nuk dihet as identiteti i policit të plagosur, as ai i agresorit.
Pritet që Drejtoria Vendore e Policisë Durrës të dalë me një njoftim për shtyp për ngjarjen.
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, Policia ka marrë njoftim nga qytetarët, se në lagjen nr. 1, një shtetas po lëviste në rrugë, me mjet prerës, në dorë, duke u bërë rrezik për kalimtarët. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasin F. C., duke mbajtur një mjet prerës (thikë), në dorë. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, për neutralizimin e këtij shtetasi, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësi i Policisë E. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar shtetasin F. C., 38 vjeç, në Komisariat, për veprime të mëtejshme.
Mjeti prerës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co