Kjo javë mund të thuhet se ka qenë pozitive për Ernest Muçin, ndonëse për skuadrën e Beshiktash jo edhe aq. Kjo e fundit është mundur me shifrat 2-1 nga Gallatasaraj në derbi, por futbollisti shqiptar ishte ai i cili shënoi golin për bardhezinjtë.
Në fakt ishte një supergol, pasi gjuajtja e sulmuesit në minutat shtesë përfundoi poshtë trekëndëshit të portës së Gallatasarajit. Kjo nuk ndihmoi skuadrën e tij të merrte pikë ndaj kryesuesve të kampionatit, pro duket se ka ndihmuar Muçin që të sigurojë përsëri vendin mes titullarëve të cilin e kishte humbur në derbi.
Mediat turke raportojnë se trajneri Xhoivani Van Bronkhorst, duke parë edhe situatën e Milot Rashicës i cili vazhdon të jetë në dyshim për shkak dëmtimi, ka menduar që në ndeshjen ndaj Kasimpasha të vendosë përsëri Muçin në krahun e djathtë të sulmit. Ky nuk është vendi i preferuar për sulmuesin shqiptar, por ai do të vazhdojë të përshtatet në këtë pozicion për të përfituar sa më shumë minuta në fushën e lojës pas një starti të sezonit si spektator.
PANORAMASPORT.AL