Bota

Synon t’i përdorë për të goditur në thellësi Rusinë, Ukraina prodhon armë me rreze të gjatë veprimi

synon ti perdore per te goditur ne thellesi rusine ukraina prodhon arme me rreze te gjate veprimi





































Ukraina thotë se ka prodhuar një armë të re me rreze të gjatë veprimi që mund të godasë thellë në Rusi pa kërkuar autorizim nga aleatët – një kombinim i një rakete dhe një droni i realizuar në vend, që ministri i mbrojtjes u zotua të hënën se do të ishte “përgjigjia” e duhur ndaj një vale bombardimesh ruse.

3323212

Arma e re, e quajtur “Palianytsia” u krijua për shkak të nevojës urgjente, thanë zyrtarët ukrainas, pasi Rusia ka pasur epërsi ushtarake në goditjet nga ajri që nga shpërthimi i luftës në shkurt 2022 dhe aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë vënë kushte lidhur me përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të dërguara prej tyre kundër Rusisë.

Të hënën, një numër raketash dhe dronësh rusë vuri në shënjestër infrastrukturën elektrike të Ukrainës në sulmin më të madh të tillë prej javësh.

“Ata që luftojnë për të mbrojtur jetë nuk duhet të kenë kufizime për përdorimin e armëve, për sa kohë që Rusia përdor të gjitha llojet e armëve të veta”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy në një mesazh në “Telegram” pas sulmeve.

Zoti Zelenskyy konfirmoi të shtunën ekzistencën e Palianytsias, duke e cilësuar atë “një klasë të re” armësh. Arma u përdor për herë të parë të shtunën, në ditën e 33-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, duke vënë në shënjestër një objekt ushtarak rus në territorin e pushtuar, thanë zyrtarët pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov premtoi të hënën se arma do të përdoret sërish së shpejti në përgjigje të sulmit gjatë natës në Ukrainë.

“Ukraina po përgatitet të përgjigjet me armë të prodhuara nga ajo vetë”, u shpreh ai në faqen e tij në Facebook. “Kjo dëshmon edhe një herë se që të fitojmë, ne kemi nevojë për armë me rreze të gjatë veprimi dhe heqjen e kufizimeve për goditjet ndaj objekteve ushtarake të armikut.”

Një video e ushtrisë ukrainase la të kuptohej se rrezja e saj është deri në 700 kilometra – e ngjashme me raketat me teknologji të avancuar që kanë dërguar Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimorë i ofrojnë Ukrainës armë me rreze të gjatë veprimi, por kanë vënë kushtin që ato të mos godasin në thellësi të Rusisë nga shqetësimet për përshkallëzimin e luftës. Ukraina mund t’i përdorë ato në rajonet kufitare, por ajo do që godasë më thellë për të sulmuar infrastrukturën ushtarake të Rusisë.

Ministri i teknologjisë i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, i tha agjencisë Associated Press në intervistën e tij të parë lidhur me armën e re, se hapi i mëtejshëm ishte shtimi i prodhimit.

“Unë mendoj se kjo do të ndryshojë rregullat e lojës, sepse ne do të jemi në gjendje të godasim atje ku Rusia nuk e pret sot,” tha ai.

Ministri Fedorov nuk pranoi të japë detaje për rrezen e veprimit apo sasinë e armëve të prodhuara duke përmendur arsyet e sigurisë, por tha se ai ka qenë i angazhuar në projektet për zhvillimin e raketave vendase që nga fundi i vitit 2022.

Arma e re ka qenë një synim afatgjatë i Ukrainës. Një nga specialistët e përfshirë në projektin e raketave me rreze të gjatë veprimi tha se ishte “një zhvillim krejtësisht i ri” që filloi rreth 18 muaj më parë.

Ukraina thotë se pamundësia për t’iu kundërpërgjigjur armëve ruse me rreze të gjatë veprimi ka pasoja vdekjeprurëse. Komandanti i Përgjithshëm i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi tha se Rusia ka lëshuar 9,627 raketa me rreze të gjatë veprimi dhe mbrojtja e Ukrainës ka rrëzuar vetëm një të katërtën e tyre dhe se më shumë se gjysma e objektivave të Rusisë ishin civile.

Zoti Fedorov thanë se çdo raketë kushton më pak se 1 milion dollarë dhe ushtria po i drejtohet sektorit privat për të ulur më tej kostot e prodhimit.

“Tregu privat ofron zgjidhje të shpejta,” tha ministri. Këtë vit, kompanitë private janë bërë furnizuesit kryesorë të dronëve për ushtrinë ukrainase, përfshirë ato që godasin tani brenda Rusisë dhe ato nënujore që kanë goditur vazhdimisht flotën ruse të Detit të Zi, tha zoti Fedorov.

“Të gjitha llojet e raketave do të jenë në dispozicion në Ukrainë”, tha ai.

“Nëse ne kemi armë të tilla, do të ndihemi më të pavarur dhe më të sigurt.” Zoti Fedorov shtoi se ai beson se sipërfaqja e madhe e Rusisë mund të jetë edhe pika e saj e dobët. “Është e pamundur të prodhosh sisteme të mjaftueshme të mbrojtjes ajrore për një territor kaq të madh”, tha ai. “Për ne, kjo krijon mundësinë për të vepruar thellë në territorin e armikut.”/VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts