Sytë nga Brukseli/ Mbahet sot takimi mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiçit

syte nga brukseli mbahet sot takimi mes kryeministrit kurti dhe vucicit
syte nga brukseli mbahet sot takimi mes kryeministrit kurti dhe vucicit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve. Takimi i parë i tyre këtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.

Josep Borrell do të shërbejë si shef i diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, ndërsa javën e ardhshme do të dihet se kush do ta pasojë atë. Mirosllav Lajçak është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa të gjendet zëvendësuesi i tij. Me shumë mundësi, takimi i sotëm do të jetë i fundit në kuadër të dialogut, nikoqir i të cilit do të jetë Borrell.

Në Bashkimin Evropian nuk kanë pritshmëri të mëdha nga ai. Gjithçka që BE-ja pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, është që ata ta konfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjeve që kanë arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe Vuçiqit, sepse presidenti i Serbisë ka refuzuar një gjë të tillë.

Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje. Prishtina refuzon të punojë për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes, e cila i referohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi vazhdon ta shkelë nenin 4, ku thuhet se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pavarësisht mungesës së nënshkrimeve, BE-ja këmbëngul se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët. Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar. Në atë takim është diskutuar përzbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve, por ai ka rezultuar i pasuksesshëm dhe ka përfunduar me akuzat e Kurtit se Lajçak “nuk është neutral”. Dhjetë ditë më vonë ka ndodhur sulmi në Banjskë – fshat në veri të Kosovës – ku grupe të armatosura të serbëve kanë sulmuar policinë e Kosovës dhe kanë vrarë një polic. Në përleshjet e armatosura që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Në fund të tetorit ka pasur edhe një përpjekje të pasuksesshme për t’i afruar palët, kur janë bashkuar edhe liderët kryesorë evropianë: kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Kurti dhe Vuçiq kanë pasur takime të ndara me udhëheqësit evropianë, por dakordimi nuk ka qenë i mundur. Kurti ka këmbëngulur në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Vuçiq ka refuzuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →