Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një “gjest armiqësor” karshi Serbisë, duke shtuar se Beogradi nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë “hapur, politikisht dhe në mënyrë procedurale”. Përmes një njoftimi më 28 mars, Petkoviç tha se “ka një dëshirë për nxitim” për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të, siç tha ai, “disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”.
Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Zyrtarët e tjerë të Serbisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin e shtetit në organizatat ndërkombëtare, e kanë kritikuar vendimin e Komitetit.
Më 22 mars presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte njoftuar për mundësinë e tërheqjes së Serbisë nga Këshilli i Evropës nëse në këtë organizatë do të pranohej Kosova. Ideja e Vuçiçit është përkrahur nga ish-kryeministrja, tani kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiç. Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co