Kryebashkiaku i ri i Himarës, Vangjel Tavo dhe rivali i tij në këto zgjedhje replikuan një ditë më parë në rrjetet sociale, lidhur me rezultatin e 4 gushtit në Bashkinë e Himarës. Tavo i përsëriti ftesën e tij rivalit Petraq Gjikuria që të mos kthehet në SHBA, por të punojë në krahun e tij në bashki, si zv/kryetar i Himarës. Vetë Gjikuria fillimisht deklaroi se procesi i votimit ishte i qetë dhe se ai do të fitonte pavarësisht se disa qytetarë nuk arritën të votojnë.
Madje u shpreh publikisht se do ta pranonte verdiktin e popullit. Por pas procesit, kandidati i opozitës tha se zgjedhjet u deformuan dhe hodhi akuza për parregullsi.
Reagimi i Gjikurisë ka habitur edhe vetë socialistin Tavo që zbulon se ka patur edhe një telefonatë nga rivali i tij, ku i ka uruar fitoren e Bashkisë së Himarës të dielën.
“Himara kishte një arsye të madhe për t’u gëzuar sepse ishte ajo fituesja e 4 gushtit, sikurse edhe unë e kisha dhe e kam zemrën plot nga mesazhet e pafundta të urimeve nga shumë e shumë banorë të Himarës, e mbështetës brenda e jashtë vendit.
Por, një shkëndijë më shumë e këtij gëzimi ishte edhe telefonata juaj e urimit e para pak orëve. E vlerësova shumë dhe e pranova sinqerisht si një akt qytetarie dhe si sjellje e një njeriu me mendësi të hapur perëndimore, por, pa e mohuar, e prita edhe me shpresën se po më telefonoje për të pranuar ftesën time publike për t’iu bashkuar programit tonë të drejtimit të Bashkisë Himarë në pozicionin e zëvendëskryetarit.
Por, pritshmëria ime e lartë ndaj teje zgjati vetëm pak e tani jam i keqardhur për reagimin tënd, a thua se Himara është një fushë betejash ku përballen ushtri armike dhe jo alternativa politike dhe qytetare, si në të gjithë Shqipërinë demokratike”, shkruan Tavo në reagimin e tij duke iu përgjigjur Petraq Gjikurisë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co