Bota Shqiperia

Të guxosh në heshtje








































NGA MIMOZA DAJÇI MIMOZA DAJÇI

Si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA, ndoqëm me shqetësim e dhimbje të madhe ngjarjen e rëndë të një nëne shqiptare, që prej vitesh pret në heshtje të shikojë të birin në stacionin e trenit. Parashqevi Simaku pranoi izolimin social, u shkëput nga jeta artistike duke guxuar të “eksperimentojë” jetën e një homeless-i në pritje të djalit të saj të vetëm. Organizata jonë, që në fokus të misionit ka mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, aq më tepër që disa nga anëtaret kanë pësuar drama të rënda në familje nga bashkëshortët si dhunë psikologjike dhe dhunë fizike me pasoja për jetën, por një rast të tillë të ngjashëm me të artistes së njohur Parashqevi Simaku, është duke përjetuar edhe një nënë tjetër shqiptare në Nju Jork nga ish-bashkëshorti i saj shqiptar, i cili me vendim gjykate ka fituar kujdestarinë e djalit dhe nuk lejon në asnjë mënyrë që ajo të takojë të birin.

Kemi bërë disa përpjekje pranë institucioneve amerikane që nëna të ketë të drejtë të takojë e të flasë me të birin e saj, por pa sukses. Edhe në rastin konkret, kemi bërë përpjekjet tona për të marrë kontakt më mbështetësit e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, Elton Ilirjani dhe Elvira Tata, por e pamundur. Siç deklaroi edhe aktori dhe miku i saj, Herion Mustafaraj, që ka bërë përpjekje për të folur me ta, por nuk ka marrë përgjigje. Pavarësisht ngjarjeve se si mund të kenë e kishin ndodhur, por pas intervistës së ish-bashkëshortit të saj në TV “Top Chanel”, na la një shije të hidhur e mossinqeritet nga ana e tij. Fakti që një nënë për mëse tetë vite qëndron në rrugë në një stacion treni vetëm e vetëm për të parë djalin e saj, na vuri përpara një sinjali alarmi.

Nëse do kishte dashuri për gruan e tij, nuk do ta braktiste, sepse ajo paskësh qenë e sëmurë dhe familjes së saj nuk do t’i fliste me një gjuhë të ashpër “Hajdeni merreni se keni për ta gjetur në kazanin e plehrave”, Shkuam në Manhattan, tek Stacioni i Trenit, për të folur e për ta sistemuar diku Parashqevinë në një banesë, por nuk e gjetëm atje. Më vonë nëpërmjet medias mësuam se ishte sistemuar në një hotel në Nju Jork. Duke vlerësuar këtë ngjarje si një tronditje për komunitetin tonë e shoqërinë shqiptare në tërësi dhe duke mos rënë në kontakt me zj. Simaku, kontaktuam menjëherë Misionin Shqiptar të OKB-së në Nju Jork, si dhe një avokat që gëzon respekt në Shqipëri dhe SHBA. Ambasadorja zj. Suela Janina e mirëpriti telefonatën tonë dhe tha se: “Patjetër, si titullare e Misionit Shqiptar në Nju Jork, si nënë e si motër shqiptare, unë do të interesohem dhe të shikojmë se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar artisten Parashqevi Simaku”.

Ne sigurisht na gëzoi fakti që zj. Simaku u gjet dhe u sistemua më së miri në një hotel në Manhattan dhe përgëzojmë interesimin dhe kujdesin maksimal treguar prej zj. Elvira Tata dhe artistit Elton Ilirjani. Ndërkohë që i dërguam mesazh Eltonit dhe Elvirës që të ishin në kontakt edhe me ne si organizatë që merret me të drejtat e grave dhe fëmijëve. Por edhe sot që po publikojmë këto rreshta, akoma nuk kemi asnjë lajm as nga Elton Ilirjani, as nga Elvira Tata.

E rëndësishme është që Elton Ilirjani arriti kontaktin e saj me të birin. Ky është një sukses i tij për vetë Parashqevinë edhe për ne si gra, si nëna fëmijësh dhe shpresojmë që çdo gjë këtej e tutje t’i shërbejë e t’i shkojë mirë ikonës së muzikës shqiptare Parashqevi Simaku. Njëherësh kërkojmë që vëmendja të kthehet edhe tek nëna e re që ne njohim e që akoma vuan për të takuar djalin e saj, që u lind nga një nënë shqiptare, u rrit dhe është penguar për të parë nënën e tij nga një baba shqiptar.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

Similar Posts