Pronarët e rinj “Oaktree” kanë qenë të drejtpërdrejtë me presidentin Marota për këshillat e së ardhmes së Interit. Duhet që ekipi i Interit të mbështetet te të rinjtë dhe t’ju besojë talenteve të së ardhmes.
Dhe ky objektiv sigurisht që ka qenë një armë e fortë për Interin prej vitesh, por sigurisht që duhet të ecë paralelisht me fitoren e trofeve të rëndësishëm. Një vit më parë shkuan në finalen e Championsit dhe këtë sezon fituan titullin kampion. Operacionet e Taremit dhe Zielinskit duken si lëvizje të Suningut dhe “Oaktree” i pëlqen deri diku.
Të dy lojtarët janë pjesë e politikës së pronarëve të rinj për rroga më të ulëta sesa 6 milionë euro dhe të dy do të marrin respektivisht nga 3 dhe 4,5 milionë euro. Por drejtuesit duan patjetër që të ndërtojnë edhe strategjinë e së ardhmes. Gjithçka ka nisur me portierin Jozef Martinez, i cili u transferua nga Xhenoa për 13 milionë euro dhe 2 bonuse. Portieri spanjoll do të rritet nën hijen e Zomerit, i cili tashmë është 35 vjeç dhe ka ende disa sezone përpara.
TRI PREMTIME- Ndërkohë, rroga e Martinezit ka një ndikim të menjëhershëm në bilanc sepse do të jetë lojtar zikaltër me të gjitha detajet, tri afrimet e tjera janë për të ardhmen. I pari është zyrtarizuar dhe quhet Luka Topaloviç. Fantazisti i lindur në vitin 2006 u transferua nga Domzhale.
Objektivi i Marotës dhe Auzilios për momentin është Taner Tesman, mbrojtësi nga SHBA që do të luajë në Lojërat Olimpike. Sigurisht që ai mund të huazohet edhe për një sezon për t’u rritur akoma më shumë dhe për të pasur një eksperiencë që e ndihmon.
Afrimi i radhës është Aleks Perez. Është vetëm 18 vjeç dhe do të vijë nga Real Betis. Ka vuajtur disa dëmtime të njëpasnjëshme dhe ato e kanë ndaluar që të shkëlqejë mes të rriturve. Por në Spanjë disa e krahasojnë me Pikenë për kombinimin teknik dhe fizik.
Por pavarësisht të rinjve, Interi është duke menduar edhe për lojtarët me eksperiencë si Kim, Rodrigez dhe Hermoso. Për një të ardhme, por jo shumë të largët, Marota dhe Auzilio janë duke punuar edhe për Xhovani Leonin, mbrojtësi qendror i Sampdorias që do të jetë 18-vjeç në dhjetor. Kërkesa e Sampit është shumë e lartë, ndërsa Interi nuk kërkon të shkojë më larg sesa 5-6 milionë euro. Kështu që mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjnë drejtuesit e kampionëve të Italisë. E sigurt është që kanë nisur një fushatë për të afruar lojtarë të rinj dhe të uritur për të lënë gjurmë me këtë fanellë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co