Temperaturat e larta në vend, VOA: Bizneset e vogla ndjejnë pasojat e valës së të nxehtit. Qytetarët shmangin daljen deri në orët e darkës

temperaturat e larta ne vend voa bizneset e vogla ndjejne pasojat e vales se te nxehtit qytetaret shmangin daljen deri ne oret e darkes



































Bizneset e vogla po ndjejnë pasojat e të nxehtit në kryeqytetin Tiranë, ndërsa Shqipëria përballet me një valë të madhe të nxehti. Temperaturat kanë arritur në 42 gradë, duke i detyruar turistët dhe banorët të qëndrojnë në mjedise të brendshme.

Tirana

Normalisht Sheshi Skënderbej në kryeqytet është plot me kalimtarë, por vala e të nxehtit i ka shtyrë shumë njerëz ta shmangin qendrën.

Me temperaturat mesatare në 38 gradë Celsius, shatërvanët ofrojnë pak freski.

Vala e të nxehtit ka ndikuar negativisht prej dy javësh në baret dhe kafenetë e Tiranës, ndërsa klientët nuk i frekuentojnë ato gjatë orëve të nxehta të ditës.

Pronarët e lokaleve janë munduar të instalojnë kondicionerë dhe pajisje të tjera freskuese, por njerëzit e shmangin daljen deri në orët e darkës.

Temperaturat kanë arritur deri në 42 gradë Celsius në juglindje dhe në pjesën qendrore të vendit, ndërsa në kryeqytet mesatarja ka qëndruar në 37-38 gradë Celsius.

Rrugët e qendrës së Tiranës dhe kafenetë qëndrojnë pothuajse të zbrazëta.

“Vala e të nxehtit ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ, për të thënë të vërtetën. Normalisht gjatë ditës nuk ka punë, duke rritur kështu kostot. Puna e mëngjesit dhe e darkës nuk i mbulon shpenzimet dhe kemi shumë vështirësi”, thotë kamarierja 38-vjeçare, Albana Mrishaj.

Në mesditë shumë pak njerëz mund të shihen në Sheshin Skënderbej dhe ata pak persona që kalojnë aty freskohen nëpër shatërvane.

E njëjta skenë është edhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku gjenden godinat qeveritare dhe të universitetit publik.

“Siç e shikoni, të gjitha baret janë bosh, megjithëse jemi përpjekur ta përmirësojmë situatën në mjedisin e brendshëm. Është megjithatë e pamundur të qëndrohet përjashta në temperatura 40 gradë Celsius. Klientët e paktë konsumojnë vetëm pije të ftohta dhe ujë”, thotë kamarierja 28-vjeçare, Alesja Masha.

Në Shqipëri është shtuar numri i turistëve të huaj, por edhe atyre u duhet të qëndrojnë në mjedise të brendshme për shkak të vapës gjatë ditës.

Bizneset e vogla, kafenetë dhe baret po përpiqen t’i përmirësojnë kushtet.

Ato kanë bërë shpenzime të mëdha këtë verë për të shtuar kondicionerë dhe freskuese brenda dhe jashtë.

“Megjithëse ndodhen shumë turistë në Tiranë, temperaturat kanë patur ndikimin e tyre dhe ata pak klientë që vijnë, konsumojnë vetëm pije freskuese, duke shkaktuar një rënie drastike të të ardhurave”, thotë kamarieri 23-vjeçar Klajdi Ndregjoni.

Vetëm gjatë darkave fillojnë të frekuentohen baret dhe restorantet. Pronarët e bizneseve të vogla në Tiranë presin me padurim një rënie të temperaturave./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →