Myrto Uzuni humbi dy ndeshjet miqësore të Kombëtares ndaj Kilit dhe Suedisë për shkak të një dëmtimi. Sulmuesi u kthye në Spanjë ku ka bërë edhe ekzaminimet e nevojshme, teksa dje klubi i Granadës ka bërë publik raportin mjekësor të lojtarit beratas.
Është e konfirmuar se Uzuni vuan nga një dëmtim në tendinën e Akilit, që e ka shoqëruar prej kohësh. “Analizat mjekësore të kryera të sulmuesit Myrto Uzuni, konfirmojnë se ai vuan nga tendinopatia e majtë e Akilit. Rikthimi i tij në fushën e lojës varet edhe nga evoluimi i dëmtimit të tij” – thuhet në raportin zyrtar të publikuar nga klubi spanjoll. Kështu nuk dihet se kur Uzuni do iu kthehet fushave të lojës.
DËMTIMI – Myrto Uzuni ishte në listën e Silvinjos për grumbullimin e këtij muaji, por sulmuesi nuk arriti të zbresë në fushë asnjë stërvitje pasi kishte shqetësime në këmbën e majtë. “Tendina e Akilit” (siç quhet pjesa fundore poshtë pulpës) ishte tepër e mbingarkuar dhe Uzuni nuk mund të përballonte një ngarkesë. Kështu pas konsultimeve edhe me stafin mjekësor të Kombëtares, ai u kthye për në klubin e tij për të bërë ekzaminime më të hollësishme.
Kështu, rezultoi se Uzuni vuan nga një lëndim kronik në këmbën e majtë dhe rikuperimi nuk dihet sesa kohë do të marrë. Aktualisht dihet se Uzuni do të qëndrojë pushim dhe do të marrë kohën e nevojshme për të rikuperuar gjithçka. Këtë sezon 28-vjeçari ka shënuar 9 gola me Granadën, pavarësisht se ekipi i tij është në pozita shumë të vështira dhe me një këmbë në kategorinë e dytë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co