Forcat ukrainase kanë kryer sulme të shumëfishta në Rusi të shtunën, duke i vrarë së paku tre njerëz në qytetin kufitar të Rusisë, Belgorod, thanë zyrtarët rusë.
Një rafineri e naftës në rajonin rus Samara u godit nga sulmet e ushtrisë ukrainase, po ashtu.
Një burrë dhe dy gra u vranë dhe tre njerëz të tjerë u plagosën nga bombardimet ukrainase në Belgorod, tha guvernatori i këtij rajoni, Vyacheslav Gladkov.
Ai shtoi se pesë njerëz të tjerë u plagosën nga një sulm ukrainas me dron, i cili e goditi një veturë në fshatin Glotovo, rreth dy kilometra larg kufirit ukrainas.
Një rafineri e naftës në pronësi të gjigantit rus të naftës, Rosneft, në rajonin Samara u kaplua nga zjarri, tha guvernatori i këtij rajoni, Dmitry Azarov.
Nuk u raportua për viktima nga sulmi në rafinerinë e këtij rajoni, i cili ndodhet rreth 850 kilometra në juglindje të Moskës.
Ukraina i kreu këto sulme një ditë pasi Rusia e sulmoi qytetin jugor ukrainas, Odesa, me raketa dhe me dronë, duke i vrarë 20 njerëz dhe duke i plagosur mbi 70 të tjerë.
Dy raketa ruse Iskander-M, të shkrepura nga Krimea e uzurpuar nga Rusia, e goditën një zonë banimi në Odesa, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Kiper.
Disa nga të vdekurit ishin mjekë dhe shpëtimtarë, të cilët u vranë nga një raketë e dytë, pasi kishin shkuar në vendin e ngjarjes për t’i mjekuar të plagosurit nga raketa e parë, tha Kiper.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse që e sulmuan të premten qytetin ukrainas të portit në Detin e Zi do të marrin “përgjigje të drejtë” nga forcat e Kievit.
Këto sulme vijnë po ashtu teksa rusët po votojnë në ditën e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilat presidenti Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren për ta zgjatur sundimin për edhe gjashtë vjet të tjera, pasi i shtypi të gjithë kundërshtarët dhe zërat kritikë.
Putini e ka akuzuar Kievin se po tenton ta pengojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale ruse./ REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co