Presidenti amerikan Joe Biden të enjten u duk se mbështeti mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Venezuelë, pasi presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva gjithashtu hodhi idenë zgjedhjeve të reja, pavarësisht kundërshtimeve nga partia në pushtet e Venezuelës dhe opozita e saj, të cilat të dyja pretendojnë fitoren në zgjedhjet e 28 korrikut.
Presidenti Biden foli me gazetarët në vazhdën e sugjerimit të zotit Lula da Silva se udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro mund të organizonte zgjedhje të reja me praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë si një zgjidhje të mundshme për krizën politike në vend. Shtetet e Bashkuara nuk kanë pranuar pretendimin e zotit Maduro për fitore. I pyetur nëse ai mbështet zgjedhjet e reja në Venezuelë, Presidenti Biden tha “Po”.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare më vonë tha se Presidenti Biden “po fliste për absurditetin e zotit Maduro dhe përfaqësuesve të tij që nuk u pajtuan në lidhje me zgjedhjet e 28 korrikut”, pa u tërhequr plotësisht nga komenti i zotit Biden. Zoti Kirby shtoi se është “shumë e qartë” se kandidati i opozitës Edmundo Gonzalez fitoi zgjedhjet. Një zyrtar amerikan tha për gazetarët se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar dhe shumica dërrmuese e vendeve në rajon po i kërkonin zotit Maduro të publikonte rezultatet dhe të njihte rezultatin e zgjedhjeve.
Sugjerimi për organizim të zgjedhjeve të reja është njëri nga disa sugjerimet e propozuara nga komuniteti ndërkombëtar, që deri më tani nuk ka marrë mbështetjen e zotit Maduro dhe koalicionit opozitar.
Shtetet e Bashkuara, të cilat ashpërsuan sanksionet ndaj eksportit të naftës nga Venezuela në prill për shkak të shkeljes nga zoti Maduro të një marrëveshjeje për kushtet elektorale, dhe vendet e tjera perëndimore po tregojnë pak shenja të veprimit të shpejtë dhe të ashpër ndaj akuzave për manipulim të zgjedhjeve. Zoti Maduro hodhi dënoi komentet e Presidentëve Biden dhe Lula da Silva, duke thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Brazili kanë patur zgjedhje të kontestuara, për të cilat Venezuela nuk ka bërë komente./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co