Vajza të reja bërtisnin dhe shtynin njëra-tjetrën mes një turme trupash në jug të Gazës, në përpjekje për të arritur në pjesën përpara vijës ku shpërndahej ushqimi. Burrat përgatisnin oriz dhe pulë sa më shpejt që mundnin, pjatat me ushqim binin përtokë mes rrëmujës. Pranë, djemtë prisnin të mbushnin enët plastike me ujë, duke qëndruar me orë të tëra mes tendave të mbushura. Uria dhe dëshpërimi ishin shumë të dukshme të premten në kampin në Deir al-Balah, pas një muaji evakuimesh që kishin dyndur mijëra palestinezë në zonën që ushtria izraelite e quan “zonë humanitare”. Zona për gjatë ka qenë e stërmbushur me palestinezë që kërkojnë strehim nga bombardimet, por situata bëhet më e vështirë përditë me valët e të zhvendosurve që arrijnë dhe ushqimi e uji janë të pamjaftueshme. Përgjatë muajit të kaluar, ushtria e Izraelit ka lëshuar urdhra për evakuim për Gazën jugore në një shkallë të paprecedentë. Të paktën 84% e Gazës tani është brenda zonës së evakuimit, sipas OKB-së, e cila vlerëson se 90% e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur për shkak të luftës. Associated Press ka numëruar 13 urdhra evakuimi që nga 22 korriku. “Kam filluar të mendoj se nëse nuk ka ushqim, do të shkoj të pi ujë deti. Po flas seriozisht. Do të pi ujë dhe kripë”, ka thënë një palestinez i zhvendosur. Yasser Felfel, i zhvendosur nga veriu, ka parë kampin e tij të mbushet nga valë evakuimesh. “Ishin 32 njerëz në tendën time. Tani jemi gati 50, njerëz që nuk i njoh. Një javë më parë, kishte shumë ushqim që tepronte. Kishim mëngjesin, drekën, darkën. Sot, për shkak të numrit të njerëzve që vijnë, mezi mjafton për drekë”, ka thënë ai. Goergios Petropoulos, kreu i zyrës së OKB-së për Koordinim dhe Çështje Humanitare në Gaza, ka thënë se shumë njerëz janë zhvendosur më shumë se 10 herë. “Ata janë të stërlodhur dhe pa para”. Uji është problem po ashtu. OKB-ja ka thënë se furnizimi me ujë në Deir al-Balah ka rënë për 70% që nga valët e evakuimeve. Mungesa e ujit të pastër ka shkaktuar sëmundje të lëkurës dhe të tjera. “Nuk ka ujë, nuk ka ushqim, nuk ka para, nuk ka punë, nuk ka asgjë”, ka thënë Abu Mohammad, i cili është zhvendosur shtatë herë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co