Një tragjedi ka ndodhur në Novi Sad te Serbisë, ku një tendë e stacionit hekurudhor të qytetit është shembur, duke zënë poshtë dhjetëra njerëz.
Sipas medias serbe nova.rs, deri më tani janë nxjerrë 13 trupa të pajetë nga rrënojat, e mbi 30 persona janë të lënduar.
Mes viktimave, është dhe një fëmijë i moshës 6 vjeçar.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në një prenoncim për mediat serbe, u shpreh se bilanci i viktimave është 13 persona, e se operacioni i shpëtimit për personat e tjerë të mbetur nën rrënoja do të vijojë me orë të tëra, për shkak të vështirësisë.
Ivica Daçiq: Deri më tani janë 13 viktimave. Është një strukturë shumë e rëndë dhe masive, e cila është shumë e vështirë të ngrihet dhe të arrihet tek të lënduarit. Një person është lënduar rëndë, pasi i janë prerë këmbët, ndërsa dy gra të tjera janë në gjendje të rëndë, shpresojmë që të mbijetojnë! Gagiqk, një prej shefave të administratës për situatat emergjente, ka qarë kur ka parë se mes viktimave është dhe një fëmijë i moshës 6 vjeç.
Media raporton se dyshohet për më shumë viktima, pasi ende nuk dihet sa persona kanë mbetur nën rrënoja, përfshirë aty dhe nxënës e studentë të cilët po prisnin në stacion për të lëvizur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 12:00, ku një pjesë e strukturës në hyrje të stacionit hekurudhor ka rënë, duke zënë poshtë njerëz që po prisnin për mjetin e transportit.
Një dëshmitare sipas medias nova.rs, u shpreh se struktura shpërtheu si një bombë.
“Në një sekondë, gjithçka ra papritmas. Kishte shumë njerëz dhe të moshuar. Dukej si një bombë”, është shprehur dëshmitarja për median serbe.
Në vendngjarje ndodhen uniformat blu, autoambulanca dhe zjarrfikëse, ashtu sikurse dhe automjetet mortore.
Stacioni hekurudhor në Novi Sad siç shkruan media serbe është rikonstrukturuar së fundmi dhe se një inxhinier ndërtimi është shprehur se shkak i kësaj tragjedie mund të jetë bërë dhe një gabim në punimet, por kjo mbetet për t’u hetuar.