Presidenti amerikan Joe Biden duket se e ka ekzagjeruar duke treguar historinë e zhdukjes së xhaxhait të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke sugjeruar se ai ishte ngrënë nga “kanibalët” pasi u “qëllua” në Papua Guinenë e Re. Gjatë një vizite në Scranton, Pensilvani, të mërkurën, Biden foli për xhaxhain e tij Ambrose Finnegan, një toger i dytë në Forcën e Pestë Ajrore, i cili u zhduk më 14 maj 1944, ndërsa po fluturonte nga ishulli Los Negros për në aeroportin Nadzab në Guinea e Re.
“Ai u qëllua në Guinenë e Re dhe ata kurrë nuk e gjetën trupin, sepse kishte, vërtet, shumë kanibalë në atë pjesë të Guinesë së Re” – u tha Biden punëtorëve të çelikut gjatë fjalimit të tij.
Më herët gjatë asaj dite teksa vizitonte një memorial të Luftës së Dytë Botërore në Scranton, presidenti përsëriti një tregim të ngjashëm. “Ai u qëllua në një zonë ku kishte shumë kanibalë në atë kohë. Trupi i tij nuk u gjet kurrë, por kur shkova atje për vizitë, qeveria hetoi dhe gjeti disa pjesë të avionit” – tha Biden.
CNN shkruan se megjithatë, të dhënat zyrtare sugjerojnë të kundërtën.
Sipas një raporti të ushtrisë amerikane, avioni me të cilin udhëtonte xhaxhai i Biden u rrëzua në oqean në brigjet veriore të Guinesë së Re për shkak të një defekti mekanik. Tre anëtarë të ekuipazhit u mbytën, ndërsa njëri mbijetoi dhe u shpëtua nga një anije mallrash që kalonte aty pranë. Një kërkim ajror i kryer të nesërmen nuk gjeti asnjë gjurmë të avionit ose anëtarëve të ekuipazhit të zhdukur.
Megjithëse Guinea e Re u kontestua ashpër gjatë Luftës së Dytë Botërore, me raporte për kanibalizëm, deklaratat e Biden për zhdukjen e xhaxhait të tij ndryshojnë nga historia e dokumentuar. Kjo nuk është hera e parë që Biden ka zbukuruar detaje rreth shërbimit ushtarak të të afërmve të tij.
Në një fjalim në dhjetor 2022, ai pretendoi se i kishte dhënë xhaxhait të tij të ndjerë, Frank Biden, titullin “Zemra e Purpurt” për veprimet gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, nuk ka asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim, pasi babai dhe xhaxhai i Bidenit kishin vdekur përpara se Biden të bëhej zv.president në vitin 2009.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co