Pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara zgjedhore, kandidati republikan për president, Donald Trump po e përqendron vëmendjen tek kundërshtarja e tij e pritshme, Nënpresidentja Kamala Harris. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për emigracionin, Aline Barros thotë se Partia Republikane e zotit Trump po sulmon punën e zonjës Harris rreth çështjes së emigracionit, duke e quajtur atë “e ngarkuara për çështjet e kufirit.”
Kandidati republikan për president, Donald Trump po e përqendron vëmendjen tani tek Nënpresidentja Kamala Harris, kundërshtaren e tij të pritshme në garën presidenciale, duke kritikuar qëndrimet e saj rreth emigracionit.
“Ajo dëshiron që të gjithë të amnistohen. Joe Biden-i e bëri atë të ngarkuarën për çështjen e kufirit dhe që atëherë situata u përkeqësua shumë. Ishte ky momenti kur nisi pushtimi kolosal i vendit tonë nga emigrantët e jashtëligjshëm. Ajo u tha atyre, ‘ejani’, ju kujtohet?” thotë ai.
Emigracioni i jashtëligjshëm është ndër çështjet kryesore për votuesit republikanë dhe zoti Trump po përpiqet ta lidhë zonjën Harris me politikën e Presidentit Biden për emigracionin duke e quajtur “të ngarkuarën për çështjen e kufirit.”
Por analistja e emigracionit dhe politikës së kufirit pranë Qendrës Bashkë-partiake për Politika, Theresa Cardinal Brown thotë se ky pohim nuk qëndron.
“Ajo kurrë nuk është emëruar si e ngarkuara për çështjet e kufirit. Në fakt, kufiri nuk ishte aspak çështje me përparësi për të,” thotë ajo.
Në fillim të mandatit të administratës së Biden, Harris u ngarkua me detyrën për të reduktuar emigracionin në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara në bashkëpunim me shtete e Amerikës Qendrore – Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin.
“Ajo ishte përgjegjëse për të zhvilluar strategjinë dhe për të siguruar zotimet për ndihma dhe investime në tre shtetet e Trekëndëshit Verior për të ndihmuar në reduktimin e të ashtuquajturve faktorë nxitës të emigracionit.”
Pasi Presidenti Biden kërkoi nga zonja Harris që të udhëheqë hartimin e strategjisë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të shkurajojë emigrantët për të mos braktisur vendet e tyre, mesazhi i zonjës Harris për emigracionin u bë më i ashpër,” thotë analistja Brown.
“Dua t’ua bëj të qartë njerëzve të këtij rajoni që po mendojnë të marrin rrugën e rrezikshme drejt kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Mos ejani. Mos ejani”, deklaroi në atë kohë Harris.
Trump thotë se qëndrimet e Harris janë provë se ajo është “tejet liberale” sa i përket emigracionit.
“Kamala votoi në favor të qyteteve që strehojnë emigrantët, ku është përhapur dhuna e përgjakshme. ajo mbështeti dekriminalizimin e kalimit të kufirit dhe përkrahu një amnisti të gjerë për të gjithë emigrantët e jashtëligjshëm,” thotë Trump.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co