Hakan Çalhanoglu është rikthyer ditën e djeshme në Milano ashtu si pjesa tjetër e futbollistëve që u impenjuan në Ligën e Kombeve. Megjithatë, mesfushori turk nuk ka kryer ekzaminime për të kuptuar shkallën e dëmtimit.
Kjo do të ndodhë vetëm ditën e sotme. E sigurt është që ai do të humbasë duelin në “Bentegodi” kundër Veronës. Edhe nëse nuk ka asgjë serioze, trajneri Inzagi nuk do ta rrezikojë për ta pasur sa më në formë në duelin e Champions-it kundër Lajpcigut.
Kështu që gjatë këtyre 3 ditëve stërvitje do të ketë një duel mes Kristjan Asllanit, Barelës dhe Zielinskit për rolin përpara mbrojtjes. Të tre lojtarët janë në formë, edhe pse zëvendësuesi ideal për Çalhanoglunë është mesfushori i Kombëtares shqiptare.
Tani është rikthyer të jetë në 100% të formës sepse në ndeshjet e mëparshme nuk ka pasur garanci prej gjurit. Simone Inzagi nuk ka vendosur ende se kujt do t’ia besojë çelësat e kabinës së regjisë dhe për momentin shumë pak më i favorizuar është Asllani. Mbetet për t’u parë gjatë këtyre dy ditëve.
PANORAMASPORT.AL