Eliminimi nga Champions League në fazën e 1/8, për më tepër në atë formë, trazoi jo pak ambientin zikaltër, por ky fakt nuk pritet të ketë asnjë ndikim në të ardhmen e Simone Inzaghi-t. Në Itali janë të bindur, Inter dhe Inzaghi kanë gjetur akordin total ndërmjet tyre, ndërsa tani pritet vetëm firma mbi kontratë: “Do të hedh firmën”, shkruan La Gazzetta dello Sport këtë të enjte në faqen e parë.
Sipas të përditshmes italiane, drejtuesit e klubit zikaltër do takohen me Inzaghi-n përpara përfundimit të sezonit për të hedhur firmën në kontratën e re. Inzaghi ka një kontratë me Inter deri në 2025, kjo ishte një tjetër arsye e fortë për të rinovuar përpara përfundimit të këtij sezoni, për të mos nisur sezonin e ri me një trajner që futet në vitin që i përfundon kontrata. Gjithnjë sipas La Gazzetta dello Sport, Inzaghi pritet të firmos deri në 2027.
Nga kontrata e re, trajneri pritet të përfitojë afro 6,5 milionë euro. Në vitin e tij të tretë në krye të Inter, Inzaghi ka rezervuar titullin në Serie A, ndërsa kjo është hera e tretë që do të firmos një kontratë të re me ekipin zikaltër.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co