Familja e një shtetasi britanik me origjinë nga Kosova, i cili mbahet në një burg serb po bën thirrje për më shumë ndihmë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, duke pretenduar se akuzat kundër tij janë të pabaza dhe të motivuara politikisht, ka raportuar BBC.
Sadik Duraku, 54-vjeçari, baba i tre fëmijëve nga Brighton, u arrestua më 17 prill 2024 teksa po udhëtonte për të vizituar të afërmit në Kosovë. Ai aktualisht po mbahet në një burg të Beogradit, i akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitet 1990 – akuza që familja e tij dhe ekipi ligjor i mohojnë.
Zyra e Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) tha: “Ne po mbështesim një britanik të arrestuar në Serbi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”.
Duraku ka lindur në Kosovë – e cila në atë kohë ishte pjesë e Jugosllavisë. Në vitin 1998, atij dhe familjes së tij iu dha azil në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që lufta ishte ndezur në vendin e tij. Ai u bë shtetas britanik në vitin 2002 dhe ndërtoi një jetë duke drejtuar një biznes larje makinash përpara se të dilte në pension për shkak të shëndetit të keq.
Në prill, Duraku u arrestua teksa po kalonte kufirin serbo-hungarez – një udhëtim që ai e kishte bërë shumë herë më parë. Këtë herë, ai u ndalua nga policia kufitare serbe dhe u akuzua për krime lufte që dyshohet se janë kryer si pjesëtar i UÇK-së.
Po atë ditë, mbi 1000 të tjerë u arrestuan nga autoritetet serbe, por vetëm një numër i vogël u akuzuan përfundimisht. Durakun e akuzuan për pjesëmarrje në krimet e luftës kundër popullatës lokale në vitin 1999. Familja e tij është e bindur se këto akuza janë të pabazuara dhe thonë se ai nuk ka qenë fare i përfshirë në luftë, nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk ka marrë pjesë në ndonjë akt dhune.
“Ne ishim të mallkuar”, tha Zana Duraku, vajza e tij. Familja ka mbledhur dokumentacion të gjerë për të vërtetuar se ai ishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk mbante dokumentet e nevojshme për t’u larguar nga vendi nga dhjetori 1998 deri në marrjen e shtetësisë në 2002.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co