Senati amerikan ra dakort të propozojë një paketë të re ndihmash prej 95 miliardë dollarësh, me një votim procedurial 67 me 32, që mundëson paraqitjen në vazhdim për votim në seancë plenare. Propozimi përmban 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën dhe 14 miliardë dollarë ndihma për Izraelin.
Pas disa orësh negociatash, Senati arriti të sigurojë minimumin prej 60 votash që nevojitet për të kaluar në një votim të plotë paketën e ndihmave, ku përfshihen edhe miliarda dollarë ndihma për vendet e rajonit Indo-Paqësor që përballen me agresionin kinez.
Propozimi ishte paraqitur mbrëmjen e së mërkurës nga drejtuesi i shumicës në Senat, senatori demokrat Chuck Schumer, pasi një marrëveshje dy partiake me buxhet prej 118 miliardë dollarësh që përfshinte edhe masat për sigurinë kufitare dështoi në Senat, megjithëse ishin bërë muaj të tërë negociatash.
Senatori Schumer tha se ishte konsultuar me Shtëpinë e Bardhë për një plan të dytë, pasi u njoftua se ish presidenti Donald Trump kishte kontaktuar senatorët republikanë për t’u kërkuar të mos e votonin marrëveshjen dypartiake.
“E dinim rreth një javë më parë kur ndërhyri Trump-i dhe tha se donte ta bënte politike. Ai tha se preferon kaosin në kufi, pasi mendon se kjo e ndihmon në zgjedhje. E dinim se mund të na duhej një opsion i veçantë”, u tha gazetarëve zoti Schumer.Nëse miratohet nga Senati në seancë plenare, marrëveshja dypartiake do të rrisë kapacitetet e sistemit të emigracionit, do t’i japë fund praktikës që u lejon emigrantëve të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara ndërsa ndjekin procesin e kërkesës për azil dhe do t’u lejojë presidentëve amerikanë ta mbyllin përkohësisht kufirin SHBA-Meksikë, nëse numri i personave që kalojnë kufirin arrin në një nivel të caktuar. Senatorët republikanë konservatorë thanë se propozimi nuk bën mjaftueshëm.
“Ky projektligj nuk e ndreq”, tha senatori Ted Cruz më herët këtë javë. “Kuptojeni se kjo krizë kufitare është e qëllimshme. E shkaktoi Joe Biden-i. E shkaktoi me veprimet e tij të njëanshme”.
Çështja e emigracionit, e pazgjidhur prej kohësh nga Kongresi dhe nga presidenca të njëpasnjëshme republikane dhe demokrate, u përfshi me shpejtësi këtë vit në politikë me fushatat elektorale për zgjedhjet presidenciale që mbahen këtë vit.
Senati pritet të punojë gjatë fundjavës me projektligjin.
Presidenti Biden tha gjatë një konference për shtypin të martën se do ta konsiderojë ish presidentin Trump përgjegjës për mbërritjen e më shumë emigrantëve. Sipas ligjit të tanishëm, shumë prej personave që hyjnë në mënyrë të paligjshme dhe kërkojnë azil, mund të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara për muaj, apo vite, derisa sistemi i mbingarkuar i gjykatave të emigracionit të shqyrtojë rastin e tyre.
Me mosmiratimin e projektligjit për emigracionin, tashmë Senati pritet të shqyrtojë propozimin që i ofron ndihma Ukrainës dhe Izraelit, pa përfshirë propozimet për emigracionin dhe kufirin./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co