Dy ditë më para Gjykata e Tiranës dha masën arrest me burg për Dritan Nanon dhe dhëndrin e tij Dorian Aliaj pas sulmit brutal ndaj avokatit dhe pedagogut të fakultetit të Drejtësisë, Sokol Mëngjesi.
Edhe pse Prokuroria e ndryshoi akuzën për të prangosurit, duke hequr vrasjen e funksionarëve publikë, mbetur në tentative, duke e bërë plagosje me dashje e kryer në bashkëpunim, gjykata ka vendosur që ata të hetohen në burg, ndërsa tre agresorët e tjerë vijojnë arratinë po prej 5 ditësh.
Policia hodhi shifrën prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre por deri më tani kanë dështuar të gjitha përpjekjet e policisë, edhe pse dy persona i ka në pranga. Por, në mbrojtje të agresorit kryesor të asaj ngjarjeje të rëndë është vendosur një avokat, që edhe e përfaqëson Dorian Alinë. Ai ka folur dje në lidhje me rastin, duke e dënuar sulmin por edhe duke treguar se ata nuk kanë qenë të organizuar dhe se sulmin e kishin kryer për sedër!
Megjithatë, beteja më e madhe mbetet sërish në Spitalin e Traumës, atje ku prej ditësh gjendet në intubim avokati, ku mjekët ende se kanë dhënë garancinë e ndërhyrjes, pasi dyshohet se ka probleme serioze në kokë. Por do të jetë dita e sotme vendimtare për të përcaktuar jo vetëm gjendjen por edhe shkallën e dëmtimit!
GJENDJA SHËNDETËSORE E AVOKATIT
Avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë në intubim, në spitalin e Traumës që prej mëngjesit të 29 majit. Burime nga spitali bëjnë me dije se po mbahet në monitorim intensiv dhe do të pritet deri ditën e hënë për të parë reagimin e tij. Ndërkohë të shtunën Prokuroria e Tiranës zbuti akuzën ndaj të dyshuarve duke rikualifikuar veprën penale nga vrasje të funksionarëve publik e mbetur në tentativë në ‘plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.
Gjykata e Tiranës caktoi arrest me burg ndaj Dritan Nanos të dyshuar si organizator të dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, edhe pse ai mohoi të ketë lidhje. Dhëndri i tij Dorian Alia, i arrestuari i vetëm nga grupi i dhunuesve, tha se sulmi nuk ishte i organizuar, por se avokati i doli rastësisht para dhe e goditi për ta paralajmëruar të tërhiqte padinë kundër vjehrrit të tij për pronën për të cilën kishin nënshkruar më herët. Edhe për 3 agresorët e tjerët që janë në kërkim nga policia, Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, është caktuar masa ‘arrest me burg’, ndonëse në mungesë.
MBROJTËSI I ALISË
Në përgjigje për gazetaren Anila Hoxha, avokati Ndoci e nis reagimin e tij duke shprehur solidaritet dhe duke i uruar shërim të shpejtë kolegut të tij, avokatit Sokol Mëngjesi. Ai shprehet se në media është abuzuar pasi nuk ka pasur një koordinim midis të rinjve apo dhe nuk ka pasur porositës për këtë situatë: “Është e vërtetë që pikënisja e kësaj situate është trashëgimia e pronës, përfaqësues ligjor për sistemimin (kthimin) e së cilës ka qenë avokat Sokol Mëngjesi.
Prona për të cilën përflitet është trashëgimi e znj. Albana Nano, vjehrra e Dorian Aliajt (bashkëshorti i vajzës së vetme të familjes Nano). Janë të njohura kalvaret e gjata të kthimit të pronave në dyert e gjykatave dhe problematikat e hasura me falsifikimet e dokumentacioneve bashkëshoqëruese. Problematikat e pronës, përfaqësimi dhe manipulimet e dyshuara, kanë bërë që znj. Albana Nano t’i drejtohet organeve kompetente duke kryer një kallëzim penal me qëllim vijueshmërinë me ekspertizat për shkrimin dhe firmat në kontratën e porosisë. Siç e dëshmon dhe vetë i dyshuari, ai nuk ka kontaktuar më parë me avokatin Sokol Mëngjesi.
Ka qenë një takim midis vjehrrit të tij z. Dritan Nano dhe avokatit në muajin shkurt 2024, ku Dorian Alia ka qëndruar në distancë dhe ka ndjekur zhvillimin e bisedës me tone jo të përshtatshme nga ana e avokatit për pretendimet e ngritura për pagesat mbi përfaqësimin e kryer. Bisedat familjare e kanë bërë të njohur situatën dhe kanë rihapur problematikën.
Dihet që kur diskutohet për pronat dhe aq më tepër për zhvatje të padrejtë të tyre, nuk mund të ketë një atmosferë qetësie. Euforia e moshës, sedra e prekur dhe gjaknxehtësia, çuan në reagimin e papërmbajtshëm dhe aspak të hijshëm të Dorian Aliaj, i cili në momentin kur e kuptoi situatën u vetëdorëzua në polici. Përfshirja e dy kushërinjve Drivald Alia dhe Elton Kasaj si dhe shokut Romario Tabaku janë rastësore dhe aspak të organizuara. Theksoj se familjarët e Dorian Alia, (bashkëshortja me fëmijët, vjehrri Dritan Nano dhe vjehrra Albana Nano) kanë qenë në Pogradec në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Sapo është kontaktuar nga policia z. Dritan Nano është drejtuar vetë drejt Tiranës për t’u paraqitur në ambientet e policisë. Në momentin e ndalimit të të dyshuarit Dorian Alia, iu bë e ditur se dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88-25 i Kodit Penal. Me administrimin e akteve nga organi i akuzës, të dyshuarit iu rëndua pozita duke e çuar përpara Gjykatës edhe për veprën penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 316 i Kodit Penal. Ftojmë publikun dhe mediat të tregojnë maturi dhe të presin vendimet e organeve kompetente, duke shmangur paragjykimet dhe nxitjen e tensioneve të panevojshme. Në këtë mënyrë, mund të kontribojmë të gjithë për një proces të drejtë dhe transparent”-thuhet në reagimin e avokatit Mirash Ndoci.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co