Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ka lënë në burg shtetasin turk, Yalcin Hanci, i cili akuzohet nga SPAK si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Yalcin Hanci akuzohet për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
50-vjeçari gjatë periudhës 23.04.2020-01.10.2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë dhe me qëllim përfitimin, ka transportuar ilegalisht, në Itali, me skaf, por dhe në shtete të tjera të Bashkimit Europian, emigrantë nga Siria, Egjipti dhe Irani.
Kujtojmë se Yalcin Hanci u ekstradua nga Gjerogja një ditë më parë, më 3 shtator.
NJOFTIM PËR MEDIAT
- Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 03.09.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të të pandehurit Yalcin Hanci dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Ardit Mustafaj dhe Bib Ndreca, bazuar në nenet 112, 232 pika 1 gërma “dh”, 238, 244 dhe 245 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr.113, datë 04.09.2024, vendosi:
- Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, e caktuar me Vendimin nr. 2, datë 09.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit Yalcin HANCI, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 298 paragrafi i parë, 28 pika 4, 333/a paragrafi i parë dhe 334 pika 1 të Kodit Penal.
- Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brënda afatit ligjor.
Tiranë, më datë 04.09.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co